Raporti i progresit, VMRO-ja fajëson Evropën
|
Bashkimi Evropian i ka bërë të qartë edhe njëherë opinionit në Maqedoni se rekomandimi i 6-të është marrë mes shumë vërejtjesh dhe kritikash. Ambasadori i BE-së në Shkup, Orav gjatë shqyrtimit të Raportit në komisionet parlamentare, ka tërhequr vërejtjen se Maqedonia nuk ka shumë kohë për të përmirësuar fushat ku është kritikuar.
“Kishte interpretime të ndryshme të rekomandimit ditëve të fundit. Do të doja të rilexoj se si kemi rekomanduar: “Duke konsideruar progresin që ka arritur vendi, Komisioni vlerëson se kriteret politike janë të plotësuara mjaftueshëm dhe qëndron në rekomandimin për hapjen e bisedimeve, POR shpreh keqardhje për hapat e bëra prapa gjatë vitit të kaluar”. Nuk keni kohë! Mendoj se të gjitha kritikat duhet të adresohen urgjentisht”, deklaroi Aivo Orav, ambasador i BE-së.
Megjithatë deputetët e VMRO DPMNE-së shpejt ndryshuan rolet në komisionin parlamentar, duke kaluar nga të kritikuar, në kritikues. Sipas Antonio Milloshovskit raporti është “paradoksal” ndërsa BE-ja ka bërë vlerësim të rreptë dhe të padrejtë. Edhe për Ilija Dimovskin, fajtor për qorrsokakun e vendit dhe raportin negativ janë të gjithë të tjerët përveç pushtetit, duke filluar që nga opozita e deri te vetë Bashkimi Evropian.
“Ndonjëherë ndihemi të diskriminuar për shkak se Maqedonia mban mbi shpatulla kriter që nuk e ka pasur asnjë anëtar i Bashkimit Evropian, dhe këtë e flasim sinqerisht sepse vlerësojmë se BE-ja ka përgjegjësi të njëjtë sikurse Maqedonia, për gjetjen e rrugëdaljes nga qorrsokaku”, u shpreh Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Për Zv/Kryeministrin Fatmir Besimi, kritikat e Brukselit duhen lexuar si inkurajim dhe besim i BE-së se Maqedonia mundet më mirë se kaq.
“Kësaj here duhet të pranojmë se nuk jemi shembulli më i mirë në rajon. Vetë kritika është shembull i të suksesshmëve, i atyre të cilët dinë dhe mund të bëjnë edhe më mirë. Besoj se e tillë ka qenë qasja e Komisionit Evropian kësaj radhe, duke besuar që Maqedonia mundet edhe më mirë”, tha Fatmir Besimi, Zv/Kryeministër.
Ambasadori i Bashkimit Evropian Aivo Orav ka bërë gjithashtu thirrje për rivendosjen e dialogut politik dhe kthimin e opozitës në Kuvend. Edhe pse deputetët e PDSH-së ende nuk janë paraqitur në Kuvend, Zv/Kryeministri Fatmir Besimi ka theksuar se paralajmërimet për kthimin e tyre janë hap pozitiv për rivendosjen e dialogut të shumëkërkuar nga Brukseli.
Benjamin Arifi






