Muaz AGUSHI
Tërë opinioni i vendit por dhe më gjërë, për momentin sytë i kanë kah Tearca! Sepse, të dielën në Tearcë do të ketë rivotim dhe sipas shumë opinionistëve, analistëve e “istëve” të tjerë, Tearca e ka në dorë që të vendosë ose për Maqedoninë demokratrike ose për Maqedoninë diktatoriale!
Dikur Tearca konsiderohej si një gjysëm qytezeje, me të gjitha nishanet e duhura. Me stacion policor, ambulantë, postë, kishte pallat të kulturës, shkollë të mesme, sallë kinemaje. Ndërsa sot në Tearcë ka dhjetra bastore që e rrisin edhe më shumë fukarallëkun në këtë, tashmë katund të madh klasik, pa kanalizime e pa infrastrukturë, pa turizëm malor, pa sallë sporti, pa kënd lojrash, pa kushte për jetë dhe për pasojë, me një intensitet të madh të shpërnguljes së të rinjve shqiptarë në perëndim.
Në Tearcë klasat me nxënës shqiptarë po boshatisen trishtueshëm ndërsa pjesa tjetër e të rinjëve të ngelur në Tearcë janë që të gjithë me fakultete, me tituj shkencorë por, shumica absolute e papunë!
Tearca e tri xhamive dhe e disa kishave është 12 km larg Tetovës, shtrihet nën malin Sharri, në aksin rrugor Tetovë - Jazhincë. Shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, mbi 70 përdind, ndërsa pjesa tjetër janë maqedonas, turq dhe rom. Sipas regjistrimit të popullsisë nga viti 2002, në Tearcë jetonin 3974 banorë, prej të cilëve 2310 shqiptarë, 1080 maqedonasë, 512 turq, 54 rom, 4 serb dhe 9 të tjerë! Natyrisht, sot, këto numra kanë ndryshuar dukshëm, edhe atë në dëm të popullatës shqiptare si shkak i migrimit. Sot nuk ka ngelur asgjë nga ato nishane që e kategorizonin dikur si vendbanim-qytezë!
Në Tearcë as pushteti lokal dhe as ai qendror nuk kanë vënë dorë ndërtimi, avansimi, askujt nuk i ka interesuar për kushte bashkëkohore në këtë katund të shkretë.
Edhe në Tearcë në vitin 2001 krisi “pushka e parë” e UÇK-së, dhe tearcasit si çdo here ishin nga të parët të cilët ndihmuan në të gjitha format e mundshme UÇK-në, por më vonë i gjithë ky mund do të keqëpërdoret nga disa grupe interesi.
Dhe sot të gjithë presin që Tearca e zhytur në terr e skëterr të vendosë për “dritë”, ku në pyetje është përcaktimi për një deputet i cili ose do të lëvizë në të mirë të LSDM-së ose të VMRO-së, pra në të mirë të të dy partive që për këto 25 vite “demokraci” kanë “larë lesh” mbi kurriz të shqiptarëve, rrjedhimisht edhe mbi kurriz të tearcalive!
Qytetarët e Tearcës janë simpatizantë të partive të ndryshme, të cilat, tashmë janë duke bërë gara se kush do të ushtrojë ndikim më të madh tek ata për të dalur e për të vendosur për deputetin maqedonas! Por, le të hedhim një sy mbi platformat dhe programet partiake të partive maqedonase dhe të shohim se çka përmbajnë të njëjtat për shqiptarët! A përmendet diku termi “shqiptar”! Po për Tearcën?
Edhe një ditë aktivitet nga fushatat partiake. Pastaj heshtje zgjedhore! Këto dy ditë le të shfrytëzohen dhe le të marrin me shkrim garanci se kush nga partitë maqedonase do të pranojë që Tearcën ta shëndërrojë në DUBAI! Megjithatë, askush nuk mund ta besojë se këtë “zbukurim” do të mund ta bënte kjo garniturë qeverisëse e që tashmë është në një kolaps evident.
I ftoj bashkëfshatarët e mi që të kenë kujdes, të jenë vigjilent, sidomos në ditën e votimit, dhe të mos bijnë pre e skenareve tashmë të njohura për ne.
Zoti na ndihmoftë!
