Kemi dëgjuar prej 4 vitesh, që Sali Berisha vishet me antiplumb. Shkak nuk është frika nga fëmijët e kopshteve dhe punonjësit e administratës, por sipas burimeve nga brenda eskortës së tij, frika e Berishës ka lidhje me historinë e tij të përgjakur me familjen “Haklaj”. Ka qenë Sali Berisha, personi i cili, thjeshtë dhe vetëm për egoizëm e cinizëm katundaresk, për të mos parë si “komandant” përveç vetes, askënd nga fiset apo njerëzit e Tropojës, ka sulmuar fisin “Haklaj”, i cili në vitet 1990-1999, u shfaq si fis dominues në Tropojë.
Për aq vite, sa Haklajt ishin gjallë dhe sundonin në Tropojë, për aq vite ka zgjatur dhe dueli mes tyre e Sali Berishës. Asnjë palë nuk ka hapur rrugë. Ndërsa Berisha kishte fuqinë e pushtetit dhe përdoret SHIK, polici, prokurori, gjykata e burgje, Haklajt kishin vetëm burrërinë dhe nevojën për të jetuar të qetë. Ndërsa Berisha, duke përdorur intrigat, i fuste në hasmëri e kurthe me pushtetin dhe spiunët e tij të paguar e instruktuar për përçarje, Haklajt vriteshin një e nga një në atentate.
Kaq ka mjaftuar, që Berisha t’i skedonte si armiq Haklajt, ndërsa Haklajt të shpallnin armiqësinë e përjetshme me Sali Berishën. Prej 22 vitesh, Sali Berisha nuk e ka hequr dhe nuk e heq dot mendjen nga Haklajt, duke përjetuar ankthin e hakmarrjes së tyre mbi veten dhe fëmijët. Ata i bëhen si hije dhe në gjumë. Tashmë, Sali Berisha është shtuar shumë në numër, si familje. Por edhe Haklajt paçka se të shuar krejt deri në vitin 2000, të mbeturit gjallë tashmë janë rritur e janë shtuar. Berisha e përjeton këtë realitet të frikshëm psikologjik, ndaj dhe vishet me anti plumb, ndaj dhe shoqëron familjen me forca të shumta speciale edhe kur shkon në plazh. Ai është futur “në gjak” me Haklajt dhe sipas zakonit, Berisha e di se çfarë ndodh, qoftë edhe pas 100 vitesh, siç njeh shumë raste hakmarrjeje shqiptare kanunore.
Pikënisja e armiqësisë së “Haklajve”, me PD dhe Sali Berishën
Deri ne fillimin e viteve ’90 familja Haklaj ishte një nga mijëra familjet e thjeshta të Tropojës, që jetonte “në punë të vet” dhe me “hallet e veta”. Ishte një familje e madhe, prej një fisi të madh e të nderuar në krejt Tropojën e më gjerë. I pari i familjes Haklaj, i mirënjohuri Isuf Groshi, ishte një nga burrat më të nderuar në Malësinë e Gjakovës, aq sa edhe sot kujtohen urtësitë dhe mençuritë e tij, në kuvendet e burrave dhe në kullat e kësaj malësie. I biri, është Muharrem Haklaj, babai i 14 djemve e nipave të vrarë. Pak muaj pas ardhjes në pushtet të PD dhe Sali Berishës në vitin 1992, Hamdi Haklaj dhe i vellai i tij, Halil Haklaj, arrestohen me urdhër të SHIK të Sali Berishës, me porosi të Sali Berishës, me akuzën e vrasjes me mjete të forta, të një ekonomisti në “Bajram Curri”. Dy djemtë e mëdhenj të Muharrem Haklajt, qëndruan 6 muaj në burg dhe u liruan për mungesë provash. Pas daljes nga burgu, të irrituar prej kësaj padrejtësie, ata aktivizuan krejt familjen dhe fisin “Haklaj” kundër politikës së Berishës dhe personalisht kundër Sali Berishës, duke marrë frenat e opozitës politike në këtë rreth e zonë. Këtë qëndrim, Sali Berisha nuk e priti aspak mirë dhe nisi sulmin ndaj tyre, me largime nga puna, kërcënime, arrestime, burgosje e përgojime deri morale. Nga ana e tyre, Haklajt, që faktikisht ishin familje dhe fis i fortë, iu kundërvunë ashpër Sali Berishës e PD-së. Armiqësimi i tyre me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën, faktikisht kishte arritur kulmin, kur Sali Berisha në atë kohë President Republike, kishte akuzuar dy vëllezërit Hamdi Haklaj e Halil Haklaj, për vrasjen e dy të rinjve në Malin e Shkëlzenit dhe kërkonte me çdo kusht arrestimin e tyre. Trazirat e vitit 1997 ishin një rast i mirë për Haklajt, për t`u pozicionuar kundër Sali Berishës. Eskorta e Sali Berishës u vu në shënjestër gjatë rrugës për në Bajram Curri, më 22 qershor të vitit 1997. Pasi zbritën nga trageti deri në Bajram Curri, Sali Berisha dhe Azem Hajdari u ndeshën në dy kthesa, me grupe të armatosura që hapnin zjarr në ajër dhe bënin thirrje që eskorta të kthehej pas. Policia hezitoi të lejonte vazhdimin e udhëtimit, por Sali Berisha urdhëroi hapjen e rrugës. Në pritë, sipas dëshmitarëve, ishte Feriz Kërnaja dhe Fatmir Haklaj.
Mitingu i 22 qershorit 1997, që futi “në gjak” Haklajt” me Sali Berishën
Sali Berisha, më 22 qershor 1997 ishte në Tropojë në një miting elektoral, ku Haklajt i prishën mitingun dhe iu vërsulën me sharje Sali Berishës, duke e quajtur të “pabesë e intrigantë, armik të shqiptarëve dhe përçarës e vrasës të tropojanëve”. Madje, i kanë sulmuar me armë edhe foninë e mitingut, duke mos e lejuar të zhvillonte aktivitet politik të qetë. Ka qenë Shkëlqim Haklaj, ai që ka denigruar Berishën në Tropojë. Pas kësaj, Sali Berisha nëpërmjet mikrofonit të mitingut, urdhëroi gardën dhe policinë ta arrestonin, por ata nuk vepruan. Pas skandalit, Sali Berisha, mbajti një fjalim publik inatçor, me thirrje kërcënuese e hakmarrëse kundër Haklajve, të cilin po e publikojmë të plotë: “Ju falënderoj dhe ju jap fjalën se më datën 29(qershor 1997) e mbrapa, bandat dhe banditët, kriminelët dhe fundërrinat do të marrin vendin që u përket. Ju jap fjalën se ju do të gëzoni rendin, do të gëzoni qetësinë, do të gëzoni dinjitetin që meritoni. S’do të mund t’ju nëpërkëmb kurrë kush, ju malësorëve trima. Do të shfarosim komunizmin, do të ç’rrënjosim komunizmin, farën e serbit, farën e përçarjes, farën e ndasive kombëtare. Do t’i them dy fjalë atij deputetit socialist. Në qoftë se mendon se do të marrë vota me kriminelë, jap fjalën para jush, se s’do ta gëzojë asnjë ditë, asnjë ditë, asnjë ditë! Ta dijë mirë fjalën time, unë mbaj mirë fjalën. Atyre, atyre që ju vranë juve nën breshëri, që ju vranë fëmijët tuaj nën breshëri me porosi të serbit dhe të Fatos Nanos, do tua tregojmë atë që meritojnë. Ju të jeni të sigurt se ne do fitojmë, se ne do rivendosim Shqipërinë atje ku është. Le të qëllojnë sot, edhe tetë ditë kanë afat, edhe tetë ditë. Pas tetë ditësh kanë fundin e turpit, fundin e historisë, fundërrina siç janë…. “Merrni masa për atë që u thashë. E dua me vete atë unë, e dua me vete atë unë. Ai do vijë direkt me ne …”(Urdhëron Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës për Shkëlqim Haklajn, që nuk ndalon së fyeri presidentin) Vëllezër e motra… “Merr Saliun, me të gjithë tani. Unë e dua, e dua të gjallë atë unë.”(Urdhëron serish Berisha truprojat dhe oficerët e Gardës). Vëllezër dhe motra, 29 qershori do të ndajë Shqipërinë nga rebelimi, do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara, do të rivendosë demokracinë, do të vendos dinjitetin, do të vendosë integritetin, do të vendosë unitetin kombëtar. Tropojas, Fatos Nano dhe Din Selimi ju vinë juve me horra, por ne do t’iu tregojmë vendin të gjithëve. Ju jap fjalën e nderit, do marrin vendin që meritojnë. Ata që mendojnë të marrin vota me serbin, do marrin atë që u ka dhënë gjithmonë Tropoja. Ata që duan të marrin vota me serbin, do ta paguajnë shumë shtrenjtë votën e serbit. Ju bëj thirrje vëllazërore socialistëve të Tropojës, të ndahen, të largohen nga bandat e serbit në Tropojë. Të largohen prej tyre, të bashkohemi bashkë për demokracinë, për dinjitetin, për Shqipërinë. Rroftë populli i Tropojës, rroftë Shqipëria! Vëllezër, unë kam ardhur sot te ju, të paraqes kandidat për deputet, njërin nga bijtë më të shquar të Malësisë së Gjakovës, tribunin e lëvizjes studentore për liri, zotin Azem Hajdari. Vëllezër, unë kam besim të madh te ju, asnjë votë serbit, asnjë votë serbit, votat demokracisë, votat Shqipërisë. “Nisi njerëzit ë. Nisi njerëzit që tani, se ajo është kategorike. Nuk dal nga Tropoja pa e marrë me vete atë unë” (Urdhëron serish eskortën e tij Berisha. Gjatë kësaj kohe Shkëlqim Haklajt i janë bashkuar dhe 4-5 persona të tjerë që shajnë presidentin). Vëllezër dhe motra, unë kam ardh sot te ju për të paraqit Xhevdet Mehmetin, një nga demokratët e parë të Partisë Demokratike në Tropojë. Unë jap fjalën se, unë jap fjalën se të dy deputetët tuaj do të punojnë pa u lodhur për të realizue të gjithë projektet që u ndërprenë nga rebelimi në Tropojë. Para së gjithash për të zhdukur bandat e ndyra, hajdutë e banditë, terroristë të shitur te serbi. Dhe pastaj do të sjellim te ju energjinë elektrike, shkollat dhe të gjitha. Rendin e çfarë ju nevojitet ju. Edhe njëherë, edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për këtë pritje madhështore. Ju siguroj se jam krenuar krenarë çdo herë me ju, se keni qenë dhe mbeteni krenaria ime. Dhe se përveç detyrimit ndaj jush nuk ndjej asgjë tjetër. Ju falënderoj për pritjen. Rroftë Tropoja! Rroftë Shqipëria! Rroftë uniteti kombëtar! Rroftë demokracia! Pas këtij mitingu ish-presidenti Berisha, tani kryeministër i Shqipërisë, nuk ka shkuar më në Tropojë”.
Letra e Fatmir Haklajt, drejtuar Sali Berishës
Duke e ndjerë lakun që i ishte ngushtuar së tepërmi Fatmir Haklaj boton në një të përditshme një letër të hapur për akuzat e bëra ndaj tij nga opozita dhe lideri i saj Berisha. Haklaj fajësoi Berishën se ishte urdhëruesi i atentateve ndaj tij dhe vëllezërve të vrarë. Ai e akuzoi ish-presidentin se ishte përgjegjës dhe për vrasjen e Azem Hajdarit. Prova ku Fatmir Haklaj mbështeste akuzat e tij ishte një kasetë e regjistruar gjatë mitingut të PD-së më 22 qershor 1997 në Bajram Curri. Një ditë para këtij mitingu mbeti i vrarë ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj, djali i xhaxhait të Fatmirit. Përpara se të niste mitingu në sheshin “Kosova” të Bajram Currit, ku pritej prezantimi i dy kandidatëve të PD-së për Tropojën, liderit të dhjetorit Azem Hajdari dhe Xhevdet Mehmetit, ndodhi një incident që e acaroi së tepërmi situatën. Vëllai i vogël Haklajve, Ylli, qëlloi me kallashnikov impiantin e fonisë nga ku do të fliste presidenti Berisha, duke e nxjerrë atë krejtësisht jashtë përdorimit. Presidenti Berisha hyri në Bajram Curri me masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga dhjetëra trupa të Gardës dhe mbështetës të PD-së.
Speciale nga gazetari investigativ Artan Hoxha, Dosja ‘Tropoja’. Vrasja e Ram Hoxhës, mik i Berishës, mesazh i Haklajve për bashkëqytetarin e tyre Sali Ram Berisha. Arratisja e Hamdi Haklajt pas riardhjes së Berishës në pushtet dhe arrestimi më 12 mars 2007 nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Shkatërrimi i kullës me tritol, hakmarrja e radhës ndaj familjes Haklaj.
Artan Hoxha: Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin, 80-vjeçari Muharrem Haklaj, përballë hasmëve që tashmë ishin në pushtet, mori arratinë jashtë vendit.
Plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetime të djemve të tij të vrarë dhe iku nga Shqipëria, duke u betuar për marrjen e hakut të fëmijëve të vrarë.
Emri i Hamdi Haklajt gati ishte harruar fare deri më 10 qershor 2004, kur ai u rishfaq sërish për të treguar se ishte ende gjallë. Vëllai i madh i Haklajve, Hamdiu, u hakmorr për vrasjen e vëllait të vogël të tij, Ylli Haklajt. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:45 në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, pranë lagjes Hoxhaj të fshatit Kërnajë. Viktimë e kësaj prite ishte Ram Hasan Hoxha, ndërkohë që u plagos rëndë me një plumb në kokë, mbesa e tij, Fatmira Zenel Hoxha, e cila vdiq tre ditë më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ram Hoxha 69 vjeç, së bashku me gruan dhe disa të afërm të tij, ishin nisur për ngushëllim në një vdekje që kishte ndodhur dy ditë më parë në lagjen Hoxhaj të fshatit Kërnajë, ku banon edhe familja e Haklajve. Këta të fundit duket se e kanë pritur këtë rast dhe nuk e kanë lënë t’u ikë nga duart.
PRITA
Viktima dhe familjarët e tij lanë fshatin dhe iu drejtuan një rruge këmbësorësh, por në vendin e quajtur Qafa e Rumikut, atyre ua ka prerë rrugën një person me shtat të fuqishëm dhe i veshur me uniformë ushtarake (kamuflazhi). Personi i veshur me uniformë ushtarake nuk e ka zgjatur, por ka qëlluar me të vetmin qëllim, për të vrarë Ram Hoxhën që ka vdekur menjëherë nga plumbat e shumtë që ka marrë. Në këtë ngjarje u plagos aksidentalisht me një plumb në kokë edhe Fatmira Zenel Hoxha, mbesa e viktimës dhe vajza e vëllait të tij. Policia lokale e mbështetur edhe nga dy grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin të stacionuara në Tropojë, nisën një operacion kërkimi menjëherë sapo morën informacionin për ngjarjen. Sipas policisë vendore rezultoi se, në vendngjarje përveç dy viktimave ishin dhe Rexhep Hoxha, Valmira Hoxha, Servete Hoxha, Zenel Hoxha, Nafie Hoxha dhe Adem Sadiku. Policia pasi mori deklarimet e dëshmitarëve okularë, arriti në përfundimin se objektiv i kësaj prite ishte vetëm Ram Hoxha, ndërsa mbesa e tij u plagos aksidentalisht. Në vendngjarje u bllokuan në cilësinë e provës materiale 15 gëzhoja model 56, identike me ato që përdoren për automatikun tip Kallashnikov.
MESAZHI
Disa orë më vonë u shpall në kërkim Hamdi Haklaj. Ram Hoxha kishte lidhje farefisnore me Rasim Lumneshin, i ekzekutuar gjatë atentatit të kryer nga motra e vogël e Haklajve. Me vrasjen e Hoxhës, Hamdiu i kishte çuar një mesazh ish-presidentit Berisha, pasi viktima ishte njëkohësisht dhe mik i familjes së tij. Hamdiu e akuzonte Hoxhën se kishte ndihmuar komandon e cila vrau me snajper Ylli Haklajn dhe ndërmori disa sulme të tjera ndaj kullës së tij. Qysh nga kjo ngjarje silueta e Hamdi Haklajt nuk u shfaq më, deri më 12 mars 2007 kur u arrestua nga agjentët e Interpolit në Goteborg të Suedisë. Urdhri i arrestit në mungesë për Hamdiun, u lëshua nga gjykata më 17 maj 2005, gati një vit pas vrasjes së Qafës së Rumikut. Vëllai i madh i Haklajve është duke u gjykuar në mungesë, ashtu si e motra, Zylfija, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë dhe ende nuk është provuar autorësia e tij për vrasjen e Ram dhe Fatmira Hoxhës. Drejtësia suedeze ka refuzuar kërkesën për ekstradim të Hamdi Haklajt të bërë nga shteti shqiptar me motivin se atij i rrezikohet jeta nëse kthehet në atdhe, ku për më tepër është akuzuar politikisht pa u cilësuar fajtor nga gjykata. Pas kësaj ngjarje, policia e Tropojës mori disa denoncime për tentativa që u bënë nga persona të armatosur, të cilët synonin të godisnin motrën e madhe të Haklajve, Aishen, drejtoreshë shkolle në Bujan, si dhe familjen e saj. E detyruar nga këto denoncime Ministria e Brendshme urdhëroi policinë e Tropojës të merrte masa për të siguruar jetën e Aishe Bashës dhe familjes së saj që banonin në fshatin Dojan.
KËRCËNIMI
Ndërrimi i pushtetit më 3 korrik 2005 dhe ardhja në krye të vendit e opozitës që drejtohej nga ish-presidenti Berisha, u kthye në një ogur të keq për të mbijetuarit e Haklajve. Muharrem Haklaj e kishte akuzuar vazhdimisht Berishën si njeriun që qëndronte pas komandove vrasëse të djemve të tij. Më 19 shtator 2005, vetëm katër ditë pasi qeveria Berisha bëri betimin para presidentit Alfred Moisiu, Muharrem Haklaj nxitoi të merrte arratinë për tu larguar së bashku me familjen nga kulla e fortifikuar në fshatin Kërnajë të Tropojës. Pavarësisht moshës së thyer, afër të 80-tave dhe sëmundjes së bashkëshortes së tij, plaku i Haklajve mori nipat dhe mbesat jetimë të djemve të tij të vrarë dhe iku një orë e më parë prej Shqipërisë. Ai e motivoi këtë largim, të detyruar, për t’i mbijetuar eliminimit fizik që i kërcënohej jo vetëm atij por dhe fëmijëve të familjes. Ngjarjet që rrodhën pas largimit të Haklajve nga Shqipëria i dhanë plotësisht të drejtë për zgjidhjen që kishte bërë. Plaku i familjes Haklaj tha për medien se u largua menjëherë pas formimit të qeverisë Berisha në mes shtatorin e vitit 2005. “E dija se çfarë më priste, jo vetëm mua, por të gjithë, deri dhe nipat e mbesat e vogla, jetimët e djemve të vrarë. Duke mos parë rrugëzgjidhje tjetër, vendosa ta braktisja kullën në pleqëri”, tregon Muharremi.
SULMET
Pak javë pas largimit të pjesës së mbijetuar të familjes Haklaj nga kulla e fortifikuar rrëzë të Shkëlzenit, nisën një seri atentatesh me snajperë dhe mitraloz të rëndë që synonin të godisnin, personin i cili u la në ruajtje të kullës bashkë me familjen e tij. Më 19 shtator 2005, plaku i Haklajve nënshkroi një kontratë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kullës me një të afërm të tij, Manush Selivradën, nga fshati Bradushnicë. Selivrada u vendos në kullë së bashku me familjen, nënën në moshë të thyer, gruan dhe katër fëmijët e vegjël. Pasi u njoftuan për largimin e Haklajve, kundërshtarët e tyre tashmë të mbrojtur dhe nga të sapoardhurit në pushtet, u hodhën në veprim. Fillimisht ata goditën njerëzit e afërt të Haklajve, që i kishin furnizuar me ushqime apo që kujdeseshin për pronat e tyre për të pastruar terrenin para se t’i jepnin dorën e fundit kullës së fortifikuar.
ANTITANKU
Të enjten e 20 tetorit 2005, një furgon i dy tregtarëve të vegjël që udhëtonte në rrugën Bajram Curri-Qafë Morinë u qëllua me antitank dhe mitraloz të lehtë. Ngjarja ndodhi në mbrëmje rreth orës 22:00. Autorët ishin të fshehur pas një bunkeri, në krah të rrugës që të çon për Qafë Morinë, afër fshatit Ahmataj. Ata kishin si objektiv një nga nipat e Haklajve pasi e përzgjodhën pikërisht furgonin e tij, nga tre mjete që po ecnin në autokolonë njëri pas tjetrit. Për fat të mirë predha e antitankut që goditi furgonin, u zhyt poshtë ngarkesës me gështenja, duke u shpëtuar jetën dy tregtarëve. Më pas, autorët e pritës hapën zjarr me mitroloz të lehtë, por pa ia arritur qëllimit. Lirim Nukshiqi 32 vjeç, u plagos rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Prishtinës, ndërsa nipi i Haklajve, Blerim Lanaj pati vetëm plagosje të lehtë. Pas këtij atentati nipat e Haklajve u larguan nga Tropoja për t’i shpëtuar vdekjes së sigurt, pasi policia as që e mori mundimin të zbulonte autorët. Përkundrazi, u dha versioni se poshtë gështenjave, pronarët e mjetit kishin shpërthyer aksidentalisht një bombël gazi.
ATENTATI
Gjashtë javë nga ky atentat u krye një tjetër pritë, këtë radhë në mes të ditës dhe vetëm dy kilometra nga qyteti i Bajram Currit. Më 7 dhjetor 2005, rreth orës 15.30, fuoristrada tip Toyota “Land Kruisser”, me karroceri e ngjyrë të bardhë, ish-pronë e Ylli Haklajt, u godit me breshëri kallashnikovi sapo del nga qyteti i Bajram Currit në drejtim të fshatit Markaj. Atentatori ishte fshehur brenda një tuneli që ndodhet pranë urës së Shudenicës. Në Toyotën e Ylli Haklajt, udhëtonin vjehrri i tij, Gani Zeneli 70 vjeç, me dy djemtë. Në timon ishte djali i madh i Ganiut, Besnik Zeneli, ish-polic i komisariatit të Tropojës, që punonte në zjarrfikëse dhe djali i vogël, 18-vjeçar që kthehej nga gjimnazi. Gani Zeneli ishte administrator i “Bingo Gashi” në qytetin e Bajram Currit, pronë e plakut të familjes, Muharrem Haklaj dhe Petrit Brahës. Atentatori ka qëlluar një breshëri të tërë mbi Toyotën duke e bërë shosh nga plumbat, por manovrimi i shpejtë i Besnik Zenelit dhe fati bëri që të mos ketë asnjë viktimë. Atentatori ia ka dalë të çajë njërën gomë të Toyotës, por nuk ka mundur t’i afrohet asaj, pasi plaku Gani Zeneli, i është kundërpërgjigjur me një breshëri kallashnikovi nga ndenjësja e pasagjerit.
ÇARMATOSJA
Pa u zbardhur 9 prilli i vitit 2006, trupat RENEA të mbështetura nga mjete të blinduara rrethuan kullën e Haklajve. Ata hynë në ambientet e brendshme të kullës shekullore me një informacion se në banesë ndodheshin Hamdi e Zylfije Haklaj të shpallur në kërkim me vendim të gjykatës. Në banesë ndodhej vetëm Manush Selivrada dhe familja e tij. Gjatë kontrollit trupat RENEA gjetën një arsenal të tërë armësh dhe paisjesh luftarake të djemve të vrarë të familjes Haklaj. Ata bastisën çdo cep të kullës për ta çarmatosur tërësisht atë. Muharrem Haklaj akuzoi nga jashtë vendit kryeministrin Berisha dhe njerëzit e tij se po kërkonin të hakmerreshin edhe ndaj kullës së braktisur. Disa ditë pas kontrollit në Kullë, u përjashtua nga radhët e policisë së kryeqytetit vajza e motrës së madhe të Haklajve, Arlinda Basha, vetëm pse ishte mbesa e Hamdi e Zylfie Haklajt. Fakti që ajo kishte qenë gjithnjë korrekte në punë, madje sapo kishte fitur testimin për një detyrë më të lartë, nuk i duhej askujt.
SULM KULLËS SË HAKLAJVE
E çarmatosur nga forcat RENEA kulla e Haklajve mbeti thjeshtë një objekt po mbrojtje. Por kundërshtarët e tyre e donin atë tërësisht të rrafshuar. Për tia arritur këtij qëllimi ata duhej të largonin më parë Manush Selivradën dhe familjen e tij nga Kulla. Tani ata nuk kishin me frikë se mund të goditeshin nga rojet e kullës, pasi policia u kishte marrë çdo armë që kishte gjetur. Fillimisht Manush Selivrada 46-vjeç, u kërcënua me telefonata anonime të largohej nga kulla se do ta vrisnin. Më pas u qëllua dy herë me snajper. Paraditen e 18 qershorit 2006, rreth orës 10:30 ai u qëllua me snajper nga kodra me pisha pranë kullës. Objektivi i autorëve të sulmit nuk ishte ta vrisnin, por ta trembnin të largohej. Një muaj më vonë më 18 korrik, Manushi u qëllua serish me snajper, në orën 8.00 të mëngjesit. Këtë radhë plumbat i vërshëllyen më afër se herën e parë. Duke parë këmbënguljen e tij për të mos u larguar nga kulla, komando e panjohur vendosi të sulmonte me armë kundërtanke duke rrezikuar seriozisht shfarosjen e të gjithë familjes Selivrada.
Mesnatën e 24 korrikut 2006, Kulla e Haklajve u godit tre herë me antitank duke i shkaktuar dëme serioze në çatinë e saj.
Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz, pasi në momentin që u bë sulmi, ndodheshin tetë persona në banesë dhe mes tyre ishin katër fëmijë. Pas këtij sulmi Manush Selivrada u largua nga kulla duke e lënë atë në mëshirë të fatit, pasi në të kundërt rrezikonte të gjithë familjen e tij.
AISHE HAKLAJ
Një javë pas sulmit me antitank, motra e madhe, Aishja, e vetmja pjeswtare e familjes Haklaj që vazhdonte të lëviste lirisht, mori disa ustallarë dhe e riparoi çatinë e kullës. Por ky veprim vetëm sa i irritoi njerëzit e komandos që donin ta fshihnin nga faqja e dheut banesën shekullore. Mbrëmjen e të dielës së 13 gushtit 2006 rreth orës 22.00, pesë persona të armatosur dogjën kullën shekullore të familjes Haklaj në fshatin Kërnajë të Tropojës. Ata iu afruan kullës së fortifikuar nga pjesa lindore e saj dhe më pas u ngjitën në murin rrethues duke prerë telin me gjëmba. Të informuar mirë se në kullë nuk ndodhej askush, zjarrvënësit kanë pasur problem vetëm rezistencën e katër qenve të cilët i kanë neutralizuar me mjete rrethanore. Kulla e Haklajve është spërkatur me lëndë djegëse nga themelet deri në çati dhe më pas i është vënë zjarri. Ndërhyrja e zjarrfikëses dy orë më pas ka shpëtuar vetëm odën e pritjes, e cila ndodhej në një godinë njëkatëshe ngjitur me kullën, ndërtuar vitet e fundit. Kjo ishte hera e dytë që digjej kulla 200 vjeçare e Haklajve. Për herë të parë ajo ishte djegur nga ushtria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore
SHKATËRRIMI I KULLËS
Pas këtij sulmi Aishe Basha foli për mediet duke thënë se personat që i vunë zjarrin kullës ishin të mbrojtur nga policia. Ajo fajësoi kryeministrin Berisha se vrasësit e vëllezërve të saj ishin shpërblyer duke u graduar në detyra të rëndësishme në radhët e Policisë së Shtetit. Kundërpërgjigja erdhi flakë për flakë. Më 16 shtator 2006, e njëjta komando vendosi që ta mësynte dhe njëherë kullën e Haklajve, këtë radhë për ti larë hesapet përfundimisht me të. Autorët, që gjithmonë mbetën “të panjohur” për policinë, edhe pse vepronin haptazi, nuk u kursyen kur e minuan atë me 70 kilogram eksploziv. Nuk dihet sa orë i është dashur xhenierit që të realizojë lidhjet e eksplozivit, por nëse e gjithë sasia prej 70 kilogramësh do të ishte ndezur, atëherë nuk dihej çfarë pasojash mund të kishte sjellë për gjithë fshatin e zonën përreth. Vatrat e eksplozivit ishin lidhur në seri por në momentin e shpërthimit disa nga lidhjet janë shkëputur prej tronditjes, duke lënë pa aktivizuar afro 40 kilogram lëndë plasëse. Këtë radhë u rrafshua më shumë se 70 për qind e kullës shekullore dhe fortifikimeve të saj, madje u dëmtua keq dhe kulla e ish-deputetit demokrat Azgan Haklaj që ndodhet pranë saj. Plaku i Haklajve u përgjigj në media, se ai apo nipat e tij, do të ktheheshin serish një ditë, për ta rindërtuar dhe me të fortë se më parë kullën e gurtë në Kërnajë.
Katër djemëve të vrarë të Haklajve u dhunuan dhe varret pas vdekjes
Pas çdo rasti policia vetëm bënte matje dhe mundohej ta kalonte ngjarjen pa bujë duke u përpjekur për ti servirur medies versione nga më të pabesueshmet. Reagimi i qeverisë dhe strukturave të shtetit për sulmet e njëpasnjëshme që ndodhnin në Tropojë ishte njëlloj sikur ato të ndodhnin diku në Lindjen e Mesme apo në Afrikë. Asnjëherë të vetme, drejtuesit e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, prokurorisë apo qeverisë nuk u prononcuan publikisht për këto akte të rënda kriminale. Çështja Haklaj ishte kthyer në një tabu, dhe gjithkush që mbante këtë mbiemër duhej të fshihej nga faqja e dheut. Duke përfituar nga indiferenca e çuditshme e qeverisë Berisha dhe strukturave ligj zbatuese të kontrolluara prej saj, komando e kundërshtarëve të Haklajve vendosi ti shkonte deri në fund punës që kishte nisur. Natën e 12 dhjetorit 2006, u sulmuan dhe u dhunuan varret e katër djemve të vrarë të familjes Haklaj, Shkëlqimit, Fatmirit, Halilit dhe Yllit. Ky akt i pashembullt dëshmon qartë se sa thellë ka shkuar urrejtja në Tropojë. Strukturat e shtetit duke përfshirë deri dhe politikanët më të lartë të dekadës së fundit, të majtë a të djathtë, në mos janë fajtorët kryesorë në atë që ka ndodhur me 150 të vrarët e “Dosjes Tropoja”, janë përgjegjës për mosndëshkimin e vrasësve. Dhjetëra e mbase qindra fëmijë të mbetur jetimë nga atentatet në Tropojë, më shumë sesa nëvojë për përkujdesje, duan drejtësi për prindërit e tyre të vrarë, që seriali i hakmarrjes të mos shkaktojë më viktima të tjera. A do të ndëshkohen ndonjëherë përgjegjësit e vërtetë të “Dosjes Tropoja”? Për momentin duket e pamundur që kjo pyetje të marrë një përgjigje konkrete.
