Në rrezik jeta e të dënuarve të rastit “Monstra”
Pesë ditë pas hyrjes në grevë urie për shkak të mos shkruarjes së aktvendimit nga ana e Gjykatës Themelore Shkup 1, e cila më 30 qershor i dënoi ata me burg të përjetshëm, gjendja e tyre është keqësuar shumë. Ndihmë mjekësore nuk marrin, edhe pse atë nuk ia kanë ofruar asnjëherë
Gjendja shëndetësore e katër të dënuarve me burg të përjetshëm për rastin “Monstra” është keqësuar shumë.
Pesë ditë pas hyrjes në grevë urie për shkak të mos shkruarjes së aktvendimit nga ana e Gjykatës Themelore Shkup 1, e cila më 30 qershor i dënoi ata me burg të përjetshëm, gjendja e tyre është keqësuar shumë. Ndihmë mjekësore nuk marrin, edhe pse atë nuk ia kanë ofruar asnjëherë.
Meqë Gjykata Themelore Shkup 1, i theu të gjitha afatet për të shkruar Aktvendimin, ata të revoltuar më 18 shtator vendosën të hynë në grevë urie.
Avokatët e të akuzuarve kanë informuar Këshillin Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe Gjykatën Themelore Shkup 1, për vendimin e tyre dhe presin që Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësorë të detyrojnë gjykatësin që ta shkruajë Aktvendimin, pasi kanë kaluar edhe 23 ditë nga afati I fundit gjyqësor që është 60 ditë.
Naser Raufi, njëri nga avokatët e të dënuarve, i cili i ka vizituar ata në burg thotë se gjendja e tyre shëndetësore është mjaft e keqësuar, e sidomos gjendja e Fejzi Azirit i cili është edhe në moshë të thyer.
“Isha në Manstir dhe u takova me Fejziun, ai është i sëmurë. U kërcënua se mund të bëjë vetëvrasje. Ka gati 1000 ditë që është në paraburgim, në kushte tepër të këqija. Tani ka pesë ditë që janë në grevë dhe gjendja e tij dhe e të tjerëve është keqësuar shumë”, tha për “Lajm”, Naser Raufi, njëri nga avokatët mbrojtës të këtyre të dënuarve. Ai sqaron se të martën ka takuar edhe Sami Lutën dhe thotë se edhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.
“Asnjërit nuk I japin ndihmë mjekësore”, thekson ai.
Raufi pret që Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli I gjykatësve të reagojë dhe gjykatësi ta shkruajë aktvendimin. Por se si do ta shkruajë atë akt vendim, askush nuk e di, pasi siç thotë Raufi është e pamundur që të shkruhet një aktvendim, ku gjashtë persona dënohen me burg të përjetshëm pa pas asnjë provë.
Po ashtu edhe familjarët e këtyre të dënuarve me burg të përjetshëm janë të brengosur për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre.
Bedri Hajdari, vëllai i Fejzi Azirit thotë se u bënë 29 muaj në kushte mizerje. “Gjendja e tyre shëndetësore rëndohet nga dita në ditë. Po shihet se e gjithë kjo është një manipulim. Pse se shkruajnë atë aktvendim?, pse vazhdojnë të manipulojnë akoma dhe të montojnë akoma”, thotë ai për “Lajm”.
Më 1 maj të vitit 2012 ndodhi aksioni I policisë I koduar si “Monstra” gjatë të cilit u arrestuan 20 shqiptarë dhe u akuzuan nga Ministrja e punëve të Brendshme Gordana Jankullovska si grup radikal islamik që ka kryer vrasjen e pesë maqedonasve në afërsi të liqenit Smillkovcë. Një ditë më vonë shumica e “radikalëve islamik” u liruan, ndërkaq, që për këtë rast më 30 qershor të këtij viti u dënuan me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë, dy prej të cilëve gjenden në burg në Prishtinë për armëmbajtje pa leje.
Faleminderit Zonja Merkel
“Në emër të Këshillit Organizativ për rastin ‘Monstra’, publikisht e falënderojmë z. Angela Merkel dhe ministrinë e jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë që është zotuar se për së afërmi do ta vëzhgojë rastin senzitiv të ashtuquajtur ‘Monstra’, ku 6 shqiptarë padrejtësisht u dënuan me burgim të përjetshëm nga ana e një gjykatë MONSTËR në Maqedoni, e cila me argumente që as një fëmije të klasës së parë nuk e bindi se në këtë vend funksionon Ligji dhe e drejta e njeriut për të jetuar i lirë, duke mos përfilë edhe ato ligje që vetë i ka sjellë e lëre me Ligjet dhe Konventat ndërkombëtare!”, tha kreu i Këshillit organizativ, Bedri Hajdari.





