LAZIM DESTANI:
“Nga Iftari me bashkëfshatarët e mi në Bozovcë
Me rastin e Iftarit që kishin organizuar bashkëfshatarët e mi në Bozovcë, shpreh kënaqësinë e jashtëzakonshme për çastet e këndshme që kaluam së bashku në fshatin e lindjes e të fëmijërisë sime. Në ambientet e shkollës së fshatit ishin mledhur së bashku gati të gjithë banorët e fshatit, madje kishte edhe prej tyre që tashmë janë shpërngulur në vendbanime të tjera.
Nuk është se e vizitoj rrallë Bozovcën por vizita e djeshme ka qenë më e veçantë pasi ndoshta për herë të parë ishim mbledhur kaq shumë vetë për një rast të këtillë.
E veçanta e kësaj tryeze, ishin ushqimet tradicionale që me kënaqësi i kishin përgatitur vet banorët e fshatit, madje të gjitha, nga produktet e fshatit.
Koha që kaluam bashkë, me biseda të ngrohta mes vete, me humor e të qeshura si dhe me shpalosje kujtimesh nga fëmijëria, më ka lënë mbresa e do mbetet gjatë në kujtesën time”.
