Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Austrisë, Renate Kobler.
“Në takim, Osmani informoi ambasadoren Kobler për prioritetet e qeverisë së re për të cilat do të punojë në periudhën e ardhshme, në drejtim të integrimit në BE. “Jam i bindur se në muajt e ardhshëm do të kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe të ngushtë në zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme lidhur me procesin e integrimit në BE”, theksoi zëvendëskryeministri Osmani, duke shtuar se Austria mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm dhe një mbështetës i fortë i politikës së zgjerimit dhe anëtarësimit të vendeve Ballkanit perëndimor”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për Çështje Evropiane.
Sipas kumtesës, Osmani ka theksuar se fokusi mbetet në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Reformat Urgjente Prioritare dhe Marrëveshjes së Përzhinos. Ai shprehu shpresë se rezultatet e pritura do të arrihen duke siguruar një qasje të qëndrueshme në zbatimin e aktiviteteve kryesore reformuese dhe në këtë mënyrë do të eliminohej kushtëzimi i rekomandimit nga raporti i fundit i KE-së për vendin.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se na pret një periudhë me punë intensive me qëllim që vendi të kthehet në rrugën drejt BE-së.
