Kabashi: Skandali i ‘selfie’ të BDI-së është më i vogli
Publicisti, Gjakush Kabashi së fundmi ka komentuar rastin skandaloz me përmendoren e Metodija Sharlos që Artan Grubi i BDI-së bëri një foto “selfi” duke thënë se është e Nexhat Agollit, thotë se deputeti i Ali Ahmetit dhe BDI-ja ka bërë dhe gabime më të mëdha se ky skandal vazhdimisht.
Më poshtë ju sjellim shkrimin e plotë të Kabashit:
1. Është gabim më i madh kur je në pushtet dhe nuk informohesh zyrtarisht, por i merr informatat nga mediat, disa prej të cilave tenton t’i shkatërrosh komplet se e thyejnë skemën e tresheve të LPK-së.
2. Është gabim më i madh kur nuk e konfirmon informatën, ndonëse si personi në fjalë, profesor universitar dy doktoratura në përgatitje, duhet ta dijë se vërtetimi është baza e informimit.
3. Është gabim më i madh kur e bën llogari se zyrtarët shqiptarë të pushtetit shpejtojnë të dalin në syret pa e ditur se çka ndodh në realitet.
4. Është gabim më i madh kur kryeshefi i partisë nuk ka shkelur qoftë edhe një herë në sheshin e Shkupit për të parë se deri ku është urbanocidi i dostit të tij të koalicionit.
5. Është gabim më i madh kur priten monumentet shqiptarë në sheshin e Shkupit, që në fakt vetëm e amnistojnë krimin financiar dhe estetik të ushtruar pa asnjë kontroll.
6. Është gabim më i madh kur asnjë zë partiak nuk merr guximin të flet kundër projektit që e shëmton Shkupin dhe legjitimon figura fatkeqe, si ajo e Car Dushanit.
7. Është gabim më i madh kur qindra profesorë, asistentë e ligjërues universitarë nuk japin qoftë edhe një deklaratë kundër projektit kriminel Skopje 2014.
8. Është gabim më i madh kur partia dhe personi në fjalë i aktivizojnë portalet dhe profilet binjake me emra partiakë/ushtarakë që ta fshehin fiaskon e sheshtë.
9. Është gabim më i madh kur futet komplet makineria për ta mbrojtur njërin e partisë që gabon sa është i rëndë, por nuk janë askund për të shkruar mbi Gjorçe Petrovin ose Radishanin.
10. Përfundimisht, është gabim më i madh kur dihet se për gabimet personale kërkojnë falje menjëherë, por për dështimet që na marrin në qafë të gjithëve, nuk thonë as gjysmë fjale goje.





