Drejtori i SHF “Faik Konica”-Odër, kërcënon kryetarin e Bashkësisë Lokale
Drejtori i Shkollës Fillore, “Faik Konica”, të fshatit Odër, Rexhep Dauti ka kërcënuar mbrëmë përmes telefonit, kreun e Bashkësisë Lokale dhe anëtarin e këshillit të prindërve për shkak të denoncimit në Alsat të rastit me kushtet e mjerueshme në shkollë.
“Nga drejtori i shkollës pata një kërcënim përmes telefonit,mu drejtua se, kush e ka sjell Alsatin , por unë i thash se bashkë këshilli i prindërve ka sjellë vendimin për ta ftuar Alsatin se tjetër mënyrë nuk kemi se si të informojmë. Tash pas kanosjeve ne do të marrim masat tona dhe do i shtjellojmë me këshillin e prindërve në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet dhe nëse nuk reagojnë institucionet ne do sjellim vendim që ti ndalim nxënësit nga shkolla.”, deklaroi Mexhit Fejzuli, Kryetar i Bashkësisë Lokale.
Publikimi i lajmit në Alsat, lidhur me kushtet e mjerueshme të shkollës fillore ka alarmuar edhe kreun e komunës Isen Asani i cili u ka premtuar banorëve se do të ndërhyjë se paku në rregullimin e dyerve të shkollës.
“Është bërë premtim që ditën e hënë kryetari i komunës do vij vetë dhe do ndërtojë dyert.”, tha Fejzuli
“Ekipi i televizionit Alsat, tentoi ta kontaktojë përmes telefonit edhe kreun e komunës së Tearcës, zotëri Isen Asanin, por i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.”
Ndryshe, këshilli i prindërve dhe kreu i bashkësisë lokale të fshatit Odri, janë kërcënuar me bojkot të mësimit nëse deri të mërkurën nuk fillon meremetimi i objektit shkollon ku procesin mësimor e ndjekin rreth 200 nxënës.Bashkim Sulejmani




