Sot në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) duhet të vazhdojë marrja në pyetje e funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së, të dyshuar në rastin “Talir”, mes të cilëve është edhe lideri i partisë, Nikolla Gruevski, transmeton Gazeta Express.
Përveç Gruevskit, i cili është i dyshuari i parë i rastit, PSP-ja ju ka dërguar ftesa dhe duhet të japin dëshmi edhe deputetët, Ilija Dimovski, Kiril Bozhinovski dhe Martin Protoger, të cilët janë pjesë e 11-të të dyshuarve për financim jo-legal të VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, javën e kaluar për rastin “Talir” në PSP janë paraqitur sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe ish kryeministri teknik, Emil Dimitriev, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniela Rangellova, si dhe deputetja e LSDM-së, Frosina Tashevska- Remenski.
Të tre funksionarët e VMRO-DPMNE-së pas daljes nga hapësirat e PSP-së deklaruan se nuk kanë dhënë dëshmi, por kanë kërkuar kontroll të dëshmive dhe pasi t’i marrin do të deklarohen për veprat penale për të cilat i akuzon PSP-ja.
Siç kanë transmetuar disa media edhe avokati Nikolla Dodevski do të ftohet si dëshmitar në Prokurorinë Speciale Publike (PSP) për rastin “Talir” dhe në këtë mënyrë ai nuk do të mund të jetë avokat i liderit të VMRO-DPMNE-së, dhe ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, për rastin “Talir”.
