Pasiguria e një mercenarizmi politik - tetova1.com

Pasiguria e një mercenarizmi politik


Kategoria: Opinione

Postuar më: Mër, Tet 1, 2014





Emin AZEMI

Maqedonasit po tregohen padronë të vërtetë të resurseve shtetërore e institucionale. Por pardon nuk mund të bëhesh nëse nuk ke të nënshtruar, pudhador dhe hallexhinjë të shkretë dhe sa më shumë të ketë të nënshtruar, puthadorë e hallexhinjë të shkretë aq më fodull bëhen padronët. Këta të fundit, jo rrallë dinë të tregohen dorëshlirë dhe zemërgjerë, varësisht se deri sa bie poshtë kurrizi i të nënshtruarve, paçka se në fund mund të ngelësh pa kurriz fare.
Që moti është ditur se vetëm në politikë askushi brenda natës bëhet dikushi. Por, tash së fundi e morëm vesh se edhe të qenit askushi paska çmim, kurse padroni është ai që ta jep çmimin. Mjafton ta shesësh lirë lojalitetin, sepse e ke të garantuar tregun e skaduar të vlerave.
Në Maqedoni shqiptarët kanë patur fatin e keq të përfaqësohen nga politikanë që mbi lëkurën e tyre të lirë të shkrujë testamentin për një popull të tërë, dhe kot qenkemi gëzuar se koha e Rrahman Morinës dhe Sejdo Bajramoviqit paska perenduar. Sot, po ndodhë repriza e një shëmtie që si produkt ka lojalitetin antikombëtar. Është kjo pra repriza e një mendësie që përmes faktorzimit klandestin, jashta të gjitha rregullave të përfaqësimit popullor, synohet të mbahet gjallë mercenarizmi politik.
Se çfarë ndihmese mund të japin përfaqësuesit e PDSH në një Këshill sigurie të një Presidenti që s’e njeh mbi 70 për qind e shqiptarëve, këtë mund ta dinë ata që kanë vendosur të nënshkruajnë vetëvrasjen e tyre politike. Fundja, pak rëndësi ka nëse ndonjë parti politike nesër zhduket nga skena politike. E tmerrshmja e kësaj kauze magjupçe është reprodukimi i sindromit të ‘shqiptarit të ndershëm’ dhe riciklimi i mendësisë së jeniçerllëkut në politikat brenda një shteti i cili në të ardhmen shqiptarët mund t’i trajtojë si bagëti që blihen lirë dhe lidhen aty ku u thotë padroni maqedonas.
Pasiguria e Këshillit të sigurimit, do t’i jep Ivanovit edhe një mandat të dyshimt me do truqe të huazuara nga nëntoka siciliane e shfrytëzimit të rivaliteteve brendashqiptare për objektiva që lidhje skanë me drejtimin e shtetit, por kanë lidhje me prapaskenat e një komploti.Mbase, ato objektiva mund të kenë efektin e përdorimit të shkurtër, por shqiptarët nuk janë aq trutharë sa të bëhen vegla qorre të kauzave private të politikanëve badihavxhinjë, të cilët humbjen në elektoratin e vet e kompenzojnë me një aksham pazar në ndonjë mejhane maqedone.

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net