Furkan Feta nga dega e Sarajit, kuadër i mundshëm për drejtor në Drejtorinë për konfiskim të pronës!?

Deri më tani LSDM është kujdesur që në institucione kyçe të emërojë kuadro nga radhët e veta, si në Drejtorinë për të ardhura publike, Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim dhe në Byronë për siguri publike. Por, siç thonë për gazetën KOHA burime partiake, BDI dhe ASH kanë heshtur me qëllim që t’i japin kohë dhe mundësi LSDM-së që të heq nga pushteti kuadro të VMRO-së

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për të parë se çka do të përfitojnë subjekte politike shqiptare BDI dhe ASH, sa i përket eshalonit të tretë, atë të drejtorive në institucionet e ndryshme shtetërore. Deri më tani, partia më e madhe në pushtet, LSDM, është kujdesur që në institucione kyçe të emërojë kuadro nga radhët e vetë, si në Drejtorinë për të ardhura publike, Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim dhe në Byronë për siguri publike.

Sipas burimeve të afërta me ASH, LSDM nuk ka pasur konsultime paraprake me partitë shqiptare, gjë që ka shkaktuar indinjate deri te strukturat e larat të dy partive shqiptare. Por, siç thonë për gazetën KOHA burime partiake, BDI dhe ASH kanë heshtur me qëllim që t’i japin kohë dhe mundësi LSDM-së që të heq nga pushteti kuadrot e VMRO-së dhe janë pajtuar që në drejtoritë e MPB-së të kenë vetëm zëvendës dhe në disa drejtori tjera të përfolura për korrupsion nga VMRO.

Mes shumë emrave të pëfolur për të drejtuar ndonjë nga drejtoritë e rëndësishme në nivel të eshalonit të tretë është dhe Furkan Feta, këshilltar në parlamentin e Maqedonisë dhe pjesë e kabinetit të ish nënkryetarit të Parlamentit për një kohë të gjatë. Feta përflitet si kuadër i mundshëm në drejtorinë për konfiskim të pronës. Feta vjen nga dega e Sarajit e cila njihet si një nga më të mëdhatë në anën e Shkupit dhe vjen si kuadër i gjeneratës së re.