Panik në komunën e Likovës: Bashkë me migrantët po trafikohet edhe drogë

Edhe pse prej datës 9 mars të këtij vit rrugët Ballkanike janë të mbyllura për emigrantët që vinë nga Lindja e Mesme, ata përsëri arrijnë që të depërtojnë në territorin e Maqedonisë. Po atë muaj policia e vendit e bastisi kampin e improvizuar të zbuluar nga TV21 në fshatin Vaksincë dhe Llojan.
Kamera jonë arriti të fiksojë edhe një kamp të ri të improvizuar në luginën e fshatit Llojan dhe Miratoc mes kufirit të Maqedonisë me Serbinë. I sheh duke ecur, i sheh duke i transferuar me traktorë apo dhe të vendosur e që presin në një kamp të improvizuar, të mbuluar me mushama e me najlonë.
Ata janë pa ushqim, pa veshmbathje adekuate, ndërsa ka zëra se në kamp shpërndahet drogë, se ushtrohet prostitucion. Vendi ku janë të vendosur këta persona, nuk është i rastësishëm, sepse pikërisht ky lokacion është rruga e vetme që emigrantët ilegalë e përdorin për të kaluar në Serbi.
Grupe të supozuara kriminale nga Iraku e Maroku, po qëndrojnë në fshatin Vaksincë dhe po përfitojnë përmes trafikimit dhe kontrabandës me refugjatët dhe imigrantët e sfilitur nga rruga e gjatë dhe vuajtjet. Ky djalë i të njëzetave thotë se për të arritur vetëm nga Idomeni i Greqisë deri në Vaksincë të Kumanovës, i është dashur t’u paguajë 900 euro trafikantëve.
TV21 kërkoi përgjigje nga Ministria Punëve të Brendshme për emigracionin dhe statistika sa emigrantë kanë kaluar kufirin, mirëpo nuk morëm përgjigje.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski në muajin mars kur u zbulua grupi i parë i emigrantëve në këtë zonë thoshte se kufijt ishin të sigurtë, ndonëse edhe atëherë tv 21 hasi në disa grupe imigrantësh ilegalë të cilët qarkullonin në fshatrat e Likovës.
“Në këtë periudhë kemi sfida serioze, të cilat janë edhe një rrezik edhe për Maqedoninë por edhe rajonin; kemi krizën e refugjatëve. Dhe në suaza të këtyre aktiviteteve është shtuar prezenca e policisë këtu, në rajonin e Kumanovës, Shkupit; E gjithë kjo që qytetarët të jenë më të sigurt”, theksoi Oliver Spasovski, ish ministër i punëve të brendshme.
Fshatrat Vaksincë dhe Llojan kanë qenë ndalesë e shpeshtë për emigrantëve, ndërsa banorët jo rrallë herë janë ankuar për shqetësim dhe probleme që ata kanë shkaktuar në fshatrat e tyre.