Vendimi i UEFA-s, gjë që nuk e prisnin shqiptarët
Liridona Kuçi - Shpesh kemi qenë popull i shtypur në shumë aspekte, por kurrë nuk na kishte rënë në mend se edhe në sport do të ndodh një gjë e tillë. Në orët e para të mëngjesit u zhdukën hamendjet rreth ndeshjes Serbi – Shqipëri. UEFA vendosi që pikët të shkojnë në favor të Serbisë, gjë që demoralizoi një pjesë të mirë të tifozëve shqiptarë. Pavarsisht fakteve, fotografive dhe videove të shumta që dëshmojnë se skuadra shqiptare deshi të realizojë një lojë të bukur dhe pa prapavija politike apo rraciste, skuadra serbe e deshmoi të kundërtën. Pas vendimit të UEFA-s del që zëvendëskryetari i Federatës Serbe të Futbollit Goran Milanoviq është shprehur i pakënaqur. Për tu habitur! Të shpejta ishin edhe reagimet e sportdashësve dhe futbollistëve shqiptar dhe te huaj për këtë vendim nëpër rrjetet sociale facebook, instagram, twitter, etj.. Por cka thonë futbollistët dhe gazetarët për portalin Tetova1?
Ish kapiteni i Shkëndijës së Tetovës, tashmë një prej futbollistëve më të dalluar në Partizanin e Tiranës, Ardian Cuculi mesa duket është njëri prej shumë shqiptarëve që nuk është ndarë I kënaqur nga ky vendim. I kontaktuar nga portali Tetova1, ai shprehet: “Sot UEFA dëshmoi dy gjëra: e para se nuk është institucion i pavarur nga politika, dmth politika ekziston në brendësi të saj dhe e dyta nga sot UEFA legalizoi dhunën nëpër stadiume. Si institucion u zbeh dhe humbi kuptimin e saj për motot “SAY NO TO RACISM” dhe “FAIR PLAY GAME”.
Me shumë mllef shprehet edhe Yll Hoxha, futbollisti i klubit futbollistik “Kukësi”: “Ishte një vendim skandaloz dhe i papritur për të gjithë ne. Duket qartë që UEFA është e implikuar në politikë. Ata morën një vendim sikur ne shqiptarët të ishim vendas dhe fajtor për të gjithë ata tifoz që u futën në fushë dhe sulmuan futbollistët tanë, mbi të gjitha ishte një pasiguri shumë e madhe për ta. Megjithatë, gjë shumë pozitive dhe e rëndësishme për popullin tonë është ngritja e flamurit mbi stadiumin e Beogradit”.
Poashtu të pakënaqur nga ky vendim janë edhe gazetarët, ata që ndjekin cdo ndeshje futbollistike dhe e komentojnë. Por cili ishte komenti i tyre këtë herë?
Fatos Dili, gazetar i sportit në Klan Kosova shprehet i pakënaqur dhe paksa i surprizuar nga ky vendim i UEFA-s: “Një vendim i tillë është në kundërshtim me atë që futbolli ka prezentuar prej që ekziston. Ështe një absurditet dhe i pa imagjinueshem se si skuadra që u sulmua dhe u fy të barazohet me ata të cilët thyen çdo rregull duke filluar nga Fair Play.
Raporti i gjyqtarit ishte qesharak dhe jo profesional, nëse ai ka ftuar që skuadrat të dalin sërish në terren pas gjithë asaj rrëmuje dhe hudhje të gjërave të forta e piroteknike, që ishte e pamundur të kthehesh në atë arenë jo të aftësive futbollistike, por të urrejtjes dhe racizmit, arbitëri është dashur ti ftoj te dhomat e zhveshjes dy skuadrat dhe nese njëra skuadër ka mungesë të paraqitjes në terren, gjyqtari me anë të biblilit do të kishte dashur ta përfundonte ndeshjen, por kjo gjë nuk ndodhi. Jam i befasuar se si jipet rezultati në favor të Serbisë dhe i mirren tri pikë asaj, ky vendim e bën 14 tetorin si të mos ekzitonte fare. Me këtë vendim Uefa veç që ka favorizuar Serbinë, ata kanë rregulluar edhe pozitën e Portugalisë dhe Danimarkës që Shqipëria nxorri rezultate pozitive”.
I pakënaqur ka mbetur edhe Mustafa Ademi, gazetar i sportit pranë Radio Televizionit të Maqedonise, redaksia në gjuhën shqipe: “Ky vendim është skandaloz dhe nuk e kam aspak të qartë në çka janë bazuar nga UEFA, me ne krye Michel Platinin. Cili është faji I Shqipërisë në këtë rast? Këtë gjë nuk e ka të qartë askush! Federata shqiptare me çdo kusht duhet të mbroj veten deri në fund dhe nëse duhet të apelojë edhe deri te gjykata e arbitrazhit sportiv (CAS). Ky vendim i UEFA-s nuk duhet pranuar në asnjë mënyrë, pasi Shqipëria nuk ishte organizatore e kësaj ndeshje dhe nuk ka asnjë arsye për të cilën duhet dënuar”.
Mes futbollistëve dhe sportdashësve shqiptarë, reagime të shpejta pati edhe nga figura të ndryshme publike për të cilët ishte një vendim absurd. Edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama duket se nuk e ka pritur këtë vendim. Në faqen e tij zyrtare në facebook ai shprehet se ky vendim është një padrejtësi që është bërë ndaj popullit shqiptar. E gjithë kjo ngjarje ka një prapavijë politike që nuk i shkon për shtati UEFA-s dhe Europës.
Tani pikëpyetja më e madhe është se cili do të jetë vendimi i Federatës të Futbollit Shqiptar? Do të tërhiqet nga ky kompeticion apo do të pres Sërbinë për ndeshjen e rradhës që do të realizohet ne Shqipëri? Na mbetet të shohim në ditët në vijim.
/ Liridona Kuçi/






