PDK ngelet vetëm me 22 deputet?

Ndonëse shumica e partive tanimë po deklarohen për numrin e deputetëve të fituar në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit, Partia Demokratike e Kosovës është ndër partitë e vetme, e cila nuk ka njoftuar opinionin publik për numrin e ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës.

‘Indeksonline’, ka provuar të bisedoj me zyrtarë të shumtë të këtij subjekti, por shumica nga ta kanë qenë të paqasshëm.

I vetmi i cili është përgjigjur në interesimin tonë ka qenë nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ky i fundit në një përgjigje të shkurtër ka thënë se tani për tani PDK nuk ka dijeni se sa deputetë do t’i ketë në legjislaturën e ardhshme.

E, partnerët e PDK-së në koalicion parazgjedhor, AAK e Nisma kanë bërë të ditur numrin e mandateve të siguruara në legjislaturën e ardhshme.

Tek AAK kanë thënë se numri i deputetëve qe kanë fituar është rreth 10 deputetë. Ndërsa tek Nisma 7.

Nëse, këto rezultate konfirmohen, atëherë i bie qe PDK do të ketë rreth 22 deputetë në legjislaturën e VI të Kuvendit.

Kësisoj, PDK do të kishte përfaqësimin më të vogël në Kuvend në histori të saj.

Në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit koalicioni parazgjedhor PAN ka fituar 39 mandate në Kuvendin e Kosovës.