Aktualizohet sërish “bomba” për Tahir Hanin dhe Ali Ahmetin, ja pse! (Video)

Tahir Hani: “Sot kisha takim me Mile Janakievskin dhe i bisedova problemet që janë në Ministrinë e Transportit. Ai nuk ka gatishmëri për avancime aspak. E dyta nuk çon llogari në aspektin e formimit të komisioneve dhe përfaqësim të drejtë e treta në aspektin e projekteve të ndryshme që janë në sferën tonë, nga programi i BDI-së janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Projektin që ju e keni promovuar Tetovë-Prizren në çdo tubim është hekur nga rendi ditës. Për tre milion denarë është hequr nga rendi i ditës”.

Ali Ahmeti: “Bëni me shkrim dhe ja drejton Musa Xhaferit që ai të kërkon të futet në rend dite në Qeveri pozita dhe bashkëpunimi në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve”.

Ky është vetëm një nga projektet infrastrukturore për të cilat opinioni e mësoi përse dhe në ç’formë u bllokua dhe s’u realizua.

Një tjetër projekt i parealizuar ka mbet edhe autostrada 13 kilometërshe Shkup-Bllacë, të cilin BDI në disa cikle zgjedhore e premtoi, por s’e bëri.

Njëri prej hartuesve të platformës 20-20 të BDI-së, Nurhan Izairi e pranon se partia nuk ia doli t’i bëjë të gjitha projektet nga fushatat zgjedhore, por fajin e sheh tjetërkund.

“BDI në platformën e vet si projekte infrastrukturore urgjente dhe imediate që i ka janë autostrada Shkup-Hani Elezit, pastaj pjesa e autostradës që përfshinë Gostivarin me Kërçovën dhe gjithashtu pjesa e mbetur e autostradës deri në Strugë. Këto janë projekte infrastrukturore që kanë qenë të parapara edhe mandatin e mëparshëm! Por, siç e dini, për shumë rrethana tjera nuk arritën të realizohen ndërsa shpresat e mia janë të mëdha që kjo qeveri reformuese do t’i ketë parasysh këto projekte që janë me rëndësi jetike për popullatën shqiptare”, tha Nurhan Izairi, nga BDI.

Se me këtë koalicion punët do të shkojnë ndryshe, e thotë edhe ministri i ri Goran Sugarevski.

Por edhe ky, sikur pararendësi i tij, nuk jep kohë se kur do të bëhen projektet e partnerit shqiptar në qeveri.

“Absolutisht bëhet fjalë për projekte të cilat janë të parapara në programin qeveritar dhe gjithçka që është e paraparë maksimalisht do të angazhohemi dhe do të mundohemi ato projekte të jenë të realizuara në afat sa më të shpejtë të mundshëm në pajtueshmëri me afatet e parapara. Ashtu që nuk kam dilemë në pjesën që ka të bëj me infrastrukturën por edhe me të gjitha problemet që paraqiten që janë një grumbull në autostrada do të mundohemi të gjejmë zgjidhje se si ata të tejkalohen”, tha Goran Sugarevski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

13 kilometra autostradë nga Shkupi deri në kufi me Kosovën në Bllacë, e kërkojnë me ngulm edhe komuniteti i biznesit, meqë eksportojnë më së shumti në tregun kosovar.

Në anën tjetër të kufirit, pala kosovare ka lëshuar në qarkullim 20 kilometrat e para të autostradës për Shkup, ndërsa për pak javë pritet të lëshohet edhe një segment tjetër.

Sugarevski tha se një ekipë është duke bërë vlerësimin e gjendjes së autostradave, dhe punës që po kryhen në ato në ndërtim e sipër.

Ditë më parë, kompania greke AKTOR që po ndërton autostradën Demir Kapi-Smokvicë është dënuar me 50 milionë euro për shkak të shpëlarjes së parave me tenderin për këtë projekt.