Bejta priti përfaqësuesit e EVN-së, zhvillohet rrjeti distribuiv i rrymës në Gostivar
Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta realizoi takim pune me anëtarin e Bordit drejtues të EVN Maqedonisë, Igor Gievski ku të pranishëm ishin edhe Dejan Millanoski - udhëheqës i Qendrës Energjetike në Gostivar dhe Hirisha Shaqiri – udhëheqëse e grupit “Kujdesi për konsumatorët” në QEK Gostivar.
Bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston midis të dyja institucioneve, bashkëpunim ky që shkon në interes të qytetarëve të Gostivarit dhe rrethinës. Në këtë takim u bisedua për investimet e kryera nga ana e EVN-së në rajonin e Gostivarit gjatë vitit 2014, por edhe investimet e planifikuara për vitin 2015.
“Ne sot biseduam për hallet dhe problemet që i kanë qytetarët. Unë si kryetar, qoftë në mandatin e parë qoftë tash në mandatin e dytë, me përfaqësuesit e kompanisë EVN kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë, e veçanërisht me ardhjen e drejtorit të ri në qytetin tonë z. Dejan, me të cilin kemi bashkëpunuar shumë mirë dhe gjithë këtë bashkëpunim ne e kemi bërë në interes të qytetarëve të Gostivarit. Si kryetar komune, u jam shumë mirënjohës për investimet që i bën kompania EVN në qytetin e Gostivarit për ta përmirësuar rrjetin e shpërndarjes së rrymës elektrike. Ne si komunë nuk kemi pasur shumë probleme, por bashkëpunimi ynë me udhëheqësinë e EVN-së në qytetin e Gostivarit, është shumë i ngushtë. Çfarëdo halli dhe problemi që kanë qytetarët, ne jemi në shërbim të njëri tjetrit 24 orë. Këtë bashkëpunim ne do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, që qytetarët të jenë sa më të kënaqur me shërbimet që i bëjnë përfaqësuesit e kompanisë EVN në Gostivar. E shfrytëzoj rastin që tu apeloj qytetarëve të Gostivarit t’i paguajnë faturat, për shkak se pagesën që e bëjnë, u kthehet në të mirën e gjithëve qytetarëve që jetojnë në komunën e Gostivarit”, theksoi kryetari Bejta.
Igor Gievski - anëtar i Bordit drejtues të EVN Maqedoni, tha se EVN-ja do të vazhdojë të zhvillojë dhe modernizojë rrjetin e shpërndarjes në rajonin e Gostivarit, me qëllim që të përmbushë kushtet e nevojshme për amvisëritë dhe industrinë. “Qëllimi ynë kryesor është që të gjithë të furnizohen me energji elektrike kualitative të sigurt”, u shpreh Gievski. Ai potencoi se për vitin 2015, EVN planifikon që të bëjë investime të reja në rrjetin e shpërndarjes në rajonin e Gostivarit dhe rikonstruktimin e rrjetit largpërçues në disa fshatra të zonës.
“Këtë vit do të ndërtohen trafo-stacione të reja në fshatrat Çegran, Balindoll, Zdunjë, Negotinë, në lagjen Pitarincë dhe në Zonën e 8-të. Janë planifikuar edhe rikonstruksioni i nëntë prej dhjetë trafo-stacioneve ekzistuese në rajonin e Gostivarit dhe do të rikonstruktohen në tërësi largpërçuesi i tensionit të mesëm Llakavicë-Kunovë-Tërnovë”, nënvizoi Igor Gievski, anëtar i Bordit drejtues të EVN Maqedonisë.
Zëdhënësja e EVN-së, Vlera Gjakova e prezantoi programin investues për zhvillim të rrjetit distributiv në rajonin e Gostivarit.
“EVN ka ndërtuar dy trafo-stacione të reja në fshatin Debresh dhe Dobërdoll, me çka është përmirësuar tensioni dhe sigurimi në furnizimin me energji elektrike te konsumatorët nga këto vendbanime. Është ndërtuar më shumë se 20 km rrejt shpërndarës i tensionit të mesëm dhe më shumë se 30 km nga rrejti ekzistues që është riparuar plotësisht. Janë ndërruar shtyllat e vjetra me të reja dhe janë ndërruar 220 shtylla të drurit me të reja prej betonit”, informoi zëdhënësja Gjakova.
EVN Maqedoni e ka rikonstruuar edhe rrjetin distributiv në rajonin industrial të Gostivarit me çka direkt e mbështet zhvillimin e zonës industriale. Investimi deri më tani ka rritur shumën në 250 mijë euro.





