Robin Haxhi Krasniqi: “Me zemër godas dhe luftoj kuq e zi” - tetova1.com

Robin Haxhi Krasniqi: “Me zemër godas dhe luftoj kuq e zi”


Kategoria: Sport / TOP LAJM

Postuar më: Mër, Sht 10, 2014





Kohët e fundit ishte në qendër të vëmendjes në mediat europiane dhe shqiptare pas suksesit që shënoi. Në bisedën që zhvilluam me të duket qartë se boksi e ka bërë për vete. Robin Haxhi Krasniqi, boksieri nga Juniku i Kosovës flet më shumë për karrierën dhe jetën e tij. Me shumë emocione tregon për vendlindjen, momentet e paharruara që ka përjetuar deri më sot në ring. Ai është rikthyer në Gjermani ku ka filluar përsëri me përgatitjet për duelin e rradhës. Boksieri junikas duket se do të jetë pasardhësi i dënjë i idolit të tij. Por kush është idoli i tij, si nisi karrierën si boksier, cilat janë planet e tij për të ardhmen? Lexoni më poshtë intervistën dhe kuptoni më shumë rreth tij!

 

Liridona Kuçi/ Tetova1.com

Tetova1 - Ka disa vite që jetoni në Gjermani, aty ku merreni edhe me boks, por gjithsesi vendlindja ka zënë një vend të veçantë në zemrën tuaj. Më thoni si i kujtoni ditët e fëmijërisë suaj, hera e parë kur keni filluar të ushtroni karate, etj.?

R.H. Krasniqi - Vendlindja në zemrën time ka zënë një vend të veçantë dhe do të jetë gjithmonë aty. Atje kam lindur, atje jam rritur, atje kam mësuar edukatën dhe traditën shqiptare. Unë mburrem me këto gjëra. Kur kujtoj ditët e fëmijërisë emocionohem, është krejt diçka ndryshe nga realiteti sotëm. Në atë kohë Kosova nuk ishte moderne, ishte nën regjimin e Serbisë. Kam përjetuar dhe luftën e cila më ka bërë të fort. Fillimi i karrierës sime ishte në moshën 13 vjeçare, pak pas lufte fillova të merrem me karate. Kështu vazhdoi deri në moshën 16 vjeçare. Dashurinë e madhe për boks ma ka dhënë Luan Krasniqi ku në atë kohë ai ishte një emër i madh i boksit. Gjithmonë kur e shikoja atë duke boksuar desha ti përjetoj emocionet e njejta si është te jesh në ring, te kesh një kundërshtar perballë. Prej asaj kohe Luanin e kam pasur idol. Tani po i përjetoj të njëjtat emocione në ring, por më e bukura është kur marr komplimente nga populli im.

 

Tetova1 - Si lindi dëshira për t’u marrë me boks?

R.H. Krasniqi - Boksi ishte sporti që unë e adhuroja dhe kur kam mbërritur në Gjermani kisha mundësinë që të merrem me këtë sport, andaj fillova menjëherë me ushtrimet, përgatitjet në boks.

 

Tetova1 - Aktualisht po vazhdoni karrierën tuaj në Gjermani. Pse Gjermania dhe jo Kosova apo Shqipëria?

R.H. Krasniqi - Karriera ime ka filluar dhe do të përfundojë në Gjermani. Këtu më është dhënë kjo mundësi, këtu janë kushtet dhe menaxhimi shumë më i mirë. Gjithsesi, unë kudo që jam, në Kosovë dhe Shqipëri përsëri me zemër godas dhe luftoj kuq e zi. Kosova dhe Shqipëria nuk i kanë kushtet, fuqinë dhe as menaxhimin që të boksoj aty ku dua unë, me atë që kam ëndërr unë , prandaj vetëm këtu mund të realizohet gjithçka. Por çdo trofe që do të fitoj, do t’ia kushtoj popullit tim. Shpresoj të bëhem kampion bote dhe atë titull ta festoj në trojet e mia.

 

Tetova1 - Ishit në trevat shqiptare para disa javësh dhe përsëri erdhët si fitues. Si ishin reagimet e njerëzve rrugës, fjalët që ju thoshin?

H. Krasniqi - Gjithmonë pasi boksoj, pushimet e para i kaloj në Kosovë. Është vendi ku trupi im e ndjen veten më mirë. Është një kënaqësi shumë e madhe të marr aq shumë komplimente nga populli im dhe të gjithë janë krenar me punën që po bëj, prandaj gjithmonë dua që fitoret ti festoj bashkë me ta në Kosovë dhe për atë nxitoj dhe bëj një vizitë në vendlindje pas ndeshjeve.

 

Tetova1 - Cila ka qënë lufta më e ashpër që keni zhvilluar ndonjëherë? Kë e keni patur kundërshtar?

R.H. Krasniqi - Lufta më ashpër ishte në 7 janar 2012. Ishte lufta për titullin e Europës kundër francezit Hakim Culika. 12 runda boksuam me një tempo shumë të madhe, të pandalshme dhe në rundin e 12-të kundërshtari pësoi një nokaut nga ana ime. Ajo luftë u zgjodh edhe lufta më e ashpër në Europë në vitin 2012.

Tetova1 - Cfarë mendoni pasi ngjiteni në ring dhe sytë e mijëra fansave të boksit janë nga ju?

H. Krasniqi - Kur ngjitem në ring para mijërave shikuesëve mendoj vetëm që në fund të luftës të dal nga ringu si fitues .

 

Tetova1 - Kthehemi pak te jeta juaj. Si është një ditë e zakonshme e juaja kur jeni në Kosovë dhe kur jeni në Gjermani?

R.H. Krasniqi - Gjithmonë kur jam në Kosovë në pushime nuk është se kam obligime, mundohem sa më shumë kohë të kaloj me familje dhe shoqëri, ndërsa në Gjermani kohën më të madhe ja kushtoj sportit (boksit).

 

Tetova1 - Femrat shqiptare apo të huaja?

R.H. Krasniqi - Unë shpresoj që në të ardhmen të krijoj familje me një femër shqiptare.

 

Tetova1 - Të rinjtë shqiptarë kohët e fundit po shprehin interes në shumë fusha si në sport ashtu edhe në art. Cila është këshilla juaj për ata që synojnë të kenë sukses si ju?

R.H. Krasniqi - Të rinjëve shqiptarë mundem t’iu them vetëm që të kenë respekt dhe disciplinë për atë rrugë që e kanë marrë dhe të punonjnë pa pushuar.

 

Tetova1 - Cilin boksier do të dëshironit ta kishit kundërshtar në ring një të ardhme?

R.H. Krasniqi - Për momentin dëshiroja të boksoj kundër kampionit të botës në versionin WBA i cili është gjermani Jyrgen Bremer.

 

Tetova1 - Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

R.H. Krasniqi - Synimi dhe ëndrra ime është që të bëhem kampion i botës dhe të vizitoj trojet shqiptare me brezin e kampionit të botës .

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net