Futbolli s’duron improvizime, Shkëndija duhet të marë më të mirët
|
Shkrim nga Mahir Thaçi
Ndeshja e kthimit e 1/8 së finales së Kupës së Maqedonsië dhe humbja e Shkëndijës 3:0 nga Vardari ka hapur shumë dyshime për cilësinë e ekipit tetovar, në kushte kur pas vetes kanë një sponsor të fuqishëm si që është ‘Ecolog’. Verën e kaluar kur kjo kompani vendosi të marë në prehërin e saj Shkëndijën, të gjithë menduan se ky ekip do të shndrohet në një dominues të padiskutueshëm në futbollin e Maqedonisë, ndërsa kur më vonë një sponsor rus vendosi të hyjë në Vardar, më në fund u krijuan kushtet për një duel të fuqishëm të dy ekipeve ‘milionere’ në futbollin e Maqedonisë. Vitin e kaluar Shkëndija fitoi duelin me Vardarin, duke i rëmbyer pozitën që çonte në Evropë, ndërsa deri sa ‘milionerët’ luftonin për një vend në kualifikimet e Liga Evropës, kampion i dyfishtë doli Rabotniçki. Kjo ishte shenja e parë se nuk është gjithçka te paraja, pasi shumë e rëndësishme është përzgjedhja e lojtarëve që në atë moment ishte bërë më mirë nga Rabotniçki. Dueli i ekipeve ‘milionere’ duhej të vazhdojë në këtë drejtim dhe duket se Vardari në këtë moment fitoi këtë betejë. Deri sa skuadra nga Shkupi në mbrojtje ka dy ish-reprezentuesit Tanevski dhe Grnçarov, të kthyer të dy nga jashtë, njëjtë si ish-mesfushori i përfaqësueses së Maqedonisë Grozdanovski dhe ai aktual Gligorov, Shkëndija lejoi që në verë të shkatërojë gjithë atë që ndërtoi sezonin e kaluar. Ekipi që nën drejtimin e Shpëtim Duros vetëm në stinorin pranveror nuk la ekip pa mundur, përfshi këtu edhe Vardarin në Shkup, në verë i lejoi vetes që përpos trajnerit të mbetet edhe pa reprezentuesin Cuculi, pastaj sulmuesit Kurtishi dhe Fazliu, mesfushorin Shabani, ndërsa paraprakisht ‘humbi’ trurin e ekipit Nexhipin. Këtu u krijua diferenca e parë e madhe e Shkëndijës me Vardarin, ndërsa mos të flasim për atë që ‘kuqezinjtë’ tetovar duhej dhe mundej të bëjnë. Përveç futbollistëve të lartëpërmendur dhe që vendin e kanë në Shkëndijë, tetovarët për të qenë të denjë për titull dhe për të kaluar nivelin e Vardarit patjetër të mendojnë që të tyre të kenë lojtarë si Ferhan Hasani, Besart Ibraimi, Muhamed Demiri, Azgjan Alioski, Ostoja Stejpanoviq, Erjon Vucaj, Nijazi Lena, Muzafer Ejupi, Gentian Muça, Alban Hoxha, e kështu me radhë. Janë gjithë këto emra që Shkëndija pa problem mund t’i grumbullojë në gjirin e saj dhe kualiteti sigurisht do ishte mbi atë të Vardarit. S’do mend se nuk mund të jesh rival me një ekip që ka disa lojtarë me pagë mujore prej rreth 10 000 euro, deri sa të njëjtën nuk bën edhe ti! Diçka tjetër që është shumë e rëndësishme për Shkëndijën, është që kjo skuadër të ketë një ‘ligj’ që do vlejë tani e përgjithmonë. Pa dashur të hyjmë në përçarje nacionale, pasi sporti nuk toleron gjëra të tilla, Shkëndija duhet të ketë një vendim që në ekip të grumbullojë gjithmonë futbollistët shqiptarë më kualitativ gjetiu, ndërsa maqedonas apo të tjerë të huaj të angazhohen në skuadër vetëm nëse do jenë tre herë më kualitativ se sa ata vendas. Vetëm kështu do të mund të ecte përpara ekipi dhe do të formohej ‘Shkëndija Evropiane’ që të gjithë e ëndërojmë. E para, do kesh në ekip shqiptarët më kualitativ që do ja dijnë peshën asaj fanelle dhe e dyta, nëse ke në ekip jo-shqiptarët me kualitet të lartë, asnjëherë nuk do ketë problem me publikun për të pranuar ata njëjtë si vendasit. Kjo është dëshmuar në të kaluarën dhe mund të ndodhë edhe në të ardhmen. Shkëndija mundet dhe duhet të ecë në këtë rrugë. Ka sponsor të fuqishëm, ka publik të mrekullueshëm, ndërsa tani duhet të komponohen vetëm disa katrorë në mozaikun e funksionimit dhe shumë shpejtë dështimet nga Vardari do të t’i takojnë të së kaluarës dhe publiku më në numër në Maqedoni në vend të dështimeve, do të mburet ne sukseset e Shkëndijës së tyre.







