Ahmeti dhe Thaçi bashkë kundër opsioneve të treta politike
|
Deklarata e Liderit të BDI-së Ali Ahmeti se në Maqedoni nuk ka hapësirë për parti të re politike shqiptare është komentuar edhe nga analistët politik. Ata për Almakos thonë se është më se e qartë se Ahmeti dhe ThaçI janë të koordinuar kur bëhet fjalë për luftimin e alternativës së tretë. Sipas tyre, do të ishte shumë naïve që të presim q ëish enveristët -sot të vishen në petkun e demokratëve.
Analisti politik Xhelal Neziri thotë se është fakt se nuk ka hapësirë për një alternativë të tretë pasi tereni politik i shqiptarëve të Maqedonisë është i bipolarizuar. Sipas tij, është më se e qartë se Ahmeti dhe Thaçi janë të koordinuar kur bëhet fjalë për luftimin e alternativës së tretë, siç ishte rasti me RDK.
“Andaj mendoj se dy janë mundësitë për rikonfigurimin e skenës politike: e para, BDI dhe PDSH të përfundojnë në histori si PPD-ja duke u zëvendësuar nga lëvizje të reja pilitike. Dhe e dyta, të kemi rigrupim në dy blloqe apo koalicione, ku në njërën anë do të kemi koalicionin BDI-PDSH kurse në anën tjetër frontin e lëvizjeve të reja politike”, deklaroi për Almakos, analisti politik Xhelal Neziri.
Nga ana tjetër analisti Bujar Idrizi thotë se Ali Ahmeti ndjehet shumë komot sepse ka përballë një kundërshtar i cili gjatë 20 viteve nuk ka fituar asnjëherë zgjedhjet.
“Kur një funksionar i lartë i BDI-së me tha se ata në shtëpitë e tyre mbajnë foton e Menduh Thaçit dhe luten për jetëgjatësinë e tij politike, në vend se të dyshoja në këtë deklaratë të tij, e mora me shumë seriozitet dhe ma mori mendja se nuk është larg së vërtetës. Ali Ahmeti ndjehet shumë komot kur si kundërshtarin e vet kryesor politik e ka njeriun i cili asnjëherë gjatë 20 viteve nuk ka fituar në zgjedhje dhe që haptas koketon me shefin e shërbimit sekret. Prandaj nuk është e rastit kur Ahmeti shpejton që i pari të uron zgjedhjen e Thaçit për kryetar si dhe kur deklaron se nuk ka hapësirë për parti të tretë politike shqiptare”, thotë për Almakos, Bujar Idrizi, analist politik.
Sipas tij, do të ishte shumë naive që të presim që ish enveristët - sot të veshur në petkun e “demokratëve” të sillen si demokrat. Idrizi thekson se në pritje të shfaqjes së dronit politik, do të duhet disi të mbijetojmë situatën e sundimit të koalicionit të “engjëllit” dhe “dreqit”.
Ndryshe, gjatë një interviste në TV Klan në emsionin Opinion, kreu i BDI-së Ali Ahmeti mes tjerash tha se pavarësisht përpjekjeve, në Maqedoni nuk ka hapësirë për parti të tretë shqiptare.
“Në Maqedoni nuk ka shumë hapësirë për shumë parti politike të shqiptarëve. Unë mendoj se është shumë e dëmshme që shqiptarët të kenë një parti politike në Maqedoni, sepse do të burokratizohen dhe kriminalizohen, kurse dy parti shqiptare në Maqedoni është shumë reale dhe produktive për shqiptarët e Maqedonisë, kurse 3 parti politike është e dëmshme për shqiptarët e Maqedonisë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së. /Almakos









