Në pritje të certifikimit zyrtar të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, analistët rendisin skenarët për krijimin e qeverisë së re. Nuk mungon as mundësia e zgjedhjeve të reja në pranverë të 2018-ës.
Kandidatit të PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, i takon mandati i parë për formimin e Qeverisë, por një gjë e tillë duket e vështirë nga analistët kosovarë. Këta të fundit janë të bindur se Haradinaj do të duhet të paguajë shtrenjtë postin e kryeministrit. Mundësia është që qeveria të krijohet me serbët si faktorë ose qeveri me shqiptarët duke përgjysmuar postet në ekzekutivin e ardhshëm.
Haradinaj duket se është vënë para një pozite mes “dy zjarreve” politike.
Ose të formojë Qeverinë vetëm me minoritetet dhe dy-tre deputetë nga krahu tjetër, duke lënë tërësisht në “varësi” të Beogradit Qeverinë e Kosovës, ose të bashkohet me LAA-në si koalicion apo vetëm LDK-në, duke përgjysmuar postet në ekzekutiv.
Analistët kosovarë shprehen se zgjidhja më e keqe do të ishte që Qeveria e Kosovës të varej nga Lista Serbe. Megjithatë vetë kandidati për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, është i bindur se do të arrijë ta krijojë Qeverinë shumë shpejt, pa ndonjë sfidë, pazar apo sakrificë.
Por analistët rendisin dhe një skenar tjetër, ata thonë se vijat e kuqe mund të çojnë drejt asaj që asnjë grup politik të mos sigurojë përkrahjen e nevojshme për themelimin e qeverisë së re.
Ky opsion është më pak i mundshëm, po rmund të bëhet realitet nëse subjektet politike do të binin dakord për krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, pa opozitë. Në këtë mënyrë ndo të anashkaloheshin çështje madhore si demarkacioni dhe themelimi i asociacionit të komunave serbe, pas të cilës kosovarët, që në pranverën e vitit të ardhshëm t’i drejtoheshin kutive të votimit edhe njëherë.
