Nota tresh për t’i shpëtuar dënimeve
Mësimdhënësit të cilët një herë u dogjën duke u dënuar me nga 15 për qind të rrogës, sepse vlerësimi ekstern 2013/2014 i nxori të paaftë për të notuar objektivisht nxënësit, ashtu si dhe që dëshirojnë ti shpëtojnë në të ardhmen këtij lloj dënimi, tanimë kanë një formulë. Zgjidhja ideale për të gjithë është të mos lëvizin nga “mesi i artë”, respektivisht t’u shënojnë nxënësve notën 3 dhe me këtë, sipas mësimdhënësit Ruzhdi Ibrahimi, është e sigurt se i ke shpëtuar dënimit. Ibrahimi, me mbi 37 vjet përvojë pune në arsim, thotë se mënyra se si Ministria e Arsimit është duke realizuar vlerësimin ekstren do të reflektohet negativisht në punën e mësimdhënësve. “Për të shpëtuar nga rreziku i dënimeve në fund të vitit, mësimdhënësit do të detyrohet të punojnë mesatarisht me të gjithë nxënësit. Do të shënojnë në masën më të madhe nota 3 dhe me këtë nuk do të jenë në listën as të atyre që do të shpërblehen dhe as të atyre që do të dënohen”, pohon ai. Ibrahimi, profesor i lëndës së Gjeografisë në “Zef Lush Marku”, nuk fsheh që edhe vetë ai ndodhet në listën e 24 profesorëve të dënuar dhe për këtë nuk ka përse ti vjen turp aspak. Sepse, siç thotë ai, që para tre viteve kam paraqitur në MASH të gjitha arsyet përse nxënësit bojkotojnë librat e Gjeografisë. “Është shumë normale që edhe unë si profesor i lëndës të mbështes bojkotimin e atyre librave të cilat fyejnë dhe ofendojnë shqiptarët dhe që propagandojnë teza pseudoshkencore për prejardhjen tonë”, shpjegon ai, ndërsa thotë se pavarësisht këtyre problemeve për të cilat është fajtore Ministria, e pësojnë profesorët.
“Pyetjet e vlerësimit ekstern janë përpiluar sipas librave të kontestueshëm dhe është shumë normale që nxënësit të mos dinë të përgjigjen për diçka, të cilën nuk e kanë mësuar”, shprehet Ibrahimi. Probleme të kësaj natyre, sikurse është pranuar radhazi nga disa ministra të Arsimit ka edhe me librat e Historisë, Muzikës, Artit Figurativ, Mësimit Qytetar dhe disa lëndëve të ngjashme, mirëpo MASH nuk ka bërë asgjë për të eliminuar problemin. As janë zëvendësuar librat me tekste të reja dhe as janë adaptuar pyetjet për nxënësit shqiptarë bazuar në librat prej të cilave kanë mësuar. Përveç kësaj, nuk ka asnjë garanci se testet e vlerësimit ekstern mund të vlerësojnë objektivisht nxënësin, thotë mësimdhënësi Idaver Ademi. “Të mos flasim pastaj për parregullsi tjera teknike, për kopjimet apo ndihmën që disa nxënës mund të marrin gjatë testimit dhe disa të tjerë jo”, plotëson Ademi. Ai, vëren gjithashtu se ka një përplasje të fortë mes ligjeve të arsimit dhe atij të punës. Me këtë të fundit, arsimtarët mund të dënohen nga dy deri në gjashtë muaj nëse puna e tyre bie ndesh me normat e arsimit dhe rregulloren e punës, ndërsa sipas Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, për shkak të vlerësimit esktern - mësimdhënësit kërkohet të dënohen 12 muaj, shpjegon ai. Drejtorët e shkollave, padyshim se kanë elemente të mjaftueshëm që të mos nënshkruajnë vendimet për dënimin e arsimtarëve, sepse mund të thirren në kontestet ligjore, respektivisht në Ligjin për marrëdhënie të punës. Mirëpo, problemi qëndron se shkollat kanë “drejtorë të telekomanduar”, sikurse shprehet Ibrahimi. “Nuk dua të keqkuptohem prej askujt, por në shumë shkolla, zgjedhja e drejtorëve nuk është bërë nga kolektivi, pra se ka treguar ndonjë vlerë. Kanë sjellë mbase për drejtorë djem të mirë, të ri, mirëpo problemi është se janë sjellë prej jashtë, nuk janë pjesë e kolektivit të shkollës. Si të tillë, sado djem të mirë qofshin, janë të detyruar ti zbatojnë urdhrat që u jepen nga jashtë. Nuk kanë mundësi ti kundërshtojnë urdhrat që u jepen dhe për më tepër nuk e njohin nga afër kolektivin e shkollës”, vëren ai. Sipas tij, nuk është rastësi që kohëve të fundit gjimnazit “Zef Lush Marku” nuk i dëgjohet zëri për asnjë padrejtësi që u bëhet mësimdhënësve apo arsimit në përgjithësi. Ende më tepër është vështirësuar situata në kohën kur ministrat janë shqiptarë. “ZLM si shkollë, u ka qëndruar çdo herë karshi të gjitha problemeve në kohën kur ministrat ishin maqedonas. Mirëpo tani që ministrat janë shqiptarë, jemi bërë thjeshtë të pafuqishëm, për arsye që përmenda më lartë si dhe për faktin se duke pasur punë me shqiptarë, punët shkojnë pak më vështirë”, pohon Ibrahimi, profesor me më tepër se 37 vjet përvojë pune në ZLM. Nga vlerësimi ekstern 2013/2014, në listën e të dënuarve të këtij gjimnazi ishin 24 profesorë, ndërsa në listën e të shpërblyerve vetëm dy. Gjysma e të dënuarve kanë parashtruar ankesa. Epilogu pritet të dihet pas disa ditëve.
/Laura Papraniku/








