Emri, Naumovski : Raundi i ri, deri në fund të vitit - tetova1.com

Emri, Naumovski : Raundi i ri, deri në fund të vitit


Kategoria: Lajme

Postuar më: Enj, Tet 2, 2014





Raundi i ri i bisedimeve për çështjen e emrit duhet të mbahet në fund të vitit. Pas reagimit të Ministrisë së Jashtme greke se Nimic priste konfirmimin e palës maqedonase për t’i ulur palët në tryezë, ambasadori i ri në SHBA Vasko Naumovski zbardhi se takimet e radhës duhet të ndodhin në fund të këtij viti, por pa dhënë datë konkrete. Gjatë prezantimit të rolit të tij si ambasador i Maqedonisë në SHBA dhe negociator në çështjen e emrit, ai nuk kurseu akuzat ndaj Greqisë për siç tha mungesën e motivimit për zgjidhjen e emrit.

“Në bazë të paralajmërimeve takimi i radhës në mes të përfaqësuesve të dyja palëve duhet të jetë në fund të vitit. Ne do të vazhdojmë t’i shpalosim mendimet dhe idetë tonë rreth çështjes së emrit. Në këto bisedime Maqedonia qaset me vullnet të mirë me qëllim që të kapërcehet dallimi rreth emrit, por përshtypja jonë është se tek fqinji jugor ka mungesë të motivimit për kapërcimin e këtij problemi”, deklaroiVasko Naumovski, ambasador i Maqedonisë në SHBA.

Megjithatë pak ditë më parë Ministria e Jashtme greke përgënjeshtroi akuzat e palës maqedonase për mungesë vullneti, dhe madje tha se Nimic pret përgjigje nga pala maqedonase për datën e bisedimeve.

“Venizelos theksoi se Nimic pret që përfaqësuesit e Ish Republikës jugosllave të Maqedonisë të konfirmojnë datat e mundshme për takimin e ardhshëm në Nju Jork, pasi ambasadori Vasilakis i pranoi datat e tetorit që fillimisht i pati propozuar Nimic”, thonë nga Ministria e Jashtme e Greqisë.

Nga ana tjetër Naumovski, shmangi të zbardhte nëse qeveria ka strategji për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“A keni marr strategji, platformë se si do të udhëhiqni bisedimet me ndërmjetësin Nimic, palën greke, çfarë do të prezantoni para autoriteteve amerikane, cili është qëndrimi i Maqedonisë?”, deklaroi Pavle Trajanov, Lidhja Demokratike.

“Për sa u përket udhëzimeve dhe platformave që i jep Ministria e Jashtme, Qeveria, Presidenti, natyrisht që si përfaqësues në ato bisedime kam marr udhëzime të qarta se cilat janë qëndrimet që duhet t’i prezantoj”, tha Vasko Naumovski, ambasador i Maqedonisë në SHBA.

Ambasadori i Maqedonisë në SHBA, Naumovski theksoi se do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit politik e ekonomik mes dyja vendeve, ndërkaq në qendër të aktiviteteve do të ketë edhe vendosjen e regjimit pa viza me SHBA-në. Semra Jakupi

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net