Tetovë, Shtëpia e Kulturës edhe sivjet pa ngrohje?!
Edhe pse sezoni i ngrohjes ka filluar prej dy javësh, Ministria e Kulturës nuk ka lëshuar asnjë pikë nafte për Shtëpinë e Kulturës në Tetovë. Kalvari i problemeve në ngrohje për këtë institucion, vazhdon prej vitesh tashmë. Pavarësisht se aktivitetet janë të përditshme në këtë shtëpi kulture, nxehja qendrore ende nuk është lëshuar. Drejtori i kësaj Shtëpie, thotë se ka bërë kërkesë, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Si duket do përsëritet ajo e vitit të kaluar, dhe viteve më parë, mirëpo tash vërtetë është për keqardhje se sistemin e kemi të ri dhe është gjynah të mos ketë nxehje. Edhe sot e kësaj dite nuk ka të miratuara edhe pse ligjërisht duhet të miratohet një buxhet i tillë. Para ca ditësh kemi bërë kërkesën tjetër sepse tanimë kemi hyrë në dritë të kuqe, kemi shkel në këtë drejtim dhe besoj do kem ndonjë përkrahje por shihet se nuk do mund të kemi ndonjë lloj komoditeti. Aktivitetet i kemi planifikuar duke menduar se do ketë nxehje por besoj se në ndonjë formë do ia lidhim edhe këtij viti”, u shpreh Haki Fazliu, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Tetovë.
Nga ana tjetër, Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Kulturës Behixhudin Shehabi ka pranuar situatën, por u shpreh se çështja do të gjejë zgjidhje, qershorin e vitit të ardhshëm.
“Problemi me ngrohjen në këtë institucion bartet për çdo vit siç dihet. Gjatë muajit dhjetor të këtij viti mendoj se do të bëjmë ç`mos që të sigurohet pjesa tjetër. Besoj se këtë çështje akute për ngrohjen në qendrën kulturore në Tetovë do ta zgjidhim gjatë vitit të ardhshëm në kuadër të programit vjetor sepse siç dihet programi vjetor për institucione aplikohet dhe shqyrtohet në muajin e gjashtë”, tha Behixhudin Shehabi, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Kulturës.
Si pasojë e mos lëshimit të sasisë së duhur për ngrohje, Shtëpia e Kulturës ka ende borxhe nga viti i kaluar. Në të kundërtën, aktivitetet kulturore do ishin ndërprerë. Sipas drejtorit Fazliu, nëse edhe këtë vit do të tregohet e njëjta neglizhencë, Shtëpisë së Kulturës i rrezikohen fondet për mirëmbajtje, të cilat do duhet të riorientohen për blerje nafte.





