Kryetari aktual i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka vendosur që të mos rikandidoj më për kryetar komune në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në këtë vit, shkruan Tetova1.
Arsyetimi i Izet Mexhitit përmes një letre publike ishte se ai ka vendosur që t`i jap hapësirë kuadrove të reja që të garojnë në zgjedhjet lokale në komunën e Çairit. Por Tetova1 mëson nga burime partiake brenda BDI-së se arsyeja e vërtetë e tërheqjes prej garës të Izet Mexhitit është frika nga humbja prej Lëvizjes Besa.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Lëvizja Besa bindshëm e mundi BDI-në dhe pritet që në zgjedhjet lokale ta marr drejtimin e Komunës së Çairit. Kjo është arsyeja e vërtetë, thuan burime brenda BDI-së, duke shtuar se Mexhiti ka pasur presion edhe prej anëtarësisë së partisë që të heq dorë prej rikandidimit.
“Të nderuar banorë të Komunës së Çairit,
Të nderuar votues të Bashkimit Demokratik për Integrim,
Para dymbëdhjetë vitesh, Kryetari i nderuar i partisë, z. Ali Ahmeti, më besoi pikërisht mua vizionin e tij politik për të ndërtuar një komunë me shumicë shqiptare në Shkup. Ju e legjitimuat këtë vizion përmes votës tuaj dhe mbështetjes masovike që më dhatë në zgjedhjet e vitit 2005. Nuk dyshuat për asnjë moment në aftësinë time, në përgatitjen apo në vendosmërinë për t’u bërë kryetar i një komune qe duhej ndërtuar nga zero, në një territor me shumë probleme të trashëguara e të rrënjosura me dekada në të shkuarën. Unë jam përpjekur që me modesti dhe urtësi prej një plaku, por me elan dhe kokëfortësi prej një të riu, që ta çoj në vend amanetin e Ali Ahmetit.
Për dymbëdhjetë vite, gjegjësisht tre mandate të njëpasnjëshme, bashkarisht jemi ballafaquar me problemet e përditshme, që nga ato infrastrukturore e ambientaliste, e deri tek bllokadat e presionet politike, protestat e përplasjet që shpeshherë rrezikonin të shkaktojnë edhe pasoja të rënda për shoqërinë tonë. Për këtë besim do t’u jem përjetësisht falëmnderues dhe mirënjohës Kryetarit Ali Ahmeti, strukturave ushtarake të ish UÇK-së në Shkup e më gjerë, strukturave politike të BDI-së, që nga këshillat vendorë e deri tek Kryesia e Përgjithshme e partisë, si dhe secilit votues veç e veç, që nga më i riu e deri tek më i moshuari.
Unë përherë kam besuar se shembullin më të mirë në shoqëri njeriu e jep duke u nisur nga vetvetja. Nëse duam të bëjmë ndryshime, ne duhet qenë ndryshimi që duam ta shohim tek tjetri, tek shoqëria, tek shteti.
Me këtë rast, dëshiroj të bëj publik vendimin tim për të mos kandiduar në zgjedhjet e ardhshme lokale për të drejtuar Komunën e Çairit. Pas tre manadatesh dhe dymbëdhjetë vjetësh, ka ardhur koha që t’u krijohet hapësirë dhe mundësi gjeneratave të reja të strukturës sonë politike për të dhënë kontributin e tyre me dije, aftësi dhe përgjegjësi.
Për mua ka qenë nder që kam bërë historinë si Kryetar i parë i një komune me shumicë shqiptare në Shkup, që doli si obligim nga Marrëveshja e Ohrit. Por tani është koha të tërhiqem, dhe me gjithë eksperiencën dhe dijen e fituar gjatë këtyre viteve, të radhitem si ushtari më besnik i Kryetarit të ardhshëm të Komunës nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.”, thuhet në njoftimin me shkrim të Izet Mexhitit./Tetova1/
