Ndëroi jetë profesor Satki Hamiti

Sot pas një sëmundjeje të shkurtër në moshën 79 vjeçare në fshatin e tij të lindjes, Përshefcë, ndëroi jetë mësuesi, arsimtari dhe profesori i historisë Satki Hamiti.

Varrimin do te bëhet nesër pas namazit të derkës.

 

IM MEMORIAM

Tani kur ti mësues i yni nuk je më, kthej së prapthi shiritin e kujtesës dhe ja tek më shfaqen përpara imazhet e ditëve të paharruara, në të cilën ti mësues i dashur, na mirëprite me buzëqeshje, me ëmbëlsi, sikur të ishe prindi ynë, pasi ti i tillë u shndërrove, për aq vite sa ishim nxënësit e tu.

Mësuesi im! Mënyra se si na trajtoje, se si na e përcillje historinë, bëri që në të mishërohemi me historinë kombëtare. Gjithçka që shkruhej në të, mundoheshe ta transferoje dhe ta mbillje në shpirtin tonë.

Çdo fjalë që ti thoje, na dukej e madhe; çdo lëvizje dhe punë e jotja na dukej e matur; çdo vlerësim i yti ndaj nesh na inkurajonte pa masë dhe na shtynte të punojmë më fort; të përpiqeshim më tepër;

Të shëndriste fytyra sa herë që vinim të përgatitur në mësim. Sa herë që përmend emrin tënd, njeriun e mirë kujtojmë; sa herë që është në fokus portreti i një mësuesi shembullor, imazhi yt më paraqitet para syve. Sa herë që më pyesin se kujt ia dedikoj suksesin tim të deritanëshëm, përgjigja ime është je ti, pasi një pjesë të mirë të rrugës që kam ndjekur, ma tregove ti. Gjurmët e tua tek unë, nuk ishin të përkohshme, por të përjetshme.

Mësues ti do të mbahesh mend nga qytetarët, intelektualët, mësuesit, studiuesit, nxënësit e studentët, që moto të punës tënde kishe rregullin, disiplinën, korrektësinë, profesionalizmin e studimin, që të karakterizonte në çdo hap të punës e të jetës tënde, komunikimi dhe respektimi i të gjithëve, ndihma e pakursyer që i jepshe çdokujt, ishe model dhe simbol i njeriut të mirë, qytetarisë, mësuesit të talentuar, drejtuesit korrekt. Një personalitet erudit, që emrin dhe veprën tënde e shkrove dhe e skalite me germa të arta,ti je emblema e arsimit dhe e qytetarisë.