Dallimi i ngushtë në numër deputetësh mes pushtetit dhe opozitës, ka ngritur në qiell “çmimin” e deputetëve në Maqedoni, njoftojnë burime partiake.
Në tentimin e pushtetit për të ruajtur shumicën e brishtë prej 62 deputetëve, si dhe tentimin e opozitës për të rrëzuar këtë shumicë të brishtë, në skenën politike veçmë është duke funksionuar “bursë” për tregti me deputetë, theksojnë këto burime, ku për një deputet ofrohet edhe çmim prej 3 milionë eurove.
Sipas tyre, me oferta të veta paraqitet pushteti, kurse me kundëroferta paraqitet opozita dhe anasjelltas. Selia e kësaj “burse” politike është në një hotel luksoz në qendër të Shkupit.
“Situata ndryshon nga momenti në moment. Jan të përfshirë edhe deputetët maqedonas edhe ata shqiptarë, e posaçërisht deputetët e pakicave. Sa bindet një deputet të pranojë ofertë milionëshe për të kaluar në parti tjetër, partia e tij paraqitet me ofertë edhe më të lartë dhe gjërat kthehen në fillim”, theksojnë burimet e Gazetës Lajm.
Sipas tyre, në krejt këtë “pazar” për të bindur dhe zhbindur deputetët që të kalojnë nga një tabor në tabor tjetër, përdoren edhe shantazhe me audio dhe video incizime, dosje dhe dokumente për krim dhe korrupsion, madje edhe kërcënime fizike.
Në këtë tregti profitabile janë të kyçur biznesmenë, përfaqësues të shërbimeve sekrete, por edhe funksionarë aktualë dhe të mëhershëm në qeveri, si dhe njerëz të afërt me Kishën Ortodokse Maqedonase dhe Bashkësinë Fetare Islame. që kanë lidhje dhe ndikim në politikë.
“Për këtë arsye, këtyre ditëve jemi dëshmitarë të darkave dhe iftareve të çuditshme, ku në një tavolinë ulen bashkë armiq të deridjeshëm”, theksojnë këto burime.
Rritja e çmimeve të deputetëve është edhe për shkak të faktit se varësisht se cila parti do të jetë në pushtet, nuk varet vetëm karriera politike e disa politikanëve, por edhe mundësia që të përfundojnë në burg.
Për këtë “bursë” informacione kanë edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët janë duke bë presion te partitë politike që të ndërpresin këtë formë të veprimit.
