FRI tuboi qindra qytetarë në iftarin në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit dhe në qendër të Kumanovës (FOTO)

Forumi Rinor Islam shtroi iftarin tradicional në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Në këtë iftar, i cili për herë të parë u realizua në bashkëpunim me organizatën joqeveritare nga Republika e Turqisë “Iyilikder”, të pranishëm ishin afër 500 mysafirë të shtresave e përkatësive të ndryshme, mes tyre përfaqësues të institucioneve, përfaqësues të organizatave joqeveritare, donatorë, studentë.

Pas përfundimit të iftarit fjalë rasti patën nënkryetari i Forumit Rinor Islam, Berat Limani, kryetari i degës së FRI-së në Shkup, Abdulhamid Mustafa, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti si dhe në fund edhe përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Iyilikder”, Muhamed Geçen.

Iftar për afër 500 qytetarë u shtrua edhe në qytetin e Kumanovës, organizuar nga Forumi Rinor Islam në bashkëpunim me komunën e Kumanovës. Iftari u mbajt në qendrën e qytetit, ku të pranishëm ishin qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike e fetare, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Fjalë rasti pati kryetari i degës së FRI-së në Kumanovë, Liridon Ismaili si dhe nënkryetari i FRI-së në nivel qendor, Berat Limani.

Që të dy iftaret organizohen nga FRI tashmë për shumë vite me radhë, me të cilët synohet bashkimi i qytetarëve për të shijuar kështu bashkërisht vlerat e muajit Ramazan si dhe njohja e kulturës dhe bindjeve të bashkëytetarëve në mes vete.