Prezantimi i BERZH-it mbi rritjen e bizneseve te vogla - tetova1.com

Prezantimi i BERZH-it mbi rritjen e bizneseve te vogla


Kategoria: Ekonomi

Postuar më: Enj, Sht 25, 2014





Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) ndihmoi Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të organizuar një prezantim mbi rritjen e bizneseve të vogla, i cili u mbajt në godinat e Qendrës për Zhvillim të Biznesit pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.

Prezantimi grumbulloi së bashku përfaqësues të Qeverisë, organizatave ndërkombëtare, kompanive anëtare të OEMVP-së, të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të institucioneve financiare, shoqatave afariste dhe stafit akademik të UEJL-së, të cilët mbështetën fushatën e re dhe shqyrtuan ndihmën këshilldhënëse të BERZH-it, të menduar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe efekti i saj.

Mbledhjen e hapi z. Mika Shvent, Udhëheqës i Programit Rajonal të BERZH-it për zhvillim të bizneseve të vogla. Gjatë fjalimit të tij, ai njoftoi të pranishmit se BERZH u mundëson ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Maqedoni qasje në këshillim biznesi që nga viti 1998, me mbështetje financiare të BERZH-it, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, Holandës, Iniciativës Qëndrore Evropiane (CEI) dhe Portugalisë . Në Maqedoni, 220 kompani të ndryshme kanë përfituar nga këshillimet e biznesit të ofruara nga BERZH, të cilët kanë rritur shitjen e vet për madje 70%, si dhe kanë rritur numrin e punësimeve.

Pastaj vazdhoi me fjalimin e vet zv. Kryeministri për Çështje Evropiane, z. Fatmir Besimi, i cili përshëndeti këtë iniciativë të BERZH-it dhe u angazhua për mbështetje nga ana e Qeverisë të projekteve të këtilla. Ai përshëndeti dhe OEMVP-në për të qenit një institucion i cili gjithmonë vepron dhe angazhohet për zhvillimin e bizneseve dhe përmirësimin e gjendjes në sektorin ekonomik të Maqedonisë.

Dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, z. Menderes Kuçi kishte fjalim hyrës, me të cilin përshëndeti këtë iniciativë të BERZH-it, duke theksuar se OEMVP gjithmonë ka qenë dhe tanimë, së bashku me BERZH-in, do të jetë plotësisht e përkushtuar për të ndikuar në senzibilizimin e bizneseve tona dhe ngritjen e vetëdijes së tyre për ekzistencën e këtyre mundësive plotësuese.

“Si Kryetar i OEMVP-së, Ju siguroj se mbështetjen e institucionit tonë do ta keni në çdo çast dhe jam i bindur se çdo sfidë që mund ta keni në biznesin Tuaj, do të mund të zgjidhim së bashku dhe me mbështetjen e njerëzve profesionistë, të zgjedhur nga ky institucion ndërkombëtar”, përfundoi fjalimin e vet Kryetari Kuçi.

Pastaj z-nja Maja Anteska, Menaxhere kjo Nacionale e Programit të BERZH-it për mbështetje të bizneseve të vogla, ua prezantoi të pranishmëve mundësitë e këshillimit të biznesit të cilat ofrohen nga ky institucion.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim filloi këtë fushatë informativë mbi vlerën e këshillimit të biznesit dhe transferrimit të diturisë praktike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke mbajtur prezantimin e parë në Tetovë më 25 shtator, për të vazhduar në Manastir më 26 shtator 2014 dhe duke përfunduar në Shkup më 30 shtator 2014.

Fushata do të fokusohet në vlerën e diturisë mbi rritjen e biznesit për të arritur sukses komercial, si dhe si të arrihet dituria praktike me bazë të subvencionuar nga BERZH.

Kjo fushatë njëkohësisht po zhvillohet në 25 vende nga Evropa Juglindore dhe Lindore, duke vazhduar deri në Afrikën Veriore, Rusinë dhe Azinë Qëndrore.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net