Goditet grupi i trafikantëve të kokainës, pjesë e tij 10 shtetas shqiptarë

Policia greke ka goditur një rrjet që trafikonte kanabis dhe kokainë në rajonin e Ilia-s, të Greqisë perëndimore.

Policia u ka vënë prangat 11 personave, dhjetë shtetasve shqiptarë dhe një grek, ndërsa ka identifikuar kreun e grupit, një 32 vjeçar që ndodhet në Shqipëri. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, shkruan Ora News.

Edhe pse sasia e drogës së sekuestruar në cilësinë e provës, është mjaft e vogël, sipas komunikatës së policisë, grupi ka përfituar nga trafikimi më shumë se 150 mijë euro.

Policia ka zbardhur gjithë skemën e funksionimit të grupit.

Bosi 32 vjeçar e dërgonte kanabisin dhe kokainën nga Shqipëria në Greqi, saktësisht në Athinë, ku e merrte në dorëzim vëllai i tij, një 24-vjeçar.

Ky ua shpërndante pjesëtarëve të grupit, që kishin për detyrë ta shisnin. I njëjti person, grumbullonte paratë e shitjes dhe më pas ia çonte të vëllait në Shqipëri.

Grupi vepronte nën masa të rrepta sigurie, ndërsa komunikimet për caktimin e çmimit të shitjes dhe të mënyrës së trafikimit, bëheshin gjithmonë nëpërmjet rrjeteve sociale për të evituar një përgjim të mundshëm.

Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, në Amaliada dhe Athinë janë gjetur dhe sekuestruar sasi të vogla kanabisi dhe kokainë, peshore precizioni, një presë hidraulike që përdorej për ambalazhimin e kokainës, 2 automjete, 21 telefona celularë dhe 2.680 euro.