Reshjet e mëdha të shiut që kapluan sot një pjesë të Malësisë së Sharrit dhe Tetovës, kanë shkaktuar sërish vërshime në fshatin Puroj të Tetovës. Dalja e lumit nga shtrati ka dëmtuar një pjesë të sistemit të ujësjellësit, urrës që u sanua pas vërshimeve të para dy viteve dhe disa objekteve afariste.
“Rasti ka ndodhur që në orën 16e30 minuta, rruga në Puroj është e bllokuar në të dyja anët kurse edhe pas dy orësh, deri në këto momente në ndihmë ka ardhur vetëm një makinë e zjarrfikësve dhe nuk duken organet tjera, ndërkohë llava prej balte siç e shihni po vazhdon të përparojë përpara dhe të bllokoj rrugën.
Përveç bllokimit të rrugës në të dyja kahet në pjesën e poshtme që e patë, e bllokuar dhe dëmtuar tërësisht është edhe rruga e epërme e fshatit Puroj, dhe ura e cila u rinovua pas vërshimeve të fundit. Sipas banorëve, është shkatërruar tërësisht edhe një pjesë e sistemit të ujësjellësit”.
Banorët kanë frikë natën. Ata shprehen se, sasia e ujit të lumit sa vjen e rritet ndërkohë që adresojnë kritika të ashpra për neglizhencë në drejtim të organeve kompetente.
“Lumi ka vërshuar jashtë shtratit por besoj nuk ka dëme në njerëz sipas informatave të mia rrjetin e ujësjellësit e ka dëmtu urat lartë janë të dëmtuara rruga Tetovë Jazhincë është bllokuar për momentin presim sa më shpejtë të merr masa Qeveria për pastrimin e rrugës kryesore. Siç duket koha në bjeshkë lartë, vërshime mund të ketë edhe gjatë natës”.
“Për momentin dëmet nuk i dimë, shihet edhe vet se është shumë dëm por vetëm materiale, në njerëz nuk kemi dëme fatmirësisht. Nuk kemi informata si do ia bëjmë gjatë natës sepse shumë shpejtë ndodhi kjo po do shohim si do organizohemi”.
“Para një ore ndodhi por kjo na erdh befasi se asnjëherë nuk ka mbajtur kaq gjatë ka një orë që vjen uji, përpara ishte 20 apo 30 minuta dhe ndalej por siç e shihni këtë herë është një befasi e rrallë. Vazhdon të mbushet edhe më shumë, por për fat të mirë pasojë në njerëz dhe në kafshë nuk kemi. Duhet patjetër ta mbajnë në kontroll se po të ndërhynë tashi do i hapin rrugën ujit edhe më shumë”.
Shefi i zjarrfikësve të Tetovës Uka Aliti, shprehet se, zjarrfikësit ndonëse kanë arritur në vendngjarje nuk mund të bëjnë asgjë për shkak të mungesës së makinave përkatëse. Ata kërkojnë nga drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim që të vij në ndihmë sa më shpejtë që është e mundur.
Njësia territoriale kundër zjarrit merr pjesë vetëm me fuqi punëtore, ne zjarrfikësit kemi dalë për rast nevojë për të evakuuar apo ndihmuar banorët. Jemi në lidhje edhe me anëtarët tjerë të shtabit të emergjencës të komunës së Tetovës që për çdo rast të ndihmojmë të jemi aty – deklaroi Uka Aliti. NJTKZ Tetovë.
Banorët po ashtu janë të shqetësuar edhe për fatin e disa barinjve që për momentin janë në bjeshke ku ka edhe të reshura të breshrit, ndërkohë që kontaktet me to i kanë humbur menjëherë pas reshjeve të shiut.
Bashkim Sulejmani
FOTO: https://www.facebook.com/tetovanews.info/posts/1330012167076926
