Artim Pollozhani është njëri prej futbollistëve të rrallë, i cili ka zhvilluar mbi 200 ndeshje zyrtare në fanellën e KF Shkëndija. Në Tetovë erdh para shtatë viteve dhe as që e kishte paramenduar se do të arrijë një gjë të tillë. Por, kualiteti dhe karriera të cilën e kishte pasur para asaj, bëri që ai të vesh fanellën kuqezi dhe të len shenjë te ky klub.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube vendore dhe të huaja, ndërsa eksperiencën më të mirë siç thotë në intervistën për gazetën KOHA, e ka pikërisht te KF Shkëndija, ku edhe dëshiron ta përfundon karrierën si futbollist po te ky klub. Për këtë dhe për karrierën e tij, Artimi i tregon në këtë intervistë si dhe eksperiencat tjera në klubet e shumta ku ka luajtur, si Tus Koblenz, Kroatia Sesvete, Torpedo Moskë, ato vendore Bashkimi, Makedonija Gj.P. dhe Vardar, ato nga Shqipëria Dinamo Tiran si dhe në përfaqësuesen e Maqedonisë në kohen kur seleksionues ishte Sreçko Katanec.
KOHA: Artim, javën e kaluar përfundoi kampionati në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, ndërsa KF Shkëndija në krye me juve futbollistët, nuk arriti ti realizojë pritshmëritë e saja. Cilat janë arsyet sipas jush që klubi nuk arriti të fitojë asnjë titull?
POLLOZHANI: Nëse analizojmë sezonin prej fillimit, domethënë ta marrim prej para ndeshjeve në Evropë, mendoj se e vetmja pikë jo vetëm pozitive por edhe e artë në gjithë historinë e klubit ishte përfaqësimi ynë në Evropë. Kishim paraqitje fantastike duke arritur të luajmë në plej-of për inkuadrim në grupet e Liga Evropës. Kjo arritje nuk duhet të anashkalohet, pasi ekipi kurrë më parë nuk kishte bërë diçka të tillë. Realisht, Evropa na morri shumë energji dhe ne në kampionat humbëm hapin, pasi në vend që të vazhdojmë me nivelin e paraqitjeve të mira, neve sikur na mungoi freskia dhe bëmë shumë gabime që na kushtuan. Gjithsesi pas ndryshimit në bankinë në fazën e fundit të gjysmëstinorit të vjeshtës arritëm të ngrihemi dhe gjetëm lojën tonë, mirëpo në dimër pësuam ndryshime dhe kjo na kushtoi sërish humbje të ekuilibrit pasi duhet të përshtatemi me metoda të reja të punës, përfshi edhe disa lojtarë të ri që duhej të adaptohen. Tani normal unë jam futbollist dhe nuk është e imja të futem në analiza më të thella, por është fakt se ne dështuam këtë sezon, pasi pretendonim trofe.
KOHA: Te Shkëndija jeni nga viti 2012, ndërsa jeni njëri prej futbollistëve me më shumë ndeshje, mbi 200. Çfarë donë të thotë kjo për ty?
POLLOZHANI: Unë tani kam kompletuar plotë shtët vite në Shkëndijë, ku kam zhvilluar mbi 200 ndeshje zyrtare. Të jem i sinqertë është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, por mund vetëm të përjetohet. Ndjehem i nderuar që kam pasur mundësinë të vesh kaq gjatë këtë fanellë, për të cilën shumë njerëz kanë sakrifikuar gjithçka dhe besoni që ndjej një satisfaksion të madh në shpirt për faktin që kaq gjatë jam pjesë e kësaj skuadre. Nëse para disa viteve do më pyeste dikush që do bësh mbi 200 ndeshje për Shkëndijën, besoni se do më dukej e paarritshme, mirëpo ja unë kam prekur këta shifra dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur. Normal është nder të jesh ndër lojtarët me më shumë paraqitje në historinë e Shkëndijës. Uroj të ketë edhe lojtarë tjerë të kalojnë këto numra.
KOHA: Para se të vini të luani në Tetovë, keni pasur një karrierë të pasur duke luajtur në klube vendore dhe të huaja. Si ka rrjedh karriera e Pollozhanit?
POLLOZHANI: Realisht mendoj se kam pasur një karrierë relativisht të suksesshme. Tani është e qartë se e mira dhe e keqja nuk kanë fund, por duke parë shembuj tjerë me futbollistë që kanë pasur më shumë talent, por që nuk kanë arritur të bëjnë ndonjë karrierë më të mirë unë jam i kënaqur me atë që kam arritur të realizoj. Jam munduar gjithë karrierën shkallëve të suksesit të ngjitem me djersën time dhe ndoshta nëse do kisha pasur ndonjë përkrahje më të madhe mbase kisha arritur edhe më shumë. Por, të jem i sinqertë, në përgjithësi unë jam i kënaqur.
KOHA: Cili ka qenë klubi i parë i huaj që keni luajtur dhe a mund të na përshkruani se si u nis dhe si u realizua ky transferim?
POLLOZHANI: Skuadra ime e parë e huaj do kisha thënë ishte Tus Koblenz në Gjermani, pasi që klubet në Shqipëri ne nuk duhet t’i quajmë të huaja. Pra në Gjermani kam kaluar nga Maqedonia, një në transferim të iniciuar nga Harun Isa dhe në bashkëpunim me Fali Ramadanin. Shfrytëzoj mundësinë tani edhe një herë publikisht t’i falënderoj për atë transferim. Ishte një eksperiencë shumë e mirë, por në të njëjtën kohë edhe shumë e vështirë.
KOHA: Cila ka qenë eksperienca më e mirë nga klubet ku ke luajtur?
POLLOZHANI: Eksperienca më e mirë e imja do thosha që ka qenë dhe vazhdon të jetë Shkëndija. Është skuadra ku kam luajtur shumë vite, duke përjetuar momente të të gjitha natyrave dhe në një mënyrë është bërë si shtëpia ime e dytë. Normal nuk anashkaloj edhe skuadrat tjera ku kam luajtur, pasi vlerësoj se kanë qenë eksperienca të mira në secilin klub që kam pasur mundësinë të luaj. Jam njoftuar me shtete të ndryshme, qytete tjera, kultura të ndryshme, tradita dhe gjëra që të hapin diapazonin e jetës. Në përgjithësi tani kur e kujtoj, në secilin klub ku kam luajtur kam kaluar eksperienca shumë të mira.
KOHA: Po te përfaqësuesja e Maqedonisë, duke marr parasysh se nga viti 2017 e deri në vitin 2015 ke qenë pjesë e saj?
POLLOZHANI: Unë isha pjesë e përfaqësueses në periudhën kur seleksionues ishte Sreçko Katanec. Duhet ta them se ishte periudha kur Maqedonia shënonte rezultate të mira në kontinuitet, duke arritur të ngjitet në vendin e 47-të të ranglistës botërore. Unë mendoj se në atë kohë kishte më shumë konkurrencë, kishte shumë futbollistë që luanin në klube të njohura dhe të forta në Evropë. Tani për çudi ka një rënie të madhe, ndoshta për shkak të tranzicionit të futbollistëve ose për shkak se pjesa më e madhe e futbollistëve luajnë në klube dhe liga kushtimisht thënë jo aq të forta në Evropë. Normal përjashtim janë lojtarë të caktuar që vërtet kanë kualitet.
KOHA: Po cili shtet të huaj ku ke luajtur do ta kisha veçuar dhe për çka do ta kisha veçuar?
POLLOZHANI: Do ta kisha veçuar Gjermaninë, pa dashur të lë anash shtetet tjera. Zgjodha Gjermaninë pasi që atje çdo gjë bëhet në mënyrë super profesionale, si në futboll ashtu edhe në jetën e përgjithshme.
KOHA: Duke marr parasysh se ke luajtur edhe jashtë Maqedonisë, ku qëndron dallimi mes futbollit tonë dhe futbollit të cilin e luajnë ata. Dhe a kemi ecur përpara viteve të fundit apo po qëndrojmë në një vend?
POLLOZHANI: Ka shumë dallim dhe nëse fillojmë t’i radhisim nuk do na mjaftojë një gazetë e plotë, e jo një faqe. Në përgjithësi futbolli ka stagnuar. Mirëpo, më gëzon fakti që janë shfaqur sponsorë si ‘Ecolog’ apo edhe te Vardari që financojnë fuqishëm në futboll. Sigurisht se do të ishte mirë që edhe skuadrat tjera të kenë sponsorë serioz të cilët do të investonin për të ngritur nivelin e futbollit në vendin tonë. Realisht nëse analizojmë në përgjithësi, nuk është se kemi ndonjë nivel të mirë apo mos themi të lartë të futbollit.
KOHA: A keni lidhur miqësi dhe a e mban ende atë miqësi me bashkëlojtarët që ke luajtur jashtë Maqedonisë?
POLLOZHANI: Po, sigurisht se kam krijuar shumë miqësi kudo që kam luajtur. Do të veçoja Fatmir Vatën, me të cilin kam jetuar për një periudhë në Gjermani. Realisht më ka ndihmuar shumë dhe kemi kaluar një periudhë bukur të mirë. Kam pasur mundësi të njoftohem edhe me Besnik Hasin dhe shpesh kemi folur, duke mësuar nga ai shumë gjëra rreth futbollit. Kam edhe shumë shokë që jemi njoftuar në Gjermani apo Rusi dhe me disa prej tyre kohë pas kohe jemi në kontakte. Ka ndodhur që me ish-bashkëlojtarë, trajnerë apo shokë që jemi njoftuar në vende të ndryshme, të takohemi gjatë fazave përgatitore në qendra sportive si Antalia. Ndjehem mirë për faktin që futbolli më ka mundësuar të krijoj shumë miqësi nga vende të ndryshme.
KOHA: Të kthehemi përsëri te Shkëndija. Meqë sezoni përfundoi a do të vazhdoni të jeni pjesë e ekipit kuqezi, ose cili mendoni se do jetë stacioni i ardhshëm i karrierës tuaj?
POLLOZHANI: Zyrtarisht kontrata ime me Shkëndijën skadon më 15-të qershor të këtij viti. Unë kam deklaruar edhe më herët se karrierën dua ta mbyll te Shkëndija, por normal se fjalën e fundit e kanë drejtuesit e klubit. Unë kam pasur një bisedë me kryesinë e klubit, tani ka mbetur të takohemi edhe një herë me kryesinë dhe trajnerin Qatip Osmani për të folur dhe për të vendosur për të ardhmen. Nuk e dijë si do rrjedhin gjërat, por unë e thash më lartë se dëshira ime është të mbyll karrierën te Shkëndija.
KOHA: E ardhmja pas futbollit?
POLLOZHANI: Shpresoj të jetë sërish me futbollin. Por të shohim. Si njeri që gjithë jetën merrem me futboll, të ardhmen e shoh si trajner apo ndoshta edhe si drejtues i ndonjë klubi (hahaha qeshet). Realisht shpresoj të jetë futbolli. Unë jam i diplomuar në lëmin e Edukatës Fizike dhe kjo lidhet sërish me sportin. Ndoshta do më ndryshonte mendje vetëm nëse me ofrohet ndonjë pozitë ministri, kjo do më vendoste në dyshim (hahaha qeshet). Shakatë anash, veten e shoh në futboll, pasi vlerësoj se atë e njoh më së miri dhe mbase mund të jap më shumë.
KOHA: Kush është në jetën private Artimi?
POLLOZHANI: Njeri i thjeshtë si krejt të tjerët, dua të jem modest dhe i barabartë me shoqërinë dhe rrethin. Kam shumë miq e shoqëri që edhe nuk merren me sport dhe mundohem të jem i mirë me të gjithë. Nëse shkojmë në rrethin më të ngushtë, vlerësoj se kam familje të mrekullueshme, nusen Milën dhe vajzat Zanën e Tarën. Ato janë gjithçka në jetën time. Janë përkrahës të Shkëndijës dhe vijnë gati çdo ndeshje në stadium për të na përkrahur.
KOHA: Si do t`i këshillonit të rinjtë, çka duhet të bëjnë për të qenë të suksesshëm ?
POLLOZHANI: Unë i respektoj shumë futbollistët e ri, pasi kujtoj veten time në atë moshë dhe e dijë mirë se sa vlen mbështetja nga më të vjetrit. Kur kthehem pas mendoj se tani të rinjtë kanë shumë përparësi. Kanë shumë më shumë hapësira për të luajtur, pranohen më lehtë nga të tjerët dhe e tyre është të shfrytëzojnë çdo mundësi. Porosia ime e vetme është të vazhdojnë të punojnë dhe kurrë në jetë mos dorëzohen.
KOHA: Dhuna, racizmi, nacionalizëm, ofendimet në baza nacionale dhe fetare në terrenet ton po vazhdon. Po tu jepej mundësia, di do t’i kishit shmangur këto fenomene të shëmtuara?
POLLOZHANI: Të jemi të realë ne jetojmë në një shoqëri ku gjithçka është partizuar. Thuajse gjithçka bëhet me një qëllim në prapavijë. Kur jeton në një sistem të këtillë është e vështirë që vetëm në futboll të ketë respekt apo të ndalen fyerjet në baza nacionale, fetare apo racore. Shpresoj gjërat të ndryshojnë për së miri dhe nëse nuk mund të ndalen në tërësi, të paktën të minimizohen shfaqjet e këtilla negative. Sporti duhet të jetë festë dhe gëzim për secilin, ndërsa dhuna e ofendimet të largohen nga terrenet dhe tribunat e ngjarjeve sportive. Të varej nga unë, sigurisht se do të kisha punuar në këtë drejtim, por shpresoj që si shoqëri në tërësi të vetëdijesohemi dhe bashkërisht të luftojmë fenomenet negative.
