Sondazhi që tronditi Tiranën, përmbyset gjithçka më 25 qershor

Vetëm 4 ditë na ndajnë nga data e zgjedhjeve, dhe situata politike në Shqipëri është më e ndezur se kurrë.

Forcat politike si kurrë më parë kanë ashpërsuar tonet dhe kanë shtrirë fushatën në të gjithë vendin në mënyrë që të maksimalizojnë votat dhe mandatet pas 25 qershorit.

Ndërkohë që kanë ngelur vetëm 4 ditë nga votimi sondazhet brenda dhe jashtë vendit kanë shtuar tensionet dhe pritshmërite.

Sondazhi i fundit i publikuar është nga GFK, një ndër katër kompanitë kryesore në botë për hulumtimet e tregut dhe opinionit, dhe rezultatet e saj janë shumë suprizueze.

Sipas kësaj kompanie gjermane Partia Demokratike dhe ajo Socialiste janë pothuajse në barazim mes votuesve, me një avantazh të lehtë të PD-së.

Nga të dhënat e studimit, një javë para zgjedhjeve, Partinë Socialiste do ta votonin 31.1% e të intervistuarve dhe Partinë Demokratike 31.4% e të intervistuarve. LSI-në do ta votonin 6% e zgjedhësve, ndërsa PDIU-në 1.2% e tyre.

Megjithëse dita e zgjedhjeve është shumë pranë, vihet re një numër i lartë i të pavendosurve, votuesve që do të votojnë por nuk kanë vendosur ende se për kë do të votojnë, i barabartë me 20.3% të të gjithë të të intervistuarve.

Edhe të pavendosurit ndahen në mënyrë pothuajse të barabartë në preferencën e mundshme mes dy partive të mëdha, respektivisht 14.4% për PS dhe 13.9% për PD. Megjithatë, 58.4% e tyre vazhdojnë të mos kenë ende ndonjë preferencë.

Partia Demokratike ka përparësi mes të rinjve të moshës 18 – 34 vjeç, ndërsa votuesit më të shumë të Partisë Socialiste janë mbi 55 vjeç. LSI ka përparësinë më të madhe të saj në elektoratin e përbërë nga grupmosha 23 – 44 vjeç.