Ramush Haradinaj uron Menduh Thaçin
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Menduh Thaçin për rizgjedhjen e tij në krye të Partisë Demokratike Shqiptare, në kongresin e PDSH-së, të mbajtur mbrëmë në Tetovë.
“Kam kënaqësinë që të përshëndes rizgjedhjen tuaj në krye të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni dhe t’ju uroj suksese të mëtejme në punën dhe angazhimin tuaj si lider i opozitës shqiptare në Maqedoni. Duke besuar në bashkëpunimin e mëtutjeshëm të ndërsjellë, në mes të dy subjekteve tona, dëshiroj t’jua shprehë përkrahjen time të plotë në punën dhe projektet tuaja për t’i çuar përpara proceset nëpër të cilat po kalon populli shqiptar në Maqedoni, si dhe në rrugën e Maqedonisë drejt integrimeve. Përkushtimi juaj për të fuqizuar edhe më tej prosperimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni, është një garanci e suksesit të vazhdueshëm të platformës suaj politike”, ka thënë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, në urimin drejtuar kryetarit të rizgjedhur të PDSH-së, Menduh Thaçit.





