Tetova po ngulfatet nga mbeturinat
Kjo është Tetova. Deponi mbeturinash në mes të qytetit. Përpos që llogaritet si qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë, Tetova po ngulfatet edhe nga mbeturinat. Qytetarët ankohen edhe për shëndetin e tyre. Ata të revoltuar kërkojnë zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit dhe ambientit.
“Më ndikon në frymëmarrja, dhembje koke kam qafa rrinë e mpirë gjithnjë marramendje kemi drejtpeshimi na humbet”.
“Në mëngjes më pengon shumë në frymëmarrje, sytë më djegin. Duhet edhe ajo të pastrohet normalisht se na pengon, të pastrohen deponia”.
“Për momentin të gjithë e ndjejnë atë pengesë të tymit të ajrit ndikojnë veturat fabrika e Jugokromit. Kërkoj nga komuna që të kenë kujdes të interesohen më shumë për këtë qytet ti punojnë të gjitha që i kanë premtuar”.
E para e qytetit të Tetovës Teuta Arifi iu bashkëngjit aksionit ‘Maqedonia pa mbeturina’. Jo për të larguar deponinë nga qyteti, por për të pastruar gjethet dhe cigaret në rrugë. Foli edhe për deponinë. Tha se pushteti qendror nuk ka paraparë mjete për këtë deponi. Prioritet sipas saj ka qenë ujësjellësi për Tetovën.
“Mjete nga niveli qendror nuk kemi për këtë stacion faktikisht mjetet për investime kapitale nga niveli qendror këtë vit ne i orientuam tek uji, duke i dhënë përparësi çështjes së ujit, ndërkohë që ne si komunë kemi ndarë mjete për stacionin e ngarkim shkarkimit”.
Përderisa Arifi nuk ka një zgjidhje për deponinë por edhe ndotjen e ajrit, matjet e ditëve të fundit në Tetovë, rezultuan të jenë 234 mikrogram grimca PM10 për një metër kub që e bën Tetovën një ndër qytetet me ajër më të ndotur në Evropë. Bashkim Sulejmani




