Pas rebelimit të veteranëve të UÇK-së, shtohen kontrollet policore në rajonin e Likovës - tetova1.com

Pas rebelimit të veteranëve të UÇK-së, shtohen kontrollet policore në rajonin e Likovës


Kategoria: Lajme / TOP LAJM

Postuar më: Pre, Jan 23, 2015





Ditë pas “rebelimit” të veteranëve të UÇK-së në lidhje me pozitën e tyre në shoqëri dhe publikimin e kërkesave të tyre publike drejt Ali Ahmetit dhe qeverisë së Maqedonisë, në fshatrat e Kumanovës konkretisht në Sllupcan, DHP nën shoqërimin e forcave të mëdha policore ka kryer kontrolle dhe ka mbyllur shumë lokale të cilat nuk kanë respektuar ligjin për duhanin.

Në një fshat ku mungojnë kushtet minimale për jetë, pohojnë për “Lajm” banorë nga Fshati Sllupçan, banorët e kësaj ane bëjnë luftë për mbijetesë shteti kërkon respektim rigoroz të ligjeve, por nga ana tjetër nuk iu ndihmon në përmirësimin e infrastrukturës, kanalizimin, ujin e pijshëm e kështu me radhë

“Unë jam dakord me pasur kontrolle të zakonshme të DHP-së, por në moment kur ne si banorë të fshatit Sllupçan kemi kushte për mirëmbajtjen e një shitore apo lokali. Ne nuk i kemi kushtet minimale, s’kemi kanalizim, infrastrukturë të dobët, ndërkaq DHP kërkon që ne ti plotësojmë kushtet e tyre. Shteti kërkon përmbushjen e kushteve nga ne që jetojmë në baltë, pa ujë e pa kanalizim”, thotë për “Lajm” Selajdin Memeti, ish ushtar i luftës së 2001-shit.

Memeti nuk mohon faktin se këto aksione ushtrohet trysni tek ata që flasin hapur për problemet e banorëve dhe ish luftëtarëve. “Mundet gjithçka, mendoj se me këto aksionet më tepër tentojnë ta frikësojnë popullin. Unë kam qenë ushtar, familjarisht i kyçur në luftën e 2001-shit, kam dy kushëri invalid të luftës, fatkeqësisht asgjë nuk merret parasysh”, përfundon Memeti.

Publicisti Hadi Osmani aksionet e DHP-së me forcat e mëdha policore në Komunën e Likovës i cilëson si shtypje nga vet faktori politik shqiptarë në vend, ai në profilin e tij në rrjetin social facebook ka shkruar: “Veteranët e UÇK-së e kërkuan Ali Ahmetin ai na dërgoi policinë speciale, inspektorët dhe krejt shtetin. Atë që se bëri Lube Boshkovski në 2001, e bën sot Jankullovska pa asnjë problem. Jo jo jo Jankullovska, po na bën “komandanti” ynë Ali Ahmeti”.

Edhe përkundër shtypjeve të ndryshme veteranët e luftës nga rajoni i Kumanovës dhe Likovës nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre. Edhe përkundër injorimit të djeshëm të Ali Ahmetit një takim tjetër i mundshëm është dakorduar të mbahet më 31 janar.

 

KJO WEB FAQE HOSTOHET NE SERVERAT E GlobiSOFT.Net