Kryeministri Edi Rama, paralajmëron se nëse Partia Socialiste që ai drejton, nuk do të jetë e aftë të krijojë e vetme qeveri pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, ai do të japë dorëheqjen, pasi siç thekson, “nuk ka asnjë motiv të jetë kryeministër edhe një tjetër katër vjeçar, nëse administrata do vijojë të ndahet sipas kërkesave dhe shantazheve të partive të vogla”.
Mesazhi i Ramës ishte edhe për partnerët e koalicionit, LSI-në, kur tha se nuk do pranojë më asnjë shantazh për ndarjen e pushtetit në të ardhmen. Deklarata e fortë u bë pasditen e sotme në komunikimin javor në rrjete sociale, që z.Rama bëri përmes një videomesazhi.
“Më lejoni tua them sinqerisht dhe fare troç. Nuk kam më asnjë motiv të rri në karrigen e Kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e pushtetit të vazhdojë rrijë peng i një partie, duke pranuar që për të marrë votat për një reformë për të bërë shtet, të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesat e partive të koalicionit për të lëshuar drejtorinë në këmbim të votës dhe deri në vende pastruesesh në institucione, për votën për një reformë”, – tha z.Rama. Kryeministri në detyrë, theksoi se Shqipëria kërkon një vendim historik në 25 qershor. “Nëse marrim vendimin e duhur do të bëjmë në katër vitet e ardhshme katërfishin e atyre që bëmë në 44 muaj”, – premton Rama, deklaratë e bërë disa herë sot në mitingjet elektorale në rrethe.
Në të njëjtat mitingje, ashtu si dhe në komunikimin javor, z.Rama kërkoi që të votohet masivisht për PS, që të mos detyrohet të bëjë koalicion si herën e kaluar.
“Njerëzve u ka ardhur, ka kohë, në majë të hundës marrëdhënia me zyrat e shtetit, sidomos jashtë Tiranës, ku metastazat e kancerit të ndarjes së pushtetit si tepsi për partitë dhe jo si përgjegjësi e partive, cenojnë keqas funksionimin e kësaj marrëdhënie për shtetin dhe për marrëdhëniet e njerëzve me shtetin. Partitë e rritura përmes këtij shfrytëzimi kanceroz, përpiqen ta kthejnë këtë thirrje timen për ndihmë nga zgjedhësit, në një luftë politike të ulët, të mbushur me sharje dhe shpifje. Është punë e tyre, për mua kjo nuk është një luftë politike si kryetar i partisë më të madhe në vend, në garë me partitë tjera, qofshin opozita e këtyre 44 muajve, apo qofshin partnerë të koalicionit tonë në këto 44 muaj. Për mua kjo është një luftë jo vetëm parimore dhe e domosdoshme, por jetike për Shqipërinë që duam. Shqipëria që duam me shtet, punë, mirëqenie, nuk bëhet dot pa një administratë dinjitoze e cila garanton ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë, për barazinë dhe trajtimin e qytetarëve pa asnjë dallim”, – tha z.Rama.
Kurse shtoi: “Shteti që ne duam duhet të ketë dy porta të hapura, portën e drejtësisë dhe portën e shërbimeve. Këto dy porta që i janë përplasur njerëzve në fytyre prej 20 e kusur vitesh. Do t’i hapim katër vitet e ardhshme duke pastruar pallatin e drejtësisë nga të korruptuarit”.
Më tej, ai tha: “Nuk u kërkoj demokratëve të bëhen socialistë, apo të ndryshojnë bindjen, por thjesht më ndihmoni për të mos u nëpërkëmbur më në zyrat e shtetit, na jepni mandatin të shkallmojmë derën e patentës, hipotekës, licencave, në emrin e secilit prej jush. Ne nuk kemi luftë me asnjë parti, por jemi në luftë më sistemin e partive që e kanë kthyer shtetin në tepsi. Sa prej jush kanë paguar nën dorë për patentën, kolaudimin e makinës? Nëse doni t’i jepni fund këtij zullumi, iu ka ardhur në dorë mundësia ta bëni me dorën tuaj për t’i sekterisur nga pushteti për këto parti. Të nxjerrim jashtë nga zyrat tregtarët partiakë”.
VIDEO: https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154838369446523/
