Ahmeti: Jo në zgjedhje me këtë opozitë të dobët
|
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka folur në një bisedë me gazetën “Dnevnik” edhe në lidhje me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u përmenden si mundësi nga një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së.
Ahmeti thotë se partnerët e koalicionit nuk planifikojnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duke shtuar gjithashtu se ato nuk përbëjnë prioritet për shtetin, transmeton Zhurnal.
Ai ripërsërit qëndrimin e tij se për shtetin kanë rëndësi proceset e integrimit dhe kontesti i emrit, që megjithatë, siç vlerëson ai, kanë ngecur edhe për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
“Përse vendi do të shkonte sërish drejt zgjedhjeve të parakohshme? Asnjë rrethanë nuk është në favor, qoftë nëse bëhet fjalë për disa projekte dhe procese që janë në vijim, dhe që opinioni do të mund t’i shihte, qoftë në plan ekonomik dhe për disa vendime politike që afrojnë rajonin. Realisht, nuk kemi nevojë të shkojmë në zgjedhje me një opozitë shumë të dobët, edhe pse, e them pa ngurrim, ne do të kishim një rezultat ende më të mirë se në zgjedhjet e fundit”, shprehet Ahmeti.
Duke folur për 100 ditët e para të qeverisjes, Ahmeti pranon se në BDI ka pakënaqësi nga bilanci i deritanishëm dhe se, kjo pakënaqësi, është e pranishme te të gjithë partnerët e koalicionit.
“Në BDI ka pakënaqësi. Çdo hap që kemi ndërmarrë ka qenë shumë transparent. Vendimi ynë që t’u jepet përparësi në 6 muajt e parë proceseve integruese do të thoshte të shtyjmë çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, si çështje që ne do ta hapnim pas 6 muajsh. Atëherë nuk ishim të vetëdijshëm për situatën në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, por ishim në rrethana normale, të angazhuar për zgjidhjen e problemit me Greqinë”, thotë Ahmeti.





