Edhe pse IBF-ja (International Boxing Federation) ka dhënë pëlqimin e saj për të zhvilluar revanshin e peshave të rënda në boks mes Anthony Joshua dhe Wladimir Klitschko, ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të ngjitet sërish në ring.
41-vjeçari ukrainas, ish-kampion bote në peshat e rënda, bëri një paraqitje të mirë në duelin e 29 prillit të zhvilluar në “Wembley”, ku u mund me “KO” teknik në raundin e 11-të nga Joshua, 14 vjet më i ri. “Së shpejti do të vendos për hapin e radhës, nëse do të rikthehem në ring për revanshin me Joshua, apo do të tërhiqem. Të gjitha sa keni lexuar janë spekulime, pasi ende nuk kam marrë asnjë vendim”, u shpreh klitschko për “boxing news”.
Nga dueli mes Klitschko dhe Joshua
Por Klitschko pritet të marrë shumë shpejt një vendim, pasi po bëhen gati dy muaj nga duel dhe IBF kërkon të dijë se me kë do të përballet Joshua, teksa në mes është edhe bullgari Kubrat Pulev, si i mandatuar për titullin kampion. Revanshi nuk bëhet për parà por për prestigj, pasi Klitschko mund ta kish fituar atë duel me britanikun, kur e hodhi në tapet në raundin e gjashtë. Ndërkohë që edhe fansat e dëshirojnë shumë këtë revansh, që në rast se realizoht do të zhvillohet para dhjetorit.
Dubai, Amerika (Nju Jork ose Las Vegas) apo Uellsi (në Kardif) janë vendet ku mund të zhvillohet kjo sfidë e madhe, që në Londër u ndoq nga 90 mijë shikues. Ajo u konsiderua si një nga përballjet më të mëdha të historisë së boksit.
