Balena Blu ka ardhur edhe në Shqipëri: Mamaja shpëton fëmijën

“Loja” makabre që sipas të dhënave, mund të ketë vrarë mbi 140 fëmijë vetëm në Rusi, mesa duket përbën rrezik edhe për fëmijët shqiptarë.

Dje në “Top Show”, eksperti kundër krimit kibernetik Artan Dashi tha se ekspertët e Interpol-it kanë paralajmëruar institucionet përgjegjëse shqiptare se edhe Shqipëria mund të jetë “tabelë qitjeje e kuratorëve të Balenës Blu”.

Kuratori është njeriu që kontakton me fëmijën përmes rrjeteve sociale- Facebook, Instagram, kudo- dhe i kërkon të luajë një lojë. Që aty nis loja e torturave të njëpasnjëshme, si të presësh veten me thikë, të zgjohesh në orën 4:20 të mëngjesit për të parë videot e frikshme që të dërgon kuratori dhe sfida të tjera të dhimbshme që kuratori ia jep fëmijës për 50 ditë, deri në sfidën e fundit: të hidhet nga taraca e një pallati të lartë.

Por sipas psikologes së shkollave, Ornela Belba, në Shqipëri ka patur tashmë një rast të “Balenës Blu”. Ajo tregoi se bëhet fjalë për një fëmijë të 9-vjeçares, që është kontaktuar nga një kurator dhe është përfshirë në lojë. Por për fat të mirë, mamaja e pikasi atë në fazat e para, siç duket e informuar nga artikujt që po shkruhen kudo nëpër media.

Nëse vini re sjellje të pazakonta tek fëmija, si: të zgjohet çdo ditë shumë më herët se zakonisht, të mbulojë krahët (për të fshehur shenjat e prerjeve), të dëgjojë muzikë depresive dhe të mos flasë me askënd për një ditë të tërë, kini kujdes sepse mund të tregojnë se është përfshirë në sfidën vdekjeprurëse.