Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, Alojz Peterle, ka thënë se gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar me një gamë të gjerë të bashkëbiseduesve, të cilët mirëpritën punën e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian dhe shprehën angazhimin e tyre për zgjedhje demokratike.
“Gjithashtu kam bërë thirrje për të gjitha palët pjesëmarrëse të shfrytëzojnë mundësinë që në zgjedhjet e 11 qershorit të tregojnë pjekuri demokratike. Dua të jem absolutisht i qartë se çfarë do të thotë kjo”.
“Çdo frikësim i kandidatëve dhe familjeve të tyre është i papranueshëm. E drejta e të qenit kandidat dhe mundësia e të bërit fushatë në mënyrë të lirë janë parakushtet absolute të zgjedhjeve demokratike. Të gjithë akterët politikë duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj principeve demokratike duke refuzuar fuqimisht të gjitha format e frikësimit, dhunës dhe presionit. Gjithashtu u bëj thirrje policisë dhe prokurorëve që të hetojnë incidentet e tilla në mënyrë të menjëherëshme dhe rigoroze”, ka thënë ndër tjerash Peterle.
Sipas tij, misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE, që ka vëzhgues afatgjatë duke mbuluar 38 komuna në Kosovë, do të vazhdojë të përcjellë të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë këtyre çështjeve.
