Zv. kryetari i Qeverisë së Maqedonisë, zotëri Hazbi Lika, ka pritur sot në kabinetin e tij në takim vëllazëror, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë Fatos Reka.
Pas uratave që mori Zëvendës kryetari i Qeverisë Hazbi Lika për postin e tij, ata bashkë kanë trajtuar tema të ndryshme, duke filluar nga situata politike në dy shtetet, vazhdimi i marrëdhënieve të mira ndërshtetërore për përkrahjen e ndërsjellë për përparimin e dy vendeve drejt euro integrimeve.
Lika, në këtë takim vëllazëror, ka njoftuar Ambasadorin Reka për prioritetet e Qeverisë së re, me ç`rast, zëvendëskryetari i Qeverisë Lika, theks të veçantë ka vendosur mbi reformat që duhet filluar kjo Qeveri në të gjitha sferat, me qëllim të sundimit të ligjit dhe të së drejtës në shtet, por njëkohësisht, duke u angazhuar edhe për trasimin e mirëfilltë të rrugës drejt integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkësinë Evropiane, ku edhe e ka vendin.
Lika, gjithashtu tha se implementimi dhe avancimi i Marrëveshjes së Ohrit janë thelbësore për progresin gjithëpërfshirës të shtetit tonë.
Lika me këtë rast ka potencuar edhe gatishmërinë e kabinetit të ri Qeveritar, për bashkëpunim në drejtim të avancimit emergjent të Marrëveshjes së Ohrit, gjë kjo që është nxitës i fuqishëm për shfrytëzimin emergjent të kapaciteteve në drejtim të euro-integrimit të vendit.
Ambasadori Reka, me rastin e takimit vëllazëror, theksoi se implementimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Ohrit është i detyrueshëm për të hapur rrugët drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Të dy shtetet, Republika e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë janë aspirantë për BE. Nëpërmjet Proçesit të Berlinit, i cili shërben si një paradhomë për përgatitje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ne mund të shndërrohemi në anëtare të denja, theksoi Ambasadori Reka.
