Hetimet: Si e vrau shqiptari në shtëpi nënën e ish-pronarit

Prokuroria e Barit në Italisë ka mbyllur hetimet mbi shqiptarin e akuzuar për vrasjen e piktores 71-vjeçare Rosa Maria Radicci.

Ngjarja ndodhi më 13 nëntor 2016 në apartamentin e saj në Palese (Bari). I akuzuar është 30-vjeçari Olgert Laska i arrestuar nga efektivët e policisë disa ditë pas krimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, gruaja u mbyt nga shqiptari, i cili punonte në picerinë e djalit të viktimës, ku lante pjatat.

I riu është pushuar nga puna në fund të gushtit 2016 dhe për hetuesit, kjo është arsyeja pse ai ka vrarë të ëmën e ish shefit të tij.

Por, Olgert Laska ka refuzuar gjithmonë akuzat që rëndojnë ndaj tij, duke u shprehur se nuk ka gisht në vrasjen e 71-vjeçares.

Më mesin e provave, prokuroria ka edhe pamje filmike të marra nga kamerat e banesave të zonës, në të cilat shihet shqiptari në shëtitoren buzë detit, ku ndodhet edhe banesa e viktimës. Ai shihet duke mbërritur në zonë me biçikletë në orën 12:37 të 13 nëntorit.

“Ai u ndal në hyrje të kompleksit rezidencial të viktimës. Mbështeti biçikletën te kangjellat dhe u ul në stol”, shkruhet në dosjen e hetuesve.

Imazhet tregojnë se Laska i afrohet shpesh portës, dhe prania e shqiptarit ishte vënë re nga vizitorët në një bar aty pranë.

Kur ka parë të kalonte një patrullë karabinierësh, është fshehur mes shkëmbinjve. Më pas, në 14:19 zhduket nga pamjet e kamerave dhe në 15:10 filmohet sërish, teksa i hipur në biçikletë, niset në drejtim të Barit.

Sipas hetuesve, në hapësirën kur shqiptari nuk shfaqet në kamera, ka kryer vrasjen.

Portën, Olgeritit mund t’ia ketë hapur vetë gruaja e cila njihej me të.