GJITHÇKA RRJEDH…

Ahmed R. Ramadani

“Pasha kohën!” (Kurani;103:1)

Πάντα ῥεῖ (PantaRhei) ështëthënia e famshme e filozofit të njohur para-sokratik grek Heraclitus (Herakliti), shprehur disa mijëra vjet më parë në Greqinë Antike.

Sot, vërtet, si kurrë më parë, aktualiteti i fjalëve të tij sa vjen e bëhet realitet i pakontestueshëm, realitet ky që identifikohet me vetë kohën që përjetojmë.

Rrjedh, dhe vetëm rrjedh, lëviz dhe ikën gjithçka fluturimthi… Rrjedh natyra, rrjedhin stinët, rrjedh rinia, rrjedh vetë jeta jonë, rrjedh Bota, rrjedh madje edhe vetë qenia dhe ekzistenca jonë…

Herakliti, “I Errëti” - siç e quanin bashkëkohësit në Antikitet, thënien e vet e shpjegoi kësisoj: “Nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin lumë.”; D.m.th. kur kthehesh te lumi për herë të dytë, uji i mëparshëm tanimë ndodhet larg; është një lumë tjetër, një ujë tjetër.

Ç’ështënë thelb domethënia e kësaj thënieje? Ç’mesazh bartin fjalët e saj? Ç’filozofi a urtësi ka struktura e ndërtimit të kësaj fjalie?

Në mijëvjeçarin e tretë, të cilin ka vite që e kemi shkelur, vërtetë thënia e Heraklitit është aktualizuar si kurdoherë më parë. Ç’është e vërteta, fjalët e mësipërme të Heraklitit aktualizimin e tyre e nisën që në mijëvjeçarin e dytë, me theks të posaçëm në shekullin XX: Ndryshuan (dhe akoma vazhdojnë të ndryshojnë)vlerat shpirtërore, kulturore, sistemet, rrjedhin e lëvizin trendët, kahet, etj., dhe ngriten e bien ideologji nga më të ndryshmet e më të mugëtat. Pikërisht gjithë këto ndodhën në fund-shekullin e XX dhe fillim-shekullin e XXI. Mbase me plot të drejtë shekulli XX nga shumëkush gjithandej globit u cilësua “Shekulli i Apokalipsës”: Shekulli më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit (dy Luftërat Botërore), shekulli ikrijimit të Perandorisë së Kuqe Komuniste, e cila për gjysmë shekulli terrorizoi gjithçka; si dhe shekulli i një varg vatrash të luftërave të tmerrshme e gjenocidit të pashembullt (Bosnjë e Hercegovinë, Ruanda). Historiani EricHobsbawm (1917-2012) bukur mirë e portretizon shekullin e XX në librin e vet “Epoka e ekstremeve, i rrëmbyeri shekull i njëzetë 1914-1991”; titull ky që plotësisht i shkon për shtati shekullit të XX.

Gjithçka rrjedh - dhe, njëmend po t’u futemi gjërave në brendi dhe po të thellohemi një çikëz më tepër, kemi për të ngelur të habitur dhe shohim se gjithçka që ekziston në mes të Tokës dhe qiellit (bile edhe në Gjithësi) rrjedh, ndryshon, dhe, vazhdimisht ecën… S’do mend se nëse tërë këtë ndryshim, gjegjësisht rrjedhje e analizojmë thellësisht, atëherë emërtimi i vetë Botës: Bota që rrjedh - druaj se nuk do të ishte edhe aq gjithëpërfshirës…

Në anën tjetër, në kundrimin filozofik të gjërave, PantaRhei është një metaforë tejet e fortë. Herakliti, kur rimori çështjen e shtruar në Μί̄λητος (Miletus): “Çfarë mbetet e pandryshueshme gjatë ndryshimit?”; U përgjigj: “Vetë ndryshimi.” Ndryshimi është të qenit e sendeve.

Me fjalë të tjera: Që nga krijimi i njeriut të parë në faqe të dheut, Adamit (Ademit), gjërat kanë nisur të rrjedhin (ecin) me rritëm e intensitet marramendës, sa që vetë rrjedhën, fare pa u hezituar, mund ta quajmë: Rrjedha e Madhe - rrjedhë kjo që gati-gati me intensitet akoma dhe më të sforcuar vazhdon të çanë shtegun dhe të hapëronmë tej, sa që në një farë mënyre, fare lirshëm mund të themi (pse jo dhe të pohojmë) se edhe vetë ne rrjedhim, ecim, dhe atë fare pa u ndalur, rrjedhje (ecje) konstante…

Gjërat kanë veçoritë e tyre: Ajo që dje ishte, nesër nuk është më. Ajo që pasnesër do të jetë, të nesërmen e së pasnesërmes nuk do të jetë më, do të shndërrohet në pluhur (varësisht nga vlera: ndoshta dhe në relikte të çmuar, që mbase me mall do të përkujtohet…)

Gjithçka është e përkohshme, relative, e ndryshueshme, kalimtare, përveç, nëse duhet të quhet me një emër ajo që është, ajo që nuk është as diçka që ndryshon e as diçka e përkohshme, atëherë flitet për të Përjetshmen ose për Njëshin. Njëshi dhe e Përjetshmja është ajo që nuk ndryshon: Krijuesi, Absoluti, Zoti.

Përkohshmëria vazhdon, e njëjta gjë ndodh edhe me vetë ne, gjegjësisht me jetën tonë: Lindim, jetojmë, gjallërojmë, dhe, më në fund ia lëmë lamtumirën fushëbetejës (për shumëçka të ashpër) të quajtur - jetë. E, e pas kësaj ata që akoma vazhdojnë të jetojnë thonë: Ndjesë pastë! Apo kujtimi për ne që ikim dhe e lëshojmë skenën tretet në hiçgjë…

PantaRhei - është hija jonë (pse jo dhe vetë qenia jonë) që bashkudhëton me (apo në ne), pjesë përbërëse e vetë substancës tonë, që as edhe për një të qindtën pjesë të së qindtës nuk ndahet nga ne…

Hija e thënies së Heraklitit në një farë mënyre (për ne të pakuptueshme) ndjek edhe fatin e Sizifit (Σίσυφος) apo atë të Prometeut (Προμηθεύς) (ku ta dish, gjithçka rrjedh, lëviz, ecën…) Fundja, vetë gjërat e kanë logjikën e tillë apo rrjedhën. Epo, ec e ndaju nga fjala rrjedhë, e cila kudo na shfaqet dhe shoqëron…

Ne, sot nuk jemi të djeshmit, kurse nesër do të përpiqemi të mos jemi të sotmit; kuptohet, ne dhe po të duam - nuk mundim të jemi konstantë (të pandryshueshëm) - kjo në aspektin organik, por në aspektin shpirtëror, moral, intelektual e kulturor gjithsesi që mundemi të ndryshojmë për të mirë.

Në gjithë këtë proces të quajtur RRJEDHË, përtej këtij luftimi dhe lëvizjeje të pandalshme, gjendet edhe një parim rregulli dhe ekuilibri. Sipas Heraklitit, ndeshja, lëvizja - nuk janë elemente të mbyllura në vetvete (si do të merren shpesh më vonë). Një nga elementet, që sundon këtu është zjarri, kuptohet zjarri jo krejt si material dhe si një fenomen shpërbërjeje, por një zjarr - që për të njëkohësisht është logosi. Logos- është një fjalë greke (λόγος) që do të thotë “arsye”, “logjikë”, “gjuhë”, “ligj”, “parim”, “shkencë”, etj. Logosi bën të sundojë një lloj ekuilibri, pra logosi është një parim rregullues.

Krahas kësaj, ekziston edhe një segment tejet i rëndësishëm, i cili, deri diku (pse jo, nëse shfrytëzohet deri në maksimum) mund të na jep njëfarë imuniteti karshi lëvizjes së gjërave, e cila tamam si Shpata e Demokleut qëndron mbi vetë ne dhe jetën tonë. Ky segment është koha.

Koha, si nocion bën pjesë në të ndryshueshmen (statiken), por, jo edhe në të pakapshmen, gjegjësisht në të paarritshmen: Sot, kur, për fat të keq, çdo kush dhe gjithçka shkel mbi çdo kë e gjithçka, kur Homohomini lupus është kryefjala e mijëvjeçarit të tretë, le të jetë koha - arma jonë më e fortë, kamxhiku që fshikullon PantaRhei-n, përkatësisht shfrytëzimi i saj (kohës) në maksimum, kuptohet shfrytëzim ky rrugës së ngritjes drejt më të bukurës, më ideales, më madhështores, më sublimes, të mirës së pafund…

Koha është pafundësisht e çmuar, e bekuar, e shtrenjtë dhe e shenjtë: Vetë Krijuesi, është betuar për kohën, sepse ajo është një nga krijesat mëmadhështore të Zotit dhe për shkak të rëndësisë që paraqet ajo në jetën enjeriut: “Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (Kurani; 103:1-3)

PantaRhei, pa çka se gjithçka rrjedh, ja sfida e saj, ja mburoja ndaj saj, ja mesazhi i të Përkryerit, Absolutit, Zotit.