Rama: Maqedonia në NATO, jo pa u zbatuar Marrëveshja e Ohrit
Shqipëria në rolin e anëtares së NATO-s kërkon nga Maqedonia zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si çështje që ajo e quan ende të pazgjidhur.
Qëndrimi i tillë u përsërit nga kryeministri shqiptar Edi Rama, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit, të enjten, raporton Zhurnal.
Kreu i Qeverisë shqiptare tha se Shqipëria, në këtë mënyrë, nuk synon të vështirësojë rrugën e integrimit të Maqedonisë në NATO, porse “ne besojmë se vendosja e standardeve demokratike në marrëdhëniet me popullin shqiptar të Maqedonisë, përmes zbatimit rigoroz të Marrëveshjes së Ohrit, do të krijojë kushtet për një të ardhme të qëndrueshme të Maqedonisë si një vend multietnik dhe multifertar”.
Madje, sipas kryeministrit shqiptar, zbatimi i Dokumentit të Ohrit përbën siç thotë ai “një hap shumë të rëndësishëm, për të konsoliduar rajonin në raport me kanosjen e ekstremizmit islamik”.
“Samiti i Uellsit dha sinjale inkurajuese edhe për përpjekjet e Maqedonisë drejt integrimit në Aleancë. U përsërit premtimi i bërë në Samitin e Bukureshtit, për ta ftuar këtë vend t’i bashkohet NATO-s, sapo disa kushte të jenë përmbushur. Duke e shprehur hapur dhe qartë interesin tonë për një Maqedoni demokratike, të stabilizuar, të sigurt dhe të integruar në NATO, ne u shprehëm pa asnjë ekuivok, se këto standarde të larta janë të mundshme vetëm kur ky vend t’i qaset seriozisht zbatimit të plotë Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshje e cila përbën truallin solid të bashkëjetesës dhe të prosperitetit të një shoqërie multietnike dhe multifetare, siç është ajo e Maqedonisë”, u shpreh Rama.
Duke cituar deklaratën e Samitit të Uellsit, Rama tha se NATO inkurajon dhe mbështet vijimin e përpjekjeve për reforma në vend, posaçërisht ato që synojnë dialogun e efektshëm demokratik, lirinë e medias, pavarësinë e gjyqësorit dhe një shoqëri plotësisht funksionale dhe multietnike, të bazuar në zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit.
“Po të krahasohen qëndrimet e shprehura në deklaratën e Samitit të mëparshëm të NATO-s, pas atij të Bukureshtit, si në Lisbonë apo në Çikago, vihet re se Aleanca i ka shtuar këtë herë kërkesat ndaj Maqedonisë, ku spikat kërkesa e kërkuar me insistim prej nesh, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Rama.






