Arsimi ka nevojë për shumë rregullime ligjore - tetova1.com

Arsimi ka nevojë për shumë rregullime ligjore


abdilaqimademi
Kategoria: Arsim / Intervista

Postuar më: Die, Sht 28, 2014





ga fundi i tetorit, ministri Ademi do të ketë në tavolinë raportin për cilësinë e universiteteve private, në 2017-ën thotë se USHT e Shkupit do ta ketë gati kampusin universitar, kurse paralajmëron ndryshimin e Ligjit të librave, paraleleve dhe vlerësimit ekstern. Ai nuk pret të duartrokitet prej të gjithëve, por vendimet për emrat e shkollave në Çair thotë se do ti nënshkruajë së shpejti

Laura PAPRANIKU

Pavarësisht faktit se arsimi është veprimtari me interes të lartë publik, dhe se si i tillë do të duhej të ishte larg ndikimeve politike, në Maqedoni jo rrallë ndodhë të përdoret si instrument i politikës. Kur ti shtosh kësaj edhe nuancat etnike tepër të theksuara në Maqedoni, nuk ka dyshim se Ministria e Arsimit dhe Shkencës merr tiparin e dikasterit më të ndjeshëm. Në këtë intervistë për gazetën KOHA, ministri Abdilaqim Ademi tregon mënyrat me të cilat ai planifikon t’u bëjë ballë sfidave politike dhe etnike të shumë çështjeve të hapura në arsim.

KOHA: Për ditën e hënë, SASHK-u ka paralajmëruar grevë. E shihni këtë si shprehje të problemeve sociale apo aktivitet me tendencë pak sa nacionale? (Sa ishin ministrat maqedonas dialogu social “shkonte vaj”, me të ardhur në krye të MASH-it një shqiptar u organizuan menjëherë protesta)

ADEMI: E drejta e grevës është e garantuar me Ligj dhe Kushtetutë dhe ne do ta respektojmë deri në fund këtë. Sikurse kam njoftuar, me të ardhur në detyrën e ministrit, gjeta në tavolinë kërkesat e SASHKU-ut dhe pas disa kontakteve me kryetarin e Sindikatës, caktuam edhe takim për të folur rreth vazhdimit të dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes eventuale për kërkesat e parashtruara. Por, kryetari i SASHK-ut erdhi në takim me ultimatum se do të ndërpresin të gjitha kontaktet me MASH-in nëse nuk kthehen në punë profesorët e Universitetet të Shtipit. Meqë ky ishte kushti, bisedimet u ndërprenë pasi MASH nuk mund të ndërhyjë në autonominë e universiteteve. Sa i takon grevës, mendoj se nuk është zgjedhur momenti i duhur, sepse nuk janë bërë ende 100 ditët e para të qeverisë, pastaj është koha kur në vetë SASHK-un duhet të organizohen zgjedhje dhe rizgjedhje. Përveç kësaj, para ardhjes sime në këtë ministri, ka pasur tre ministra maqedonas radhazi dhe kanë qenë vetë krerët e SASHK-ut që deklaronin se dialogu social po rrjedhën më së miri. Nuk them se nuk ka problem në arsim, por paraprakisht ka pasur shumë lëvizje, të cilat janë përkrahur nga vetë SASHK-u, deri para ardhjes sime në krye të MASH-it. Nuk dua të besoj se greva e paralajmëruar është e motivuar politikisht dhe etnikisht, mirëpo vetë fakti se kanë qenë tre ministra maqedonas para meje dhe prej SASHK-ut janë përshëndetur edhe vendimet për të cilat mund edhe të mos jenë konsultuar le për të dyshuar. Organizohen greva tani, kur unë nuk kam marrë asnjë vendim kundër SASHK-ut, por përkundrazi - që ditën e para të punës si ministër tregova gatishmëri për bashkëpunim me ta në të mirë të arsim.

KOHA: Jeni ministri i tretë shqiptar i Arsimit, pas Pollozhanit dhe Rushitit. I pari legalizoi UT-në, kurse i dyti nxori Ligjin me të cilin shqiptarët janë 100 për qind të përfshirë në arsimin e mesëm. Cila është platforma Juaj. Çfarë planifikoni të bëni ju në planin kombëtar?

ADEMI: Ju përmendet momentet më të rëndësishme në karrierën e dy ministrave të përparshëm shqiptarë, sepse mund të ketë edhe shumë gjëra tjera pozitive për tu përmendur. Ajo ka qenë periudha e nevojës për zgjerimin e mundësive për shkollimin e shqiptarëve në të gjitha nivelet, ndërsa tani duhet të punojmë për ngritjen e cilësisë së arsim. Platforma ime si ministër, e subjektit politik që i takoj - BDI dhe programit të Qeverisë, është ngritja e cilësisë në arsim. Në bazë të informacioneve që ne disponojmë, kualiteti i arsimit në gjuhën shqipe për shumë arsye mund të jetë më i dobët se në gjuhën maqedonase. Nuk dua të kërkojë fajtorët, sepse janë të shumtë, duke nis nga sistemi paraprak që nuk mundësonte nxjerrjen e kuadrove shqiptarë, pastaj është largimin i shumë pedagogëve të mirë nga procesi edukativo-arsimor dhe mos zëvendësimi i tyre më kuadro adekuatë apo dhe cilësia e dobëta teksteve shkollore. Nuk e them këtë për ti gjuajtur fajtorët, por për të pasur ide të qartë se çfarë duhet të përmirësojmë. Angazhimi në këtë drejtim do të jetë sistemor dhe nuk do ti lihet faktorit njeri.

KOHA: Mund të presim ndryshme në Ligjin që rregullon çështjen e botimit të teksteve shkollore?

ADEMI: Po. Pikërisht kjo është njëri prej synimeve me qëllim që të kthejmë tekstet alternative të paktën për lëndët që tangojnë specifikat e popujve që jetojnë në Maqedoni, pra për librat e gjuhës, historisë, muzikës dhe të ngjashme. Përmbajtja e teksteve është problematike në thuajse të gjitha vendet e rajonit. Temë aktuale është bërë së fundmi edhe në Shqipëri. Nuk e them këtë për të amnistuar askënd prej përgjegjësisë, por për të vënë në pah se sa specifike është përgatitja e një teksti shkollor. Në një shtet multietnik si Maqedonia, kjo specifikë ndërlikohet ende më shumë, kështu që duke dashur të shkojmë në tekste të unifikuara (sikurse i kemi aktualisht), shkaktojmë reagime të prindërve, mësimdhënësve dhe opinionit. Kemi tekste me gabime skandaloze jo vetëm në përmbajtje, por edhe në përkthim

KOHA: Kur do të korrigjohen librat e Historisë, Muzikës, Gjeografisë…?

ADEMI: Ka një procedurë për këtë dhe kërkon një kohë pak më të gjatë, prandaj nuk mund të flas me afate kohore. Është lehtë që me një vendim të heq nga përdorimi një libër dhe të nisim të përgatisim një tjetër. Por, këtë mund ta bëjë më vonë edhe një ministër tjetër, mbase maqedonas që mund të vjen pas meje. Mendoj se gjërat duhet të rregullohen në mënyrë sistemore dhe për këtë duhet të nisim me ndryshimin e Ligjit.

KOHA: Arsimi i lartë në Maqedoni është thuajse jashtë kontrollit. Sa është shqetësuese kjo situatë dhe çfarë do të ndërmerrni për të vënë mekanizmin e kontrollit në universitete?

ADEMI: Vetë autonomia e universiteteve i bën ata të jenë jashtë kontrollit të Ministrisë, mirëpo kjo nuk do të thotë se institucionet e vendit nuk mund të mbikëqyrin punën e tyre. Është e vërtetë se janë vetëm pesë inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit që kontrollojnë të gjitha institucionet e arsimit të lartë, mirëpo është edhe Këshilli për Akreditim dhe Evaulim që duke dhënë lejet për akreditimin dhe duke ndjekur evaulimin e punës së atyre institucioneve, bën një farë kontrolli të cilësisë. Kam formuar edhe një Komision për kontrollin e cilësisë të institucioneve private të arsimit të lartë, me përfaqësues të Ministrisë dhe Inspektorati, të cilët nga fundi i muajit tetor do të paraqesin analizën përkatëse. Qëllimi është të kemi një pasqyrë të saktë se sa këto institucione e respektojnë Ligjin dhe sa u përmbahen vendimeve mbi bazën e të cilave kanë fituar lejet e akreditimit. Nuk kemi qëllim të mbyllim asnjë institucion, por në raste të konstatimit të shkeljeve eventuale, t’ju japim mundësinë të korrigjohen dhe të shmangin parregullsitë. Do të kenë dy herë mundësi ta bëjnë këtë e nëse nuk tejkalojnë shkeljet as pas afatit të dytë, normal se mund të vjen deri te mbyllja e ndonjë programi studimor, fakulteti dhe nëse është nevoja edhe e komplet universiteti privat.

KOHA: Përse nuk kontrolloni edhe universitetet publike, ka shumë pa rregullsi edhe në punën e tyre?

ADEMI: Ata, përveç kontrollit nga ana e ISHA-së dhe KAE-së, kanë edhe mbikëqyrje të ndryshme nga Enti Shtetëror i Revizionit për shkak të mjeteve buxhetore që i shfrytëzojnë, si dhe kontrolle nga institucioneve tjera. Universitetet publike janë në vëzhgim të vazhdueshëm.

KOHA: 10 vjet pas legalizimit të USHT-së, jemi kthyer në kohën e universiteteve në shkolla fillore. Ku duhet kërkuar faji: Universitet, Ministria apo Komuna?

ADEMI: Komunat nuk kanë asnjë lloj kompetencë në arsimin e lartë dhe këtu nuk mund të flitet as për përgjegjësi nga ana e tyre. Angazhimin e Komunës së Çairit për sigurimin e hapësirave për programet e USHT-së duhet përshëndetur. Ajo që USHT ka vendosur prej këtij viti, që programet e disperzuara të Shkupit t’i vendos në hapësirat e një shkolle fillore, është vetëm zgjidhje e përkohshme me qëllim që tu përgjigjet pozitivisht nevojave të shqiptarëve kryeqytetas për shkollim të lartë publik në gjuhën shqipe. Si zgjidhje afatgjate, MASH ka siguruar në Buxhetin e vitit të ardhshëm rreth 250.000 euro mjete financiare për përgatitje e projektit dhe fillimin me punë të ndërtimit të kampusit për fakultetet e USHT-së dhe godinën e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore. Ky kampus universitar do të ndërtohet në hapësirat e ish-kazermës ushtarake “Ilinden”. Është miratuar plani urbanistik dhe me këtë krijohet mundësia që MASH të nis punët për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Besoj se 2017-ta do ta gjejë USHT-në me objekt të përfunduar për studimet e saja në Shkup.

KOHA: Reforma për pedagogjikun është pritur mjaft mirë. A keni nis të punoni në konkretizimin e prioritete prej ku do të fillohet? A është zgjedhur modeli? Kush janë ekspertët që i konsultoni për këtë reformë?

ADEMI: Pasi e prezantuam idenë për reformën e Pedagogjikut para dekanëve dhe përgjegjësve të studimeve përkatëse, kemi formuar edhe Grupin punues, i cili punon në drejtim të shfrytëzimit të përvojave të shteteve me sistem zhvilluar arsimor, sidomos në aspektin e karrierës së mësimdhënësve. Për këtë na kanë ardhur në ndihmë edhe disa projekte të USAID-it, ndërsa jemi mbështetur në modelin finlandez të arsimit me qëllim të formimit të strukturës institucionale dhe programeve studimore. Ideja është të kemi një reformë përmbajtjesore dhe e kapshme për të gjithë ata të cilët do të përfshihen në të. Reforma përfshin disa segmente si: politikat regjistruese, formave të stimulimit, krijimi i një qendre që do të merret me licencimin e arsimtarëve dhe programeve e, çka është më kryesorja reforma do të përfshijë edhe mësimdhënësit e tanishëm. Në cilën formë dhe në çfarë masë, kjo mbetet për tu precizuar në të ardhmen. Jo çdo kush do të mund të regjistrohet në këto fakultete dhe jo çdo kush do të mund të kryejë këtë profesion. Kuptohet që kjo do të shkojë paralelisht rrogave të cilat do të rriten në arsim dhe që gjithashtu do të varen nga niveli i karrierës së mësimdhënësve. Nëse dikush nuk merr licencën as herën e dytë, sigurisht se do ti merret edhe e drejta të punojë në arsim. Ndërkaq ata që do ta rimarrin tre herë radhazi licencën përkatëse do të lirohen nga testimi i mëtutjeshëm, i cili do të përsëritet në çdo pesë vjet.

KOHA: Para pak kohësh, në Parlament u bënë ndryshime në Ligjin për arsim fillor. Përse munguan propozime që duhet ta rregullojnë çështjen e formimit të paraleleve të përziera? Dihet se prej kësaj pësojnë vetëm nxënësit shqiptarë?

ADEMI: Ka raste kur kryetarë komunash për qëllime politike, disa herë edhe revanshiste për fat të keq, kanë lejuar që në shkolla të kombinohen paralele me nxënës nga klasa e parë deri të katër. Por kemi edhe raste ekstre të kundërta kur në ndonjë shkollë periferike, të kemi për shembull 27 nxënës dhe 20 arsimtarë. Çështja e formimit të paraleleve duhet vërtetë të rregullohet si duhet në Ligj, jo më shumë se dy paralele në një klasë dhe jo më pak nxënës në klasë se sa parashihet me Ligj. Besoj se kjo do të ndodhë së shpejti. Në ndryshimet e Ligjit që u miratuan javë më parë, munguan këto ndryshime sepse i kishim disa nene për vlerësimin ekstern, të cilat nuk mund të prisnin në kohë dhe që kaluan me procedurë të shkurtuar

KOHA: Strategjia për arsim të integrua përveç që është kundërshtuar prej shqiptarëve, është në kundërshtim edhe me Ligjin për arsim fillor. A keni menduar ta distancoheni nga kjo Strategji? Apo do ta ndryshoni Ligjin në favor të maqedonishtes?

ADEMI: Strategjia e cila u miratua në 2010 vazhdon të mbështetet financiarisht nga OSBE dhe USAID-i, kurse deri tani janë realizuar projekte të caktuara me qëllim jo vetëm të implementimit të saj, por edhe të rishqyrtimit të formave se si e njëjta të pranohet më mirë nga prindërit dhe shkollat. Përmban pesë komponentë të rëndësishme dhe sigurisht që më e ndejshmja është ajo e gjuhëve. Po e përsëris, edhe tani integrimi nuk nënkupton asimilim dhe nuk mund të bëhet në një kahe. Dmth nuk mund të kërkohet dhe të insistohet që vetëm nxënësit shqiptarë ta mësojnë maqedonishten nga klasa e parë, kurse këtë të mos e bëjnë moshatarët e tyre maqedonas kur është në pyetje mësimi i shqipes në shkollat e vendbanimeve të përziera etnike. Gjuha shqipe si gjuhë zyrtare tanimë është realitet dhe kjo do të duhet të reflektojë edhe në sistemin arsimor. Mirëpo, vendimet që merren në MASH duhet të jenë mirë të konsultuara me të gjitha palët dhe sikurse u tregua edhe më herët, kjo çështje nuk mund të rregullohet duke u imponuar me vendime ministrash. U provua, por pati shumë reagime nga ana e prindërve.

KOHA: A keni mekanizëm se si të bëni të dyanshëm integrimin, pra si maqedonasit ta mësojnë shqipen, sepse shqiptarët edhe pa Strategjinë e mësojnë maqedonishten?

ADEMI: Dalëngadalë ka nis të ndryshojë mentaliteti edhe i maqedonasve. Njoh shumë që duan ta mësojnë shqipen, bile që deklarojnë se fëmijët e tyre duhet ta bëjnë këtë që në fazat e mëhershme të shkollimit. Mirëpo, këtë e thonë në ambiente të mbyllura, në takime jo publike. Ende nuk kam parë që dikush, qoftë ky edhe funksionar i lartë, ta deklarojë publikisht këtë. Mësimi i gjuhës së “fqinjit” është çdo herë përparësi dhe këtë njerëzit duhet ta kuptojnë vetë. Nuk është punë që rregullohet me dekrete dhe vendime ministrash. Tani që shqipja është zyrtare, njohja e kësaj gjuhë do të jetë përparësi punësimi për çdo joshqiptarë si në administratën lokale, ashtu edhe në institucione të tjera.

KOHA: Nëse prisni të dakordohen maqedonasit për emrat e heronjve shqiptarë, kjo do të thotë se Ju nuk do të nënshkruani asnjëherë vendimet me të cilat do të formatizohen emrat e katër shkollave në Çair dhe dy në Dibër? Ku do të ndryshoni Ju prej ish-ministrave Spiro Ristovski e Pançe Kralev?

ADEMI: Momentin kur do ta marr vendimin, nuk do të ketë reagime negative. Nuk pretendoj se mund të arrij ti bind të gjithë apo të dalin të më duartrokasin. Koha dëshmon se asnjë e keqe nuk u vjen maqedonasve prej shqiptarëve. Pra, ashtu sikurse nuk kanë asnjë dëm nga legalizimi i UT-së, përdorimi i flamurit shqiptar…, ashtu nuk do të kenë asnjë të keqe edhe nga emërimi i shkollave shqipe me emrat e heronjve shqiptarë. Përkundrazi, vendime të këtilla erisin lojalitetin e shqiptarëve ndaj institucioneve dhe shtetit ku ata jetojnë.

KOHA: Si do ti orientoni maqedonasit të gjykojnë në këtë frymë?

ADEMI: Me një debat më konstruktiv dhe kyçje të të gjithë faktorëve në marrje të këtij vendim dhe më në fund të të mirëpritet prej të gjithëve. Sepse, do të del si një vendim i përbashkët prej të gjithëve.

KOHA: Tingëllon sikur ato vendime do t’i nënshkruajë kryeministri Gruevski?

ADEMI: Jo, jo vendimet nuk do ti firmosën kryeministri, sepse nuk ia lejon Ligji. Vendimet do ti nënshkruaj ministri i Arsimit dhe Shkencës. Nuk do të jetë kohë shumë largët kur të ndodhë një gjë e tillë.

KOHA: Ka gjasa të tërhiqeni prej vlerësimit ekstern, ose të paktën ti bëni një rishikim të detajuar këtij segmenti, që gjithashtu ka zbrazëtira të mëdha?

ADEMI: Vlerësimi ekstern nuk është sqaruar sa duhet as për ata që janë përfshirë në këtë proces dhe as për opinionin. Nuk do të thotë se një mësimdhënës nuk është i mirë vetëm se nuk ka notuar objektivisht nxënësit. Përkundrazi, mund të jetë shumë i mirë dhe e kundërta. Ka shumë keqkuptime në këtë drejtim, kurse dënimi dhe shpërblimi i mësimdhënësve nuk është objekti i këtij vlerësimi. Qëllimi është të shmanget fryrja e notave, një dukuri prej të cilës janë në hall edhe vetë mësimdhënësit. Duke vlerësuar drejt nxënësit, prindërit do ta kenë më të lehtë të orientojnë fëmijët e tyre në ato shkolla dhe fakultete për ku kanë afinitet dhe ku do të tregohen të suksesshëm. Prandaj, këtë proces duhet ta mbështesim të gjithë. Mirëpo, në mënyrën se si zbatohet, ka shumë dobësi të cilat duhet të shmangen dhe prandaj konsideroj se vlerësimi ekstern duhet të rikonceptohet me qëllim që të arrihet qëllimi final i tij, pra përmirësimi i cilësie së notimit të nxënësve. Ka lëndë, si gjuha shqipe për shembull, që nuk mund të vlerësohen vetëm me pyetje fikse për rregulla gramatikore apo të dhëna për jetën dhe veprën e një shkrimtari. Janë aftësitë krijuese, bukurshkrimi, shkathtësia oratorike që nxënësit duhet ti mësojnë me profesorët e gjuhës, por nuk ka se si të vlerësohen me testet e vlerësimit ekstern. Ka shumë gjëra tematike, të cilat duhet të rregullohen.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net