Ademi premton mënjanimin e gabimeve nga tekstet shkollore
|
Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi premtoi evitimin e shpejtë të gabimeve në tekstet e ndryshme shkollore, pas reagimit të Ambasadës së Kosovës. Ambasadori kosovar në Maqedoni, Ylber Hysa ka reaguar për një pjesë në librin e “Shoqërisë” për klasën e pestë, ku për flamurin e Kosovës thuhet se është i Greqisë. Sipas ministrit Ademi, gabimi nuk është teknik duke lënë të kuptohet se ky është një gabim i rastësishëm.
“Pas publikimit në disa media për përmbajtjen e teksteve, e veçanërisht për një gabim që dikush e quan teknik - që për mua nuk është gabim teknik - me flamurin e Kosovës ku thuhet se është i Greqisë, kam kontaktuar me ambasadorin e Kosovës me kërkesë të tij, dhe i shpreha atij gatishmërinë që ministria do të angazhohet për përmirësimin e këtij gabimi “teknik”, deklaroi Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.
Ademi madje tha se ky gabim dhe shumë të tjera do të evitohen së shpejti përmes ndërhyrjeve ligjore të cilat do të përfshijnë në veçanti librat që përmbajnë speficika të popujve që jetojnë në Maqedoni.
“Ne jemi duke punuar edhe në ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tekstet shkollore me qëllim që të krijojmë mundësi për përmirësimin e teksteve shkollore, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me specifikat e popujve që jetojnë në Maqedoni që kap historinë, gjuhën, kulturën, traditën e tyre këtu në Maqedoni”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.
Gabime drastike ka edhe në shumë tekste tjera shkollore, përfshi edhe ato muzikore, të cilat pavarësisht ribotimit të tyre, vazhdojnë të bartin të njëjtat gabime. Gjyltene Rexhallari





