Mesa duket merkatoja e kësaj vere do të jetë e stërmbushur me befasi. Goditja e parë këtë herë ishte mbrojtësi nga Gostivari, Visar Musliu i cili nga Renova bëri transfer te kampionët e Maqedonisë, Vardari. Transferimi i tij ishte i bujshëm dhe shumë i komentuar, por gjithsesi kjo nuk ia ul vlerat njërit prej mbrojtësve më të mirë ne Maqedoni momentalisht. Kohë më parë përflitej se futbollisti i talentuar ishte në bisedime me Shkëndijën e Tetovës, por burime të sigurta pranë Musliut thonë për portalin Tetova1 se ai nuk arriti dot akordin përfundimtar sa i përket pagës te kuq e zinjtë. Ata i ofruan diçka të ngjashme si te Renova, gjë që e bëri futbollistin të stepej. Por tashmë sa do të arrij ai të zë një vend titullari te Vardari, do të shohim kur të fillojë sezoni i ri, sepse duhet theksuar se te klubi shkupjan konkurrenca është goxha e madhe, prandaj mbase kjo do ta penalizojë në këtë aspekt Visar Musliun.
Lajmi tjetër bombë që vjen nga Renova është se Mirel Josa përmendet si një prej njerëzve ideal që mund ta zëvendësojë Qatip Osmanin te bardh e kaltërtit, por kostoja e tij si trajner është e lartë dhe jo aq e përballueshme për “gipserat” e Xhepçishtit. Eglant Haxho, tashmë ish gardiani i Renovës me shumë gjasë do të rinovojë kontratën.
I përfolur është edhe largimi i dy shtyllave kryesore të Shkëndijës, Besart Ibraimi dhe Ferhan Hasani. Të dy kishin super oferta këtë herë, i pari në Gjermani, Spanjë, Shqipëri dhe Kroaci, por aludohet se sulmuesi kërçovar ka vendosur që edhe një sezon ta kalojë te klubi tetovar. Ndërkaq Buba mes ofertave nga Shqipëria, Danimarka, Gjermania, Turqia dhe Rusia, zgjodhi kampionatin rus. Për t’u habitur është se në ditët e fundit ndërroi mendje për arsye personale (të njohura për portalin tonë) dhe vendosi që të qëndrojë në Tetovë gjersa t’i mbarojë kontrata më kuq e zinjtë.
Legjenda tetovare Qatip Osmani u rikthye si trajner te Shkendija, këtë herë duke bërë një sërë ndryshimesh në ekip. Demush Imeri ishte një prej të larguarve të parë, bashkangjitur këtu edhe futbollistin e mirënjohur Artim Pollozhani, i cili tash e disa ditë mungon në stërvitjet e klubit. Burime të afërta me futbollistin strugan thonë se stafi teknik pas kalkulimeve ka ardhur në përfundim se Pollozhani tashmë nuk mund të japë diçka konkrete në fushën e blertë, por gjithsesi atij i është premtuar një rol i rëndësishëm në kryesi, megjithëse edhe për këtë të fundit nuk ka akoma diçka konkrete.
Trajneri Osmani ka menduar të tërheq te kuq e zinjtë futbollistin Remzifaik Selmani nga Renova dhe Izair Eminin, futbollistin e kampionëve të Shqipërisë, Kukësin. Për një rikthim të mundshëm përmendet edhe emri i futbollistit strugan Ardit Shaqiri. Ai shihet si futbollisti ideal për përforcimin e mesfushës te Shkëndija. Befasia kësaj here mund të jetë edhe futbollisti shumë i dashur për tetovarët, Ersen Sali i cili do të ishte një prej përforcimeve të duhura te Shkëndija, por Sali kërkohet edhe nga klube të tjera të ligës se dytë.
Marko ballistit të Shkëndijes nuk iu vazhdua kontrata dhe e pa të arsyeshme t’i bashkangjitet Pelisterit të Manastirit, ndërkaq shpejt u angazhua edhe portieri i ri nga Kosova, Ilir Avdyli për të cilin futbolldashësit flasin me shumë entuziazem. Megjithese Avdyli akoma nuk është zyrtarizuar te tetovarët, ai në insta story ka publikuar një foto me logon e Shkëndijës para nisjes në Slloveni për përgatitjet verore (shiko foton).
Poashtu Alban Hoxha dhe një portier tjetër janë mundësitë e radhës për të cilat Shkëndija po bën çmos që t’i marrë në familjen e madhe. Largimi i porterit Dino Zahov ngelet përsëri një pikëpyetje.
Te Shkëndija vazhdon akoma dilema se kush do të largohet, treshja Medjedoviç, Çelikoviç dhe Çolak që u transferuan gjatë dimrit mendohet se do të jenë largimet e radhës nga klubi, në këtë listë hyn edhe futbollisti strugan Besmir Bojku, megjithëse një futbollist me potencial, atij nuk po i jepen minuta të mjaftueshme. Pritet edhe largimi i Victor Nildo Juffo.
Gjatë javës pritet të zyrtarizohen edhe dy përforcime të reja te Shkëndija, bëhet fjalë edhe për Agim Ibraimin, i cili së fundi është një lojtar i lirë. Nese ai nuk arrin akord me ndonjë prej klubeve sllovene nga ku kanë vërshuar ofertat, ardhja te Shkëndija është 99% e sigurtë. Ndërkohë mbrojtësi kërçovar shumë i përfolur, Ardian Cuculi mesa duket ka bindur kryesinë e Shkëndijës dhe ia kanë vazhduar kontratën dhe për një vit.
Befasitë nuk mbarojnë me kaq, vëllezërit shqiptar te Rabotniçkit, Emir dhe Suad Saiti po mendojnë largimin nga “romantikët” drejt ligës kroate. A do të ndodhë vërtetë një gjë e tillë, na ngelet ta shohim në ditët në vijim.
Talentët tetovar nuk ndalen me kaq, Enis Dervishi i grupmoshave të reja të Shkëndijës bëri goditjen e parë si futbollist duke ju bashkuar “romantikëve”.
Shkupi pasi siguroi përsëri një vend në ligën e parë dhe për një sezon, zyrtarizoi kryetarin e ri Omer Bunjakun, ish kryetar i tifo grupit “Shvercerat” dhe nuk vonoi të vazhdojë kontratat për portierin Suat Zendeli dhe trajnerin Ardian Nuhiu. Nuk mbaron me kaq, aludohet se mbrojtësi shkupjan Sedat Berisha sapo ka shqyrtuar ofertat e shumta dhe dëshiron të bëj një transfer jashtë Maqedonisë, Besar Iseni dhe Florian Kadriu janë në bisedime me Rabotniçkin dhe Fatmir Arifi ka oferta të shumta nga klubet në shtetet gjermanofolese edhe pse Shkupi do që ta vazhdojë kontratën me shkupjanin.
Goditje të tjera priten gjatë javëve në vazhdim, burime të sigurta të portalit tonë thonë se disa futbollistë me emër pritet që të bëjnë largime të bujshme në klubet europiane, por kush dhe ku do të shkojë, le të shohim se çfarë do të ndodhë.
Gazetare: Dona Kuçi/ Tetova1

