Abdylmenaf Bexheti
Në kushte kur shteti dhe të gjitha institucionet e tij kanë “shpërthyer”, duhet dizajnuar një sistem prioriteti në këtë qasje. S’do mend se ky dizajnim nënkupton nevojën e krijimit të një paradigme, me një platformë ose manifest, me resurse profesionale dhe me buxhet prioritar dhe të destinuar për veprime të njëkohësishme në shumë segmente.
Kanë mbetur vetëm edhe disa javë që të mbushen plot 11 vjet nga “Rilindja ekonomike” e promovuar me shumë premtime dhe pritshmëri. Për korrektësi, edhe njëherë duhet nënvizuar se vetëm dy vitet e para të qeverisjes së VMRO-së ishin tejet produktive në shumë fusha. Viti 2007 e realizoi normën më të lartë të rritjes ekonomike të Maqedonisë, prej rreth 6%, që nga pavarësia saj. Nga vjeshta e vitit 2008, që kur arritën “valët e krizës” financiare globale në regjion, nën pretekstin e masave kundër saj, filluan aventurat ekonomike të qeverisjes populiste. Disa optimistë irracionalë, nga dioptria e pushtetit të pafundshëm për ata, shkonin aq larg sa që krizën globale e konsideronin si sfidë për shanse dhe zhvillim, duke u bazuar në “shenjën” kineze, me të cilën shprehet ajo! Por, shumë shpejt u dëshmua se pikërisht preteksti negativ i saj ishte fatal për politikat ekonomike, meqë aty gjeneroi ideja e degjenerimit të a.q. projekti “Shkupi 2014”!
Asokohe të paktë ishin zërat që e paralajmëronin dhe bënin oponencën e duhur, bile vetëm disa individë (përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave), që kundërshtari i cilësonte politikisht të motivuar. Pothuaj përgjatë gjithë kohës, krahas temave socio-ekonomike, në vazhdimësi kemi trajtuar tema të politikave ekonomike, gjithnjë të bazuara dhe faktuara, për të cilat edhe vetë kreatorët dhe zbatuesit e dinin se ashtu është, por lakmia dhe vazhdimësia e pushtetit ishin verbuese për ata. Ata gjithë kohës u lëshuan në promovime, spinime dhe marketing agresiv politik, që u kurorëzua me okupim të mediave dhe ngufatjen e lirisë së fjalës dhe shprehjes. Mbi 5-6 vite garnitura populiste dhe demagogjike na dëshmonte se si i do dhe i voton populli. Gjatë kësaj kohe ishte një abstenim dhe heshtje konjunkturale e zërave oponentë në shoqëri, si individë, por edhe si institucione, që për nga natyra e kanë për detyrë oponencën. Krahas mediumeve “të blera” si duket u “kapën” edhe shumë intelektualë (nëse mund të quhen ashtu), gazetarë e shkrimtarë, analistë e artistë, profesorë universitarë, që në shoqëritë demokratike duhet të paraqesin zërin e oponencës kundër çdo fenomeni të qeverisjes së keqe. Që të jete e keqja më e madhe, edhe opozitë të organizuar politike nuk kishte. Më shumë i ngjasonte një skenari të luajtjes së rolit të opozitës sesa një veprimi real opozitar. Ra “mortja” e bombave dhe u pa ashiqare se janë shitur për pak pare! Bile këtu nuk amnistohet edhe bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Brukseli zyrtar. Si ambasadori Fuere, ashtu edhe ai Orav i mbështetnin të gjitha veprimet e elitës më populiste në historinë e papërgjegjësisë politike të vendit deri në atë kohë. Kështu ndodhi deri në vjeshtën e vitit 2014-të, derisa nuk filloi publikimi i të a.q. “bomba”, që duhej ta pasqyronin “të vërtetën mbi qeverisjen” e llastuar dhe të çmendur!
Dy vitet e fundit në vend të rezultateve nga “Rilindja ekonomike” na rilindën profesionistë dhe analistë, të cilët përditë “analizojnë dhe parashikojnë” ecuritë e çmendurisë politike, po të këtij soji, që shumëkush prej tyre edhe e promovonte dhe lavdëronte, por kishte edhe prej atyre që heshtnin për motive shprese dhe pritshmërie të ndonjë cepi të kolltukut! Sigurisht që nuk është motivi, e aq më pak fokusi i këtij shtjellimi, ky fenomen, por vetëm duhet rikujtuar më shpesh, sepse shpejt na ndryshket kujtesa dhe na përsëriten gabimet. Përsëritja është mënyra më e mirë e mësimit të qëndrueshëm.
Në numrin e kaluar të revistës trajtuam “hibrid ekonominë pa qeveri” se si funksionon ajo në kushte dhe rrethana të tilla. Në vazhdë të këtij trajtimi, në këtë numër trajtojmë prioritetet dhe veprimet e mundshme, që me sa më pak kosto e pasoja ta përmbyllim kapitullin e “Rilindjes” dhe ta instalojmë një fillim të ri, së pari në konsolidim dhe pastaj në zhvillim. Para një viti e trajtuam edhe fenomenin e normalizimit në anormalitet dhe asokohe konstatuam se ekonomia në krizë ka krijuar imunitet për veprim në anormalitet. Por, edhe niveli i anormalitetit duhet të ketë një normalitet! Nga kjo retrospektivë, që pas ngjarjeve të dhunës e deri në linçimin e zgjedhurve të popullit në tempullin e demokracisë, u vërtetua se në diktaturë anormaliteti s’ka kufij! Meqë konsolidimi nënkupton normalizim, kjo është parakusht pa të cilin s’bëhet (Condito sine quo non).
Në kushte kur shteti dhe të gjitha institucionet e tij kanë “shpërthyer”, duhet dizajnuar një sistem prioriteti në këtë qasje. S’do mend se ky dizajnim nënkupton nevojën e krijimit të një paradigme, me një platformë ose manifest, me resurse profesionale dhe me buxhet prioritar dhe të destinuar për veprime të njëkohësishme në shumë segmente. Prioriteti i gjitha prioriteteve do të ishin tri dimensione parësore: departizimi dhe dekriminalizimi i gjyqësorit, instalimi i mirëqeverisjes në institucionet e kriminalizuara dhe të kalbura dhe ekonomia me financat publike dhe ndërmarrjet publike.
Krahas këtyre dimensioneve, duhet të punohet sistematikisht në rregullimin e mediumeve, sektorit civil, rregullativës së subjekteve politike dhe kodit elektoral. Me një fjalë, analistët thonë të ndjekim prioritetet nga Raporti i Pribe-s! Por, qasja frontale është joefikase. Veprimet prioritare duhet të jenë agjendë e dyvjeçarit në mandatin e qeverisjes. Proceset integruese euroatlantike duhet të presin një kthim të mirëbesimit dhe dalje nga izolimi ndërkombëtar. Pavarësisht nga dëshira e optimistëve për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit dhe përmirësimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore, nuk besoj se kjo mund të arrihet edhe për arsye të natyrës së vet diplomacisë së ngadalshme, posaçërisht në Ballkan ku, më gjatë se çdo gjë, mbahen mend eksperiencat negative. Normalizimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore do të jetë vazhdimisht i kontaminuar edhe nga destruktiviteti i opozitës, që në humbje të besimit të brendshëm do të fokusohet në marrëdhënie të jashtme.
Në nevojën e konsolidimit në veçanti do ndalem te dimensioni i ekonomisë me financat publike, si dhe ekonominë publike – aty ku shteti (qeveria) i menaxhon drejtpërdrejt proceset. Sektori privat ka më shumë mekanizma vetërregullues. Mjafton që qeveria të mos e dëmtojë, shantazhojë dhe distorzojë. Në ekonomi ka situata dhe çështje që duken edhe të pashpjegueshme, bile përkundër shumë teorive të dëshmuara ekonomike. Ashtu siç nuk mund të demantohet teoria e tatimeve të ulëta, që ndikon pozitivisht rritjen ekonomike, si teori fondamentale e ekonomisë liberale. Por, ja që ndodhë praktikisht, bile në periudha kohore të qëndrueshme. Po të vrojtohen shënimet njëzetvjeçare (1997-2016), p.sh. të ShBA-ve, ku barra tatimore mesatare në % të PBB-së shkon rreth 26% dhe rritja ekonomike mesatare vjetore prej 2,2% karshi Suedisë, që ka barrë tatimore prej 43% të PBB-së dhe realizon rritje ekonomike mesatare vjetore prej 2,6%. Kjo ka shpjegimin e vet vetëm nga ata që e njohin thellë kulturën, sjelljen dhe institucionet suedeze. Një studiues i thellë i ekonomisë, për këtë fenomen, në mënyrë alegorike do shprehet: “Nëse fiziologjikisht, nuk mund ta shpjegoni forcën e zemrës së gjirafës që pumpon gjakun e saj në kokë, nuk do të thotë se ajo trurin nuk e ka atje lart”! Pra, në këto situata, edhe ekonomia e Maqedonisë shumëçka mund të mos e ketë kuptimin sipërfaqësor, por ka shpjegim vetëm nga njohësit e mirë të strukturës së saj. Përparësia e ekonomisë, për shembull në krahasim me gjyqësorin, është se shumë pak lë hapësirë gjykimore – ajo i ka bilancet e shifruara dhe faktet që flasin.
Vetëm disa javë nevojiten për analizat e thella fiskale në buxhetet e çdo shfrytëzuesi buxhetor, kuptohet në nivel agregat të ministrive përkatëse që i mbulojnë ato. Objektivi parësor duhet të jetë në shkurtimin e çdo zëri buxhetor, që mundëson bartjen në një kohë tjetër, qoftë edhe gjysmëvjeçare. Një “due diligence” dhe ekspertizë e fokusuar për të krijuar hapësirën fiskale në buxhet që brenda 30 ditëve të para të qeverisjes të bëhet rishikimi (ribalanci) konsolidues i buxhetit qendror, duke anuluar menjëherë çdo shpenzim dhe investim joproduktiv, si dhe duke spostuar në kohë çdo shpenzim që mundëson një “urëzim” të kohës vijuese, pa shkaktuar pasoja sociale, ekonomike dhe politike (në kuptimin ndëretnik). Eksperiencat dhe njohjet e mia fiskale parashikojnë një mundësi të tillë që, së paku 300 milionë euro (në buxhet 3 miliardësh), të ripozicionohen në buxhetin e vitit 2017. Të zbatohet menjëherë e a.q. “Rregulla e Artë” (Gold Rule) e financave publike, që kështu të ndalohet rreptësisht huamarrja për shpenzime vijuese operative, përveç për investime kapitale por produktive. Bile për këto të fundit duhet shtuar edhe huamarrjen. Nëse brenda 100 ditëve do të dëshmojmë përkushtim për optimalizim dhe racionalizim fiskal nga “luksi vetanak”, me shumë të drejtë do të kërkojmë aranzhman më të qëndrueshëm nga FMN-ja dhe Banka Botërore, krahas edhe Brukselit dhe Uashingtonit, për aspektet e sforcimit të institucioneve, para së gjithash gjyqësorit dhe organeve investigative. Këta të fundit mund të jenë edhe financiarisht shumë produktivë po qe se mbetet vendosmëria për shpronësimin e të gjithë atyre që janë pasuruar kundërligjshëm përgjatë gjithë periudhës, bile edhe nga vitet e ‘90-ta e deri tani!
Krahas analizës buxhetore, një “inspektim” profesional dhe i thellë duhet bërë te ndërmarrjet publike dhe trupat e agjencitë rregullatore, posaçërisht ato që realizojnë të ardhura vetanake, si rregullatori i energjetikës, telekomunikacionit, mediumeve, aviotrasportit, ndërmarrjet si ELEM, MEPSO, EVN, Telekomi Maqedonisë,…etj. Njëkohësisht duhet përcaktuar tajmingun më të përshtatshëm për shitjen e aksioneve të mbetura (pa ndikim dhe me keqpërdorim) te Telekomunikacioni i Maqedonisë, EVN dhe gjetiu. Mjetet nga kjo shitje duhet destinuar ekskluzivisht në Energjetikë – atje ku kemi potenciale dhe nevojë gjithnjë e më të madhe. Menaxhimi i ndërmarrjeve duhet të bëhet mbi baza të targetëve dhe indikatorëve të performancës, thjesht si në sektorin privat. Kështu duhet të anulohet presioni i financimeve joformale dhe donacioneve të imponueshme nga ndërmarrjet publike!
Në çka nuk duhet neglizhuar? Subvencionet sociale (ndihmat, shtesat, dhe kompensimet e pensioneve) duhet të mbajnë prioritetin e parë. Menjëherë pas tyre subvencionet bujqësore duhet të realizohen në kapacitet të parashikuar, por duke rishikuar destinimin – ka shumëçka që shkon huq! Vitin e ardhshëm shuma e njëjtë e subvencioneve bujqësore (rreth 140 milionë euro) duhet të kushtëzohet jo me inpute (sipërfaqe të deklaruara dhe fiktivisht të kontraktuara), por në outpute – rezultate konkrete në sasi të prodhimeve bujqësore. Bile edhe në eksport neto bujqësor, nga prodhimet e përpunuara bujqësore (pemë, perime, prodhime mishi dhe qumështi) do të kisha sugjeruar ekstra subvencion për njësi financiare të devizave të arkëtuara nga eksporti.
Çka nuk duhet anashkaluar? Shpërndarja e drejtë e fondeve publike, decentaralizimi fiskal dhe zhvillimi regjional, duhet të mbahet në krye të agjendës politike. Kursimet që duhet të bëhen nga rishikimi i buxhetit të axhustuar (vlerësuar) duhet të destinohen me prioritet për këto përmirësime. Ka shumë hapësirë dhe aq më shumë edhe nevojë. Efekti do të ndjehet edhe në shpërndarje dhe drejtësi, që ka munguar gjatë gjithë dekadës së fundit.
Pritshmëritë duhet të menaxhohen drejt. Zhgënjimet më të mëdha dalin aty ku pritjet janë më të larta. Sfida mbetet te kapaciteti dhe aftësia personale institucionale. Vazhdimësia e një subjekti të njëjtë që ka qenë në bashkëqeverisje afër dhjetëvjecare me DPMNE-në mban rrezikun më të lartë për reforma dhe mirëqeverisje. Bile, pozita e tyre numerike në këtë kompozicion politik mund t’ua krijojë atyre luksin e të qenit “avokat demokratik” i DPMNE-së, jo për ata sa për veten e vet!/SHENJA/.
