Mediat greke elozhe për Kaçen: PAOK rigjen “asin” shqiptar

Një asist i zgjuar, PAOK-u po rigjen shqiptarin”. Kështu shkruante dje gazeta më e madhe në Selanik, “Metrosport”, duke mos kursyer elozhet për mesfushorin e Kombëtares shqiptare. Pas një periudhe të gjatë në stol, Kaçe ka shkëlqyer me fanellën e PAOK-ut në dy ndeshjet e fundit, duke fituar menjëherë vëmendjen e mediave greke.

Skuadra selanikase ka marrë dy fitore radhazi në kampionat, ndërsa trajneri Vladimir Iviç, së fundmi i besoi një vend në formacion korçarit, shkruan Panorama Sport.

“Asi shqiptar shërbeu te golashënuesi Kitsiou në momentin e duhur, duke i dhënë mundësinë për ta goditur topin në kushtet më të mira. Duke pasur parasysh edhe minutat që pati në dispozicion, Kaçe u përgjigj në mënyrë pozitive, duke ndihmuar shumë skuadrën në fitoren e radhës”, citonte më tej gazeta selanikase.

Me vetëm katër ndeshje të aktivizuar këtë kampionat me fanellën e PAOK-ut, tashmë mund të thuhet se mesfushori po fiton formën e dikurshme, pikërisht në ekipin ku u bë i njohur dhe më pas u grumbullua për herë të parë në Kombëtare.