Milevski paralajmëron ndryshime ndaj Serbisë

Disfata kundër Spanjës, në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian është lënë në harresë, pasi shpresat e Maqedonisë janë përqendruar plotësisht në përballjen ndaj Serbisë, më 20 qershor në Bigoshç të Polonisë. Pas përballjes së parë dhe debutuese, seleksionuesi Milevski futbollistëve që luajtën kundër Spanjës u servoi vetëm një seancë rikuperimi, ndërsa në stërvitje të rregullt u paraqitën pjesa tjetër e kontigjenitit të Maqedonisë, në mesin e të cilëve ekziston shpresa për të luajtur për herë të parë në Evropianin në Poloni.

“Nuk kemi ardhur këtu vetëm për pjesëmarrje por kemi ardhur për të luajtur futboll dhe këtë e dëshmuam në ndeshjen e fundit dhe kundër Spanjës nuk luajtëm në mbrojtje , luajtëm futboll të hapur pavarësisht rezultatit edhe me Serbinë do të përsërisim të njëjtën dhe besoj dhe shpresojë në një rezultat pozitiv”, tha për “Alsat-M”, Mevlan Murati. Ndërkohë Visar Musliu beson se gjërat nuk do të jenë edhe aq të lehta në vazhdim të Kampionatit Evropian në Poloni.

“Me Serbinë do të jetë ndeshje e vështirë , por ne do të shkojmë për fitore sepse jo na duhet, posaçërisht pas asaj humbje që mendojë se nuk e meritonim. Nuk do të jetë lehtë pasi që edhe atë do të kërkojnë pikët pasi vijnë nga e njëjta situatë me një gol diferencë më të ulët dhe besojë se do të arrijmë një rezultat pozitiv“, deklaroi Musliu.

Ndërkohë, seleksionuesi Blagoja Milevski paralajmëroi se do të ketë ndryshime në formacionin e parë nga sfida e parë dhe se ka analizuar mjaft mirë kundërshtarin e ardhshëm, që sipas tij ka ekip mjaft kualitative. Mirëpo, Milevski beson se futbollistët e rinj janë të gatshëm për edhe një performancë të lartë siç ishte në eliminatoret dhe në sfidën e parë. Ndryshe, Maqedonia dhe Serbia në të kaluarën regjistrojnë katër përballje ndërmjet veti, në të cilat Serbia ka shënuar 2 fitore, një takim e ka mbyllur me barazim, ndërsa Maqedonia U21 fitoren e vetme e ka shënuar në vitin 2010.

Statistikat dhe matematikat janë të shumta, ndërsa e sigurt është se përfaqësuesja që pëson në këtë përballje do të humbas të gjitha gjasat për kualifikim në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian në Poloni.